Intervistë me poetin Fatmir Gjata... (intervistoi Sabina Darova).

"Poezia ime i ngjan muzikes dhe valles myzeqare"- interviste me poetin  Fatmir Gjata.

 

Dy javë më marë në Tiranë u organizua Panairi i Librit 2016. Ndër shkrimtarët e shumtë që u paraqitën  mori pjesë si i ftuar dhe poeti Fatmir Gjata i cili i  përket letërsisë së Diasporës, e konkretisht jeton dhe punon në rajonin e Piemontit në Itali. Ky poet bashkëpunon me një nga shtëpitë botuese më prestigjoze që ndodhen në Shqipëri e pikërisht me " Toenën". Mbas kthimit në Asti nga kjo eksperiencë, për revistën "Albmendimi&arts " i morëm këtë intervistë.

- " Shi margaritarësh " , është libri juaj i fundit me të cilin u përfaqësuat në Panairin e Librit këtë nëntor të 2016. A mundet të na tregoni si u prit ky vëllim nga lexuesit dhe  cili ishte opinioni i kritikës për të ?

Libri i fundit është gjithmonë si fëmija i sapolindur, mbahet në krahë e përkëdhelet  më shumë se të lindurit para tij. Prisja të kishte sukses, e dëshiroja dhe më vjen mirë që dëshira mu plotësua, libri u prit jashtzakonisht mirë, si nga lexuesi ashtu edhe nga kritika. Ndonjëherë nuk mjafton puna e madhe që bëj  për ta shkruar,  por duhet që edhe zoti lart të të qëndrojë pranë , sidomos në fushën e poezisë. Më vjen mirë që e ndieva dorën  e tij të mbështetur  mbi kokën time.

Fatmir Gjata (Pamje nga panairi i librit "Tirana 2016")

Fatmir Gjata (Pamje nga panairi i librit "Tirana 2016")

Nëse do vendosnim përpara një hartë, cilat vende do gjenim të përshkruara në librin tuaj, dhe përse?

Ēshtë Shqipëria padyshim, Myzeqeja kryesisht. Unë vij prej andej, jam prej aty, jam aty edhe pse nuk ndodhem fizikisht. Janë disa faktorë gjenetikë që të bëjnë të ndryshëm nga tw tjerët, të plazmojnë  që fëmijë , dhe nuk mund ti shmangësh dot në asnjë mënyrë. Kam lindur e jam Myzeqar, i butë  edhe kokëfortë. Në guzhinë thuhet që përzierja e kripës me sheqerin është themelore, një myzeqar është kështu,  ka përzjerjen  e duhur.

Si shumë poetë, me vargjet tuaja i këndoni dashurisë. Është lajtmotivi i poezive tuaja. Çfarë përfaqëson ajo për ju?

Ështe ajo për ç'ka nevojë çdokush prej nesh, e kërkon me ngulm, është ajo për të cilën njerëzit plagosen, vriten, jetojnë madhërishëm,  shkojnë në qiell.. Është ajo që të hap portat e parajsës dhe të ferrit njëkohësisht.  Nuk ka tjetër ndjenjë njerëzore që ta bëjë këtë gjë në një hark kohor të shkurtër.  Nëse do isha filozof , do mundohesha të kuptoja mekanizmin që e rregullon, edhe nëse e gjeja do mund të komandoja gjithcka, por unë jam vetëm një poet dhe mundohem ta përshkruaj.

- Në një intervistë që keni dhënë për  " Albania News", nënvizoni domosdoshmërinë e njohjes së shumë gjinive të artit  për të qënë një poet.Dmth, gjuhët e artit gërshetohen mes tyre.  Po t'ju vinin përpara disa tabllo të piktorëve  të rrymave të ndryshme, cilin piktor do kishit zgjedhur për të përfaqesuar poezinë tuaj?

Jo vetëm për të qënë poet duhet të njohësh dhe kuptosh shumë gjuhë të artit, por edhe një piktor duhet të njohë poezinë, muzikën. Artet janë të ndërsjellta dhe të lidhura midis tyre në mënyrë të pazgjidhëshme. Nëse do zgjidhja një piktor që pikturon sic shkruaj unë do të zgjidhja Gutuso, por edhe një piktor shqiptar, Agim Muka.Tek ta përcjellja e mesazhit qëndron e fshehur mrekullisht ndër penelata si tek poezia ime, ku përcjellja e tij fshihet mes fjalësh.

Vini nga fusha e Myzeqesë ku kultivohet pambuku, jetoni në një kështjellë mesjetare piemonteze ku prodhohet Barbera d'Asti. Çfarë roli kanë luajtur këto dy vende në pjekurinë tuaj si artist? 

Janë dy vende krejtësisht të kundërta midis tyre, njëra fushë e pafund, tjetra kodra të valëzuara  deri në male të larta. Po ashtu, edhe nga ana psikologjike janë krejt të ndryshme. Ka dicka që lëviz  në ajër mbretëror tek  piemontezët,  diçka fisnike. Një mënyrë sjelljeje dhe mendimi krejt të ndryshme nga ajo e vendit tim. Ti kesh këto dy vende brënda teje, ndihmon jashtëzakonisht në njohjen e mjedisit tokësor dhe shpirtëror që na rrethon. E kam përsëritur edhe herë tjetër që  isha me fat që u ndodha në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Poezia i përket vetëvetes, i përket lexuesit...? Kush e zë vendin e parë?

Sinqerisht nuk e di nëse poezia më përket mua apo lexuesit , sepse ndërthurren  të dyja në mënyrë të pazgjidhëshme, natyrisht në fillimet e çdokujt,  poezia i përket vetëvetes, por sa më shumë nginjet poeti , aq më shumë ka nevojë të japë. Është si dashuria...dashuria e vërtetë eshtë ajo që jep, jo ajo që merr.

Bie një gërrnetë, bie... Poezi që më tërhoqi vëmëndjen. Përmëndni disa instrumentë, si gërrneta, defi, llahuta, violina e fizarmonikën. Cili instrument  mund ti afrohet më shumë vargut tuaj? 

Të gjitha bashkë,  poezinë  e ndëtoj mbi muzikalitetin dhe ritmiin e caktuar. Nuk bëhet  muzikë e mrekullueshme nëse të gjithë instrumentet nuk bien në të njëjtën kohë. Poezia ime ka dicka që i ngjan muzikës që këndohej nëpër dasmat myzeqare, ka hovin e saj, butësinë, marramëndjen e saj. më pëlqen që fjalët të hedhin valle, të përdridhen si trupat e vajzave të djersitura që kërcejnë këmbëzbathura; kjo ështe poezia ime. Kjo është ajo ndjesi që kërkoj  të përcjell , dhe nëse ja kam arritur, është falë vendit  të lindjes që mi ka ushqyer që fëmijë.

kur shkruani dhe kur keni filluar të shkruani? Cila ka qënë nevoja juaj që ti komunikonit lexuesit? 

Zakonisht shkruaj natën, kur bien të gjithë të flenë, atëherë hap kompiuterin, e vendos mbi gjunjë , vendos muzikë,  zakonisht violinëapo violinçel ( më tërheqin harqet) dhe  piano. Më ndihmon për të fluturuar diku. Duket sikur tingujt të marin për dore e të cojnë diku, në një vend të cilin se ke parë kurrë. Se mendoj kurrë poezinë më parë, vjen më momwnt, ose kam pasur një fjalë në kokë gjithë ditën.   Një fjalë ose një varg të vetëm. Lexuesit dua ti komunikoj dashuri, shpresë, mall , të gjitha ndjenja pozitive. Jam i ndërgjegjshëm që lexuesi është i mbushur deri në grykë me probleme që i serviren në çdo çast nga e përditëshmja dhe mjetet e informacionit.  Më pëlqen idea që të dizinfektohet me poezinë time.

 

Sot shkruhet shumë poezi dhe përdoret vargunimlirë. Tek ju gjendet vargu i përpunuar, ai i numëruari në rrokjedhe me rimat klasike: AA- BB apo ajo A-A. Deshmi e një pune këmbëngulëse dhe të kujdesëshme. Cili ështe gjykimi juaj mbi këto dy  forma?

Unë shkruaj me rimënsepse mendoj që poezia është këngë, fjala këndohet. .Më kujtonte një shoku im poet ca kohë më parë, që pleqtë nuk thoshin lexoje, por këndoje . Fjala lexim ka dalë më vonë dhe ka një tingull që nuk na përket. Fjala këndohet.Poezia këndohet., Nuk shkruaj poezi/edhe kjo fjalë e huaj(...unë shkruaj këngë.  Dikur për të dëshmuar aftësitë, shkruajta të njwjtën poezi në 7 stile të ndryshme ; 2 prej të cilave origjinale të miat , dhe ja vura lexuesit pwrpara duke i pyetur : - Cili  ju pëlqen ?

Përgjigjja ishte e njëjta për të gjithë. .2 stilet e mia. Një veçanti tjetër e vargut tim, ështe perdorimi i tre rrokëshit. Lexuesi kërkon origjinalitet. Mund të shkruash si Esenini,  por nuk je Esenin, si Agolli pa qënë Agolli. Jam i kënaqur që kam krijuar një stil që askush  nga poetët paraardhës nuk e ka pasur. Mendoj që kjo  krijon vlerën e diferencuar  të poezisë sime.

Ju shkruani në gjuhën shqipe edhe pse ndodheni prej 23 vitesh në Itali. Ndoshta poezia e shkruar mirë , shkruhet vetëm në gjuhën e mëmës?

Nuk mund të jetë ndryshe, vetëm gjuha e nënës të del nga gjiri. Poezia nuk shkruhet vetëm me mëndje,  do të ishte vetëm teknikë. Duhet të dali nga zemra, nga goja, nga sytë, të gjitha shqisat përdoren kur shkruan , dhe këto janë zhvilluar  në muajt e vitet e para të jetës me qumështin e nënës.

Poeti ka atdhe të përcaktuar?

Po, ka atdhe. Për mendimin tim gabon kush mendon që artisti nuk ka atdhe. Jua shpjegova edhe më parë arësyen.  Cfarë ke mësuar në vitet e para të jetës, është baza e gjithckaje të mëvonëshme,  çdo gjë kalon në rrjetin  e atij mendimi të krijuar e të përforcuar  në ato vite.

- Mbani ment cilën poezi tuajën keni zgjedhur për herë të parë,  për tja lexuar vajzës suaj?

Edhe vajza ime merret me art. Dizenjon në mënyrë dixhitale. Po ashtu dhe bashkëshortja pikturon mbi qeramikë. Ambjenti në të cilin jetojmë është i nginjur me art dhe herë pas here lexojmë e debatojmë mbi artin në përgjithësi. Vajza më lexon, por nuk është pronuncuar nëse i pëlqen poezia që shkruaj apo jo. Jam i bindur se nëse nuk do ti pëlqente do ta shprehte menjëherë. Është e kursyer në lëvdata dhe e ashpër në kritike( mosha e re, kuptohet). Fakti që deri tani kam shpëtuar pa u kritikuar është pozitiv. 

-Keni publikuar disa libra, mundt të përmëndim: Mjelma nën dritën e hënës, Tiranë 2013; Engjëjt e shuar, Botimet Male 2014; Valsi i tretë , Shtepia botuese Muzgu 2014; Mbi kuaj ëndrrash , Shtepia botuese  Toena  2015 dhe së fundi  po me Toena, librin Shi margaritarësh për 2016. Cilat janë planet për të ardhmen? Çfare përpunohet në kantjer? 

Një tjetër  libër me poezi që është në  fazën e botimit pranë shtwpisë botuese Toena, një nga më prestigjozet në Shqipëri, tashmë shtëpia ime botuese. Pastaj, një tjetër libër  në gjuhën italiane, atdheut tim të dytë.

Falenderojmë zotin Gjata për këtë bashkëbisedim, ku mundëm të hapim një dritare ndoshta më konfidenciale mbi jetën artistike të tij. Urojmë që krijimtaria ti kullojë nektarin e ëmbel poetik, për të zënë vend në bibliotekat e lexuesit që e admirojnë në shumë kënde të mëmëdheut dhe në botë.