Bisedë me fotografen - poete e prozatore, Rozafa Shpuza.

Intervistoi për albmendimiarts.com : Sabina Darova

 Sabina Darova

Sabina Darova

 

 

 

1. Kur dhe si ka ardhur fotografia tek ju ?

 

Fotografia tek unë ka ardhë spontanisht, si nji tekë shpirti. Babi ka pasë nji aparat me film e prej atij i kam marrë mësimet e para për fotografinë. Ishte mrekulli për ne fëmijët kur ai na fotografonte në çdo ditëlindje apo festë. E adhuroja çastin kur aparati shkrepte “çak”.

Me aparatin e parë fotografik jam ba kur shkova në nji shkollë në Danimarkë. Ishin vitet kur sapo kishim dalë nga ferri komunist. Ne studentëve që vinim nga Europa Lindore, organizatoret na dhanë nji shumë paresh për përdorim vetjak. Pa e mendu dy herë kam shku me ble nji aparat fotografik... e qysh atëherë kam fillu me shkrepë pa u ndalë ma. Si duket ky ka qenë çasti kur gjeta çilsin e hobit tem ma të dashtun.

 Nga e majta në të djathtë:  Darova, Shpuza, Spahija.

Nga e majta në të djathtë:  Darova, Shpuza, Spahija.

 

2. Fotografia është një lojë?

Po të ishte lojë kishte me m’u mërzitë, siç ju mërziten kukullat vocrrakeve. Fotografia asht frymë, asht emocion, asht shfrim, asht dashni... E marr kudo aparatin me vedi. Me shkrepë fotografi asht një kënaqësi që s’mund ta krahasoj me asgja tjetër. Eci rrugve, pres diku derisa imazhi të jetë sa ma perfekt për shkrepjen e rradhës, shkoj ndër vende të ndryshme me fotografu detaje që më grishin imagjinatën, bahem nji me muzgun apo agun tue ju vjedhë atyne magjinë e dritës për fotografi... Kur aparati njeshet në faqe e syni fiksohet diku përtej asaj që shofin kalimtarët, fryma ndalet, asgja tjetër s’ekziston, jam veç unë dhe copëza e jetës që du me përjetësu... Kjo asht magji, ndaj të thashë se fotografia nuk asht lojë, anipse kur fotografon shpeshherë bahesh fëmijë.

 

3. Ferdinando Sciana thotë se fotografia ka të bëjë pak me pikturën, që fotot janë kuadro. Janë letërsi. Ju Rozafa, levroni edhe në letërsi, prozë dhe poezi. Çfare mendoni në lidhje me ketë mendim të tij? 

 

Asht e vërtetë se fotografia lidhet ngusht me letërsinë. Unë po prononcohem veç për këtë pjesë, prejse shkrimet e mia (proze apo poezi) kanë nji ndërkallje të pazgjidhshme mes tyne. Fotografitë e mia në përgjithësi janë detajiste, pra fokusohen te nji pjesë e tanësisë, e kjo ndodh edhe ndër shkrimet e mia. Mundem me shkrepë nji fotografi e menjëherë me u ulë me shkru diçka në nji copë të rastësishme letre, faturë kafeje apo paketë cigaresh...

Kam botue 3 libra: “Kohë ikonash” në prozë, kurse “Anipse” dhe “Grizhlat” janë poezi në gegnisht. Kush ndjek krijimtarinë teme mundet me pa të përbashkëtat që ka mes fotografive të mia dhe letërsisë së shkruej. Ata shkrihen mes vedit e krijojnë art.

Me shkrue dhe me fotografue janë dy hobi të dashtuna për mue, që shkojnë në harmoni perfekte me njeni-tjetrin.

 

4. Figura njerëzore, detaji, çfarë roli kanë luajtur në krijimtarinë tuaj?

 

Më pëlqen shumë me fotografue portrete. Rend mbas tyne e rrekem me fiksue personazhet ma të veçantë, ata që përcjellin nji emocion, nji ndjenjë, nji britmë, nji lutje... Kam shkue në azil të pleqve, në shpinë e fëmijëve, në pazar ku fshatarët shesin fruta-perime, në male ku jeta ka ritëm krejt tjetër prej qyteteve të zhurmshme. Kam arkiv të pasun me personazhe e prore vazhdoj me fotografue, se asnji personazh s’i përgjet tjetrit. 

Mendoj se kur fotografi arrin me fiksue nji portret në çastin e duhun, pra atëherë kur buzëqeshja,  loti, rrudhat, tymin që shfryn nga flegrat e hundës, gishtat që shtrëngojnë nji bisht cigareje, atëherë fotografia ia ka arritë qëllimit.

Mundem me e thanë me bindje se portretet i kanë dhanë nji shtytje krijimtarisë teme, tue e futë atë ndër hulli ma cilësore dhe ma profesionale.

 

5. Përse zgjodhët  si ngjyra bardhezinë për këtë ekspozitë

 

Mënyra se si nji fotograf zgjedh me e ba foton e tij (me ngjyra, bardhezi apo sepje) asht ma shumë çështje shijesh, apo kandvështrimi, apo ndjesie... nuk di tamam me gjetë fjalën e përshtatshme, por mundem me e konfirmue se asht zgjedhje personale e nji fotografi. 

Bardhezia e sjell imazhin krejt cullak, pa truke, pa lajlelule... e sjell mistershëm, gati si zhgjandërr, gati si mirazh... Ky asht kandvështrimi jem për bardhezinë. Nuk mundem me thanë se ky asht absolut, thjesht asht mënyra që unë zgjodha me ba fotot e mia... 

 

6. Si lindi bashkëpunimi mes jush dhe Fahredin Spahise?

 

Fotografia asht ajo që na ka prezantue. Jena takue në disa konkurse ndërkombëtare fotografie të organizuem në Shqipni, Kosovë, Serbi, Maqedoni... Me kenë mes artistësh të fotografisë asht nji mrekulli. Mbas ekspozitave, ku sejcili ka sjellë nji foto, që përcjell te sho-shoqi nji copë shpirt, nji frymim, nji emocion, nji ardhëmëni, gotat pihen me fund e aty lindin miqësi, lindin ide për ekspozitat e ardhme, diskutohet e këndohet...

Unë po mendoja për nji ekspozitë personale, mbas “Trokitje kujtimesh” që hapa vitin që shkoi, gjithashtu edhe profesori donte me ba në Shkodër nji ekspozitë të tijën. Ai ishte ideatori i ekspozitës së përbashkët. Me kenë krah tij në nji ekspozitë të përbashkët për mue ishte mrekulli, prejse unë e adhuroj fotografinë e tij. Kam punue seriozisht e mendoj se puna na asht shpërblye. Ekspozita “2x15” pati sukses, vizitorët ishin të shumtë, televizionet e mediat shqiptare e kosovare e përcollën me komente tepër pozitive, e për ma shumë kjo ekzpozitë ka fatin me rrugtue në Itali, në Asti e kjo asht shenjë fort ogurmirë për ne.

 

7. Si ndjehet fotografia e krijuar nga një grua përballë asaj të krijuar nga një burrë?

 

Unë nuk di me pa dallime gjinore në art. Mendoj se arti s’ka gjini, s’ka moshë, s’ka korniza, s’ka rregulla... Fotografia asht thjesht nji ndjesi shpirti e shpirti asht i lirë.

 

8. Cila ështe ëndrra juaj e mbetur akoma në sirtar?

 

Hemmm ... (andërr që ka lidhje me fotografinë, apo jo?) Nuk di. Veç me artin nuk bahen plane, nuk bahen parashikime, nuk ka caqe ku don me arritë në këtë vit apo në këtë moshë. Nëse vërtet dikush kishte me ma dhurue nji shkop magjik e unë kisha me shprehë nji dëshirë, ajo kishte me kenë: Kur të shohin fotografinë teme, edhe nëse nuk e ka të shenuar autorësinë, njerzit me thanë: “Kjo fotografi asht e Rozafës”.