Nga lakonizmi i Mjedës:

Nga: Zija Vukaj
“Çka natyra vetë përpoq”
“Gjuha shqipe”
Ky varg më ka magjepsur gjithmonë me ngjeshjen e mendimit dhe të emocionit, si dhe aftësinë mjeshtërore për të luajtur me elementët e gjuhës në mënyrë kaq virtuoze. Poeti i madh italian D’Annunzio thotë se vargu i vërtetë poetik nuk është shpikje as krijim i poetit, por është zbulim. Ai ekziston në thellësitë e errëta të gjuhës, kurse poeti është ai që e zbulon dhe e nxjerr në sipërfaqe. Për të tillë poetë dhe për të tilla vargje e ka pasur fjalën Il Vate nazionale- D’Annunzio i madh. Rasti i këtij vargu është një zbulim. Një etyd morfo- sintaksor, leksikor, fonetik, stilistik, metrik. Lakonizmi fillon me përemrin e pacaktuar eliptik “çka”, që përmbledh dy përemra (atë që, atë çfarë). Pastaj poeti ‘laicizon’ Krijuesin (Zotin), sepse për qëllime prozodike i duhet një fjalë me tingëllim eufonik, “natyra”, një emër i hijshëm femëror, pa shkurre konsonantesh dhe me numër ekzakt rrokjesh, ndërsa fut me elegancë foljen “përpoq” në një nga konotacionet periferike të saj, duke i aktivizuar aftësinë për të qenë sinonim i foljes “bashkoi”

Kjoft mallkue kush qet ngatrrime
Ndër k’ta vllazën shoq me shoq
Kush e ndan me fjalë e shkrime
Çka natyra vetë përpoq.

Ose:

“E me hupë kush s’â si aj”

Kenka thanë me u lshue mizori
Mbi krye temin pa nji faj
Kenka thanë me pshtue fajtori
E me hup’ kush s’â si aj.

Ose:

“I nji t’ zez’s që gja s’e pret”

Gjama jote asht si ankimi
I një fmis’ që vetun mbet
Gjama jote asht si shungllimi
I nji t’zez’s që gja s’e pret.

Ose

“Asht çardaku që po m’shan”

Çoi syt’ ujku atbotë përpjetë
Prej kah edhi lshonte zân’
E i tha, nuk je ti vetë
Asht çardaku që po m’shan.