Intervistë me fotografin Fahredin Spahija

Intervistoi: Sabina Darova

Sabina Darova

Sabina Darova

Këto  ditë në qytetin e Astit në verilindje te Piemontit ( Itali), u prezantuan me ekspoziten e tyre  "2x15"  dy fotografë shqipëtare:  Rozafa Shpuza nga Tirana dhe Fahredin Spahija nga Prishtina. Fotografet sollen punimet e tyre ne bardhe e zi ne nje perballje midis fotografise klasike dhe asaj eksperimentale. Shpuza me " Gjurmet" , fotografia klasike dhe Spahija me "Kohë e akullt", ajo eksperimentale

Nga e majta në të djathtë: Shpuza, Darova, Spahija.

Nga e majta në të djathtë: Shpuza, Darova, Spahija.

Ekspozita qendroi e hapur per nje jave dhe terhoqi vemendjen e publikut  italian dhe shqipëtar të cilët e pritën me shumë dashamirësi. Mbas inagurimit te ekspozites           " albmendimi&arts"  mori dy  intervista me shumë interes për publikun dhe artëdashësit e artit të fotografisë 

Intervista me profesorin e fotografise prane Universitetit te Arteve ne Prishtine, Fahredin Spahija

Kur dhe si ka ardhur fotografia tek ju?

Mendoj që si imazh, fotografia m’ka ba për vete qysh kur isha 10-11 vjeç. Atëherë shfletoja tinëz revistat e dy vëllëzërve të mi që ishin me moshë 5-6 vjet më të mëdhenj se unë dhe kënaqesha me imazhet që shihja nga faqja në faqe të magazinave për të rinjë, për muzikë e film. Me kohën fillova të identifikoj të përzgjedhurit e mi artistik në mesin e tyre siç ishte Bekim Fehmiu dhe Marlon Brando, dhe fotografite e tyre, pasi i preja me gërshërë i ngjisja në një pjesë të murit të dhomës ku bëja gjumin… Shumë vite ma vonë pasi përfundova studimet e Artit në Prishtinë unë vendosa ti rikthej lidhjet me fotografinë duke e bërë atë  profesionin tim të pare.

Ju punoni shumë mbi impresionin. Mendoni që kjo gjuhë është më tepër bashkëkohore? Është më e përshtatëshme për të treguar  botën sot?

Të punosh mbi impresionin do të thotë të udhëhiqesh nga ndjesitë e tua dhe kjo gjë, çdo herë, rezulton me sukses kur tentojmë me kriju art. Gjuha personale e artistit e ndjekur nga ndjesitë e tij gjithmonë mbetet bashkëkohore dhe e njejta i siguron artit të tij, jetëgjatësi. Shmangia nga kjo gjuhë artistin e hudh në ujërat e imitimit dhe kjo aventurë zakonisht, përfundon me fatalitet…

Njeriu, vendi dhe koha ...këto janë linjat drejtuese të artit bashkëkohor ?

Nëse i referoheni artit tim fotografik, them se po. Me artin fotografik kam fillu të merrem në moshë të pjekur dhe i vetëdijshëm për shumë probleme artistike.  por edhe për rrugën që doja me e ba në këtë medium. Prej fillimit jam përcaktu për njeriun si epiqendër të interest tim fotografik duke vu theks të veçantë në dy temat më komplekse fotografike, portretin dhe nudon.

Nëse  ekziston, kush e shënon kufirin midis fotografisë amatoriale dhe asaj profesionale

Per mua, ndarja e fotografëve apo fotografive në amator(e)ë dhe profesional(e)ë nuk ekziston fare dhe këtë gjë mundohem me ua shpjegu edhe studentëve të mi, të cilët jo rrallë kompleksohen nga kjo ndarje jo ekzistuese!

Në fakt këtë ndarje e kanë imponu ata që kanë teknologji fotografike të avancuar dhe nuk arrijnë me ba asnjëhere një fotografi të mire, për ta mbuluar pazotësinë e tyre në artin fotografik. Në botë ekziston vetëm një ndarje e cila i dallon ata që bëjnë fotografi krative (artistike) dhe ata që nuk arrijnë me i ba të tilla! Teknologjia me të cilën realizohet fotografia artistike, asnjëherë nuk është vendimtarja për rezultatin e arritur. Natyrisht, do të tingëlloja shumë idiot nëse nuk do të thoja se, është mire me pasë teknologji të avancuar  (një aparat fotografik të rangut të lartë dhe lente shumë të avancuara) por ai që e përdorë këtë teknologji nuk duhet të mashtrohet se ajo ka me i sjellë domosdosmërisht, një fotografi të arritur artistikisht.

Përse kjo ekspozitë e përbashkët me Rozafa Shpuzën? Çfare ju bashkon apo ju ndan në perceptimin e fotografisë?

E para, sepse Rozafa është një nga përfaqësueset e denja të fotografisë shkodrane dhe shqiptare që bahet sot, e pastaj sepse na lidhë një miqësi e kahershme e cila u krijua pikërisht shkaku i fotografisë. Na bashkon njeriu dhe fati i tij te cilin e trajtojmë që të dy, me shumë ngulm pastaj, na bashkon dhe teknika bardh e zi. Na ndanë mënyra se si e trajtojme fotografinë qoftë si koncept por edhe si teknikë në aspektin e hulumtimit. Qellimi i ynë ishte që ekspozita të rezultonte si një tanësi me dy botë , dhe dy botë të ndryshme të cilat qëndrojnë përballë njëra tjetrës duke nxjerrë në pah kontrastin si metaforë, i cili është njëri nga elementet kryesore të kompozicionit fotografik.

Të flasim mbi fotografinë eksperimentale: kush ju terheq: pelikola, proçesi i stampimit? Ju terheq proçesi i trasformimit kimik?

Ju me bëni pyetje për një teknologji me ndihmën e së cilës fotografia krijoi historinë dhe zhvillimin e saj të jashtëzakonshëm për më shumë se 150 vjet. Nuk ka artist të fotografisë, i cili nëse, qoftë edhe një herë e ka provuar “camera obscura” dhe zhvillimin e shiritit të celuloidit dhe të letrës fotografike në kemikaliet e nevojshme, që nuk ndjenë nostalgji për teknologjinë analoge të fotografimit. Pra, edhe unë mund të konsiderohem në një fare mënyre nostaligjik i asaj teknologjie jo terësisht të perënduar, sado që jam shumë i matur në këtë aspekt.
Fundja edhe teknologjia e re, ajo digjitale është rezultat i zhvillimit enorm të teknologjisë analoge dhe duhet ti falënderohemi vetëm asaj për mundësitë e reja që na ofrohen sot për të realizuar sa më korrekt një fotografi me aparatin që kemi. 

Eksperimenti yt, "kohë e akullt " lind  si një vepër me një estetikë shumë të fortë. Ju intereson e bukura? Kur kërkon bukurinë,  rrezikon të vendosesh në plan të dytë "përmbajtjen" ? Si e eviton këtë rrezik?

Eksperimenti apo hulumtimi im në artin tim fotografik ka filluar qysh në hapërimet e mia të para në këtë medium. Në vitin 1993 kur sapo kisha ble një kompjuter dhe një skaner, akoma pa e blerë aparatin tim të pare digjital (1995) une eksperimentoja me skaner duke krijuar imazhet e para digjitale permes tij. Një nga autoportretet e mia mëdomethënëse është krijuar me atë proces, pra duke e skanuar portretin tim drejteperdrejte me skaner… Pastaj, pasi u bëra me aparat digjital krahas fotografimit te “zakonshëm” unë eksperimentoja me imazhet e nxjerra prej tij. Si rezultat i këtij eksperimentimi ishte ekspozita ime personale e vitit 2003 në Prishtinë dhe ajo e vitit 2004 në Tiranë. Eksperimentimi i fundit me akull, është kapitull i ri në artin tim fotografik që, në njëfar mënyre, shënon pjekurinë apo maturimin tim fotografik. Përpiqem që me bukurinë si kategori estetike mos të merrem shkëputur prej anës përmbajtësore duke i trajtu vetëm si tanësi krahas trajtimit të materialit (akullit) i cili më jep mundësi të shkëlqyeshme që ta krijoj atmosferën kompozicionale e cila për mua përfaqëson ajkën e artit fotografik. Pëvrvoja artistike e krijuar fillimisht në studimet për artin e pastaj edhe gjatë krijimtarisë më jep siguri të mjaftueshme që të evitoj “rreziqet” eventuale që mund të dëmtojnë artin tim fotografik, veçmas gjatë trajtimit të temave delicate janë nudot.

Nudoja femërore dhe ajo mashkullore, në çfare raporti janë? Vazhdojnë te mbeten tabu?

Me që në botë ka më shumë artistë pamore meshkuj më shumë, kujtoj se nudoja femërore trajtohet më shumë se ajo mashkullore edhepse për nga atraksioni që të dyja janë shumë interesante. Nuk mendoj se nudo është temë tabu as në botë dhe as tek shqiptarët përveç se në vendet ku dogma religjioze bën ligjin. Tek shqiptarët tabuja rreth nudos ka pushu qysh në vitin 1878 kur Pjetër Marubi fotografoi një malësore me cica të zbuluara dhe kështu i çliroi shqiptarët nga kjo ndalesë e padrejtë. Natyrisht, ndër shqiptarët ka akoma paragjykime si për artistët që trajtojnë nudon, poashtu edhe për meshkujt dhe femrat që marrin guximin me pozu lakuriq për çështje arti para një artsiti të fotografisë.

Një tjeter rrezik i eksperimentuesve është ushtrimi i stilit. Në cilin moment ushtrimi i stilit  hyn të marri pjesë në rrugën artistike të autorit?

Mendoj se stili apo identiteti artistik krijohet paverejtshem nga autori gjate rrugetimit te tij krijues. Ai vjen si rezultat i punës se përkushtuar por në radhë të parë si rezultat i origjinalitetit në temat e trajtuara që më pastaj mund të përmbyllet edhe me gjetje origjinale të teknikave me të cilat realizon artisti, artin e vet.

Arti fotografik në Shqipëri ..arti  fotografik në Kosovë... Në çfarë raporti ndodhen? Ekziston predominimi?

Artin fotografik që realizohet në Kosovë, Shqipëri por edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe në Luginë të Preshevës (Serbi) unë e shof si një skenë unike. Mendoj se niveli i artit fotografik që realizohet sot nga shqiptarët kudo që ata jetojnë, është I barasvlefshëm me artin fotografik botërorë dhe s’ka se si të jet ndryshe duke marr parasysh trashëgiminë tone fotografike që daton qysh nga viti 1856 kur italiani Pietro Marubbi hapi në Shkodër studion e pare në hapësirat ballkanike!

Si dhe sa ndikon teknologjia, përsosja e aparaturave në zhvillimin e artit të fotografisë ?

Teknologjia digjitale i ka dhënë një shtytje të jashtëzakonshme zhvillimit të fotografisë në përgjithësi dhe artit fotografik në veçanti!Mundësia që, pothuaj, çdo i dyti banor i Tokës të ketë një celular android në dorë ka ba që gjatë ditës të realizohen me miliarda fotografi dhe mjafton nëse nga kjo shumësi të dalin si fotografi tëarritura artistikish vetëm 0.5 përqind që i përkthyer në numra mund tëdal një shifër prej 35.000 deri në 70.000 fotografi në ditë!