Edhe avangardë edhe inferiorë.

Nga: Blerim Gashani

Është mallkim yni që edhe në shekullin 21, vazhdojmë ta kemi një klasë artistësh, shkrimtarësh e kineastësh që ngulmojnë të identifikohen si avangardë artistike. Çudia mbetet se edhe nëse ekziston ajo, atëherë për herë të parë në histori, kjo është një avangardë që nuk ka asgjë prapa dhe asgjë përpara. Pezull, pa taban, pa bazë, pa lidhje - as fizike e as shpirtërore - me popullin, mileun, publikun që (duhet të) përfaqësojnë.

Është një klasë, të cilën shkrimtari Kadare e kishte deklasuar me kritikën ndaj filmit “Kukumi”, i cili film tragjedinë e Kosovës, para se në këndet normale më pak avangarde, e trajtonte – shih çudinë – nga prizmi i të sëmurve mendorë.

Paramendoni, një tragjedi e madhe, e denjë për epet klasike, së pari trajtohet nga prizmi i disa personazheve, që – a do të mund të imagjinonit – nuk janë as viktima të luftës së Kosovës, në asnjë mënyrë, por bëhen, deri diku, të tilla me përfundimin e kësaj tragjedie.

Prandaj, edhe unë n’atë vogëlsinë time, kam shkruar:

“…kur shohim projekte kinse-moderne, kinse-sureale dhe krejt të dështuara të kineastëve tanë, këta me një superioritet fals na thonë se “kanë dashur të punojnë diçka ndryshe”!!! Natyrshëm, na vjen në mendje “ndryshe nga çka?” Po të xhiroheshin 100 filma për luftën, atëherë do të mund të mendonim për “diçka ndryshe”! Nëse nuk do të këputej zingjiri i kinematografisë kosovare të viteve 70-80 të shekullit të kaluar, me gjasë tani do të na vinte radha edhe neve që të bënim diçka më ndryshe, diçka më hermetike, diçka postmoderne…”

Tash, kineastët tanë paskan prodhuar filmin “Martesa” që ka për tematikë luftën e Kosovës dhe - qëllojani - flet për dashurinë e komunitetit LGTB.

Eh, tash, ju e dini se unë nuk jam as puritanist, as homofobik e as konzervativ a moralist kujdestar, por nuk mund të mos tmerrohem nga ky fakt, duke e ditur se ende:

- nuk është bërë një film tamam për luftën
- nuk është bërë një film për rezistencën dhe flijimin e familjes Jashari
- nuk është bërë një film për Adem Jasharin, për Zahir Pajazitin, për Agim Ramadanin, për Sali Çekun, Bekim Berishën apo një tregim filmik që do t’i trajtonte të gjithë këta e më shumë heronj të luftës së fundit
- nuk është bërë një film për ndonjë nga betejat e luftës, p.sh. beteja për Grykën e Llapushnikut, beteja në Abri të Epërme, Beteja e Logjës, Beteja e Koshares…apo një film për të gjitha këto - e më shumë sosh - në një zingjir…
- nuk është bërë film për ndonjë nga masakrat apo një film për disa nga masakrat që e kanë zgjuar ndërgjegjën botërore
- nuk është bërë film për gratë e dhunuara
- nuk është bërë film për fëmijët e vrarë pa mëshirë nga serbët
- nuk është bërë film për deportimin biblik të shqiptarëve nga Kosova
- nuk është bërë një film për dramën e braktisjes së vatrës familjare
- nuk është bërë një film për dramën e Bllacës
- nuk është bërë një film për torturën në luftë, për urinë në luftë, për lodhjen, frikën, traumën, por edhe për shpresën
- nuk është bërë asnjë film për dashurinë, dashurinë në kohë lufte....

….thënë thjesht, edhe një herë, ende nuk është bërë NJË film tamam për luftën e fundit në Kosovë.

Asnjë!

Dhe, i pari të jetë Kukumi!

I dyti, të jetë “martesa” e komuniteteve margjinale.

Mjerim!

Por kjo bëhet nga një lloj – jo vetëm i artistëve e kineastëve – shqiptarësh që janë të njëjtë me një klasë shqiptarësh kosovarë që pas L2B i ‘mësonin” serbët se nuk duhet ta besonin Zotin më, dhe se besimi e çdo gjë e trashëguar nga e kaluara, thjesht duhet të varrosej, të zhdukej. Se serbët nuk dinin këtë, por këta inferiorët tanë – që ishin rritur në familje tradicionale, shpesh klerikësh fetarë – duhet t’i mësonin dhe t’ua trasonin rrugën moderne!!!

Çfarë mjerimi!

Të tillë janë edhe këta të sotmit, veç superiorët e padronët kanë ndryshuar...përkohësisht!

Edhe avangardë edhe inferiorë të ligshtë! 
Të dyja, nuk bën!
Mjerana!