Kafe-turke virtuale me Lindita Ottarson.

Intervistoi per albmendimiarts.com: Sabina Darova

 

Sabina Darova

Sabina Darova

" Albmendimiarts.com", revistë që i dedikohet  artit dhe kulturës i ka caktuar si objektiv vehtes të bëjë të njohur artistet shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Nje nga këta është dhe Lindita Ottarson, e cila është një figurë polivalente.

Ndërsa bashkebisedonim së bashku  via internet, me imagjinatën tonë,  u ulëm rreth sofrës së gdhendur mbi velenxat e muzeut etnografik të Beratit. Na shërbyen nga një kafe turke në filxhana bakri si dikur...

Ndersa kthenim gllenjkat e nxehta të kafesë biseda merr rrjedhë:

Kush është Lindita Ottarson?

 

Lindita Ottarson

Lindita Ottarson

L.O. - Po i pergjigjem ne veten e trete: Lindita Ottarson eshte nje vajze nga Berati qe jeta e dergoi ne Islande e me pas ne Norvegji. Pothuajse prej 24 vitesh larguar nga Shqiperia.

-Cila ishte në Berat dhe cila është tani Lindita  ne Drammen Norway? 

- Në Berat isha një vajzë me mbiemrin Keli apo Lida siç më thërrisnin familja dhe miqtë e afërt. Kam frekuentuar për 8-vjet shkollën e muzikës, për piano. Më pas gjimnazin "Babë Dudë Karbunara". Studimet e larta i kryeva në Fakultetin e Filologjisë, dega gjuhë-letërsi. Për tre vjet ushtrova profesionin e mesueses, dhe tre vjet më pas si sekretare në Komitetin e Rinisë në Berat.

Në Norvegji jam Ottarson, jam mësuese muzike pranë një kopështi për fëmijë dhe freelance soprano. Nënë e tre vajzave të lindura në Reykjavik dhe të rritura në Islandë dhe Norvegji.

Ç'rol luan arti tek ty, dhe cila formë ka më prioritet : muzika, fotografia, proza?

L.O. Pak e vështirë ti përgjigjem. Për mua arti nuk luan rol, është gjendje shpirtërore e përditëshme. Ja, si kjo kafja turke që po pijmë.

Muzikën e kam takuar herët në jetën time, kur fillova të mësoj gërmat e gjuhës shqipe, njëkohësisht mësova dhe notat muzikore.  Kur ju kthehem mbrapa ndër vite kujtimeve, aty ku jam ndjerë keq, aty më ka munguar muzika. Nuk bëhet fjalë për dëgjim, por për ta luajtur nëpër gishta.

Fotografia më është bërë pasion këto katër vitet e fundit. E shikoj botën ndryshe. Ia përjetoj të bukurën edhe aty ku nuk vërehet. Ky pasion nuk ka lindur papritur. " Faji"  i bashkëshortit. Duke më marrë mendim për fotot që shkrepte, mësova disa rregulla mbi fotografinë. Një dite, takoj një vajzë të re që kisha kohë pa e parë. Të ndjek ne instagram me thotë. Jetojmë të dyja ne Drammen, por nuk e shoh ashtu siç e shoh ndër fotot e tua. Edhe mua mu desh kohë ta "shoh"  i përgjigjem.

Përsa i përket prozës, më pëlqen të tregoj dhe për këtë më është dashur të shkruaj. Ndjehem mirë kur shprehem në shqip. Habitem se sa shume gjëra kam brenda vetes qe se dija që i kisha. Sejcila formë e artit ka vendin e saj tek unë. Nëse muzika do kohë dhe përkushtim , fotografia do më pak se një minutë. Rrëfimet jo më shumë se gjysëm ore.

Merr pjesë shpesh herë si soliste soprano në koncerte të ndryshme që organizohen në qytetin ku jeton? A mundet të citoni ndonjë, dhe të na tregoni emocionet që provoni? Çfare kërkoni ti transmetoni publikut?

L.O. Kur u shpërngula në Islandë studjova për shumë vite në një shkollë muzike për kanto. Akoma pa u diplomuar, më ofruan të këndoj në Opera Studio Austurlands. Interpretova rolin e konteshës Almaviva nga " Le nozze di Figaro"!dhe Despinën në " Cosí fan tutte". Dukej se,opera dhe ariet ishin qellimi im ndër ato vite. Më pas më tërhoqën romancat apo kenga në kohën baroke deri tek e sotmja. Nga muzika e shenjtë tek kënga e përpunuar popullore. Me shpërnguljen e familjes në Drammen të Norvegjisë kam kënduar në opereta të vëna nga grupe të pavarura artistësh  si amatorë ashtu dhe profesionistë.  Më pëlqen të sjell këngën klasike aty ku nuk pritet të këndohet. Opera e ka vendin tek njerëzit. Një mikja ime më fton për të kënduar ne ceremoninë e dasmës së mbesës së saj. Salla nuk ishte e zakoneshme, i përkiste Masonëve të qytetit. Mikja më thotë që do këndoja me drita të mbyllura. Çiftit ju ish thënë që i priste një surprizë. Po ashtu dhe dasmorëve. Britt, mikesha, më shpjegon që nëse nuk dëgjohej zhurmë, të mos shqetësohesha se midis dasmorëve ndodhej një i sëmurë psiqik dhe një i moshuar me sëmundje zemre. Dritatvfiken dhe unë këndoj dy arie dhe një romancë. Nuk shihja asgje, ndjeja vetëm organet e mia te brendëshme që krijonin tinguj. Në ato momente isha pa trup. Vetëm zë dhe ndjenjë. Asnjë pipëtimë. Më vonë më afrohet Britt , e cila nuk fliste dot nga përlotjet.

-Cilat kanë qënë vështirësitë tuaja për tu integruar në një vend të huaj dhe klimaterik të ftohtë? 

L.0. - Të vije nga Shqipëria në një vend verior si Islanda ishte çmenduri. Nga një klimë e bekuar në një vend kur vera nuk shkon më shumë se 20gradë C. Një vit nuk dija si të vishesha. Islanda ka vetëm dy stinë, dimërin dhe pranverën. Ishte një vend aq interesant dhe unë kaq e etur për të mësuar gjithçka sa nuk u mora shumë me kohën. Nuk e kam përmendur më lart, por im shoq është islandez prandaj shkova kaq larg. Më duket vetja e bekuar të kem jetuar në atë vend me njerëz të mirë dhe punëtorë. Çtë them, unë ndjehem pak islandeze. Vajzat lindën aty dhe në familje flasim islandisht.

Ju keni edhe një rubrikën tuaj: Rrefimet e Linditës. Përse rrëfeheni? 

L.O. -Për shumë kohë i humba lidhjet me Shqipërinë dhe gjuhën. Atë shqipe që e përdorja ishte shumë e kufizuar dhe nuk përmbushte nevojat e mia kulturore dhe ato shoqërore. Islandishtja zuri vendin e parë dhe më duhej ta përvetësoja për shkak të shkollës, punës, kominikimit me familjen e re. Fillova të shkruaj pasi u lidha me një grup shqiptarësh të talentuar në facebook. Rrëfimet kanë qënë brenda meje, por prisnin kohën e duhur për të parë dritën. Prisnin shtysën nga shqiptarët e mirë që ma donin të mirën. Mund të them shumë arsye pse shkruaj rrëfime. Unë mendoj se çdo njeri duhet të tregojë dhe jo më pak ne shqiptarët. Fëmijëria ime nuk është më pak e bukur dhe e lirë se e një islandezi apo norvegjezi. Mua më tërheqin njerëzit e thjeshtë ata që nuk e ngrejnë zërin për të treguar se sa dinë, apo kanë, apo bëjnë. Megalomanët janë njerëzit që nuk i dua fare. Kur shkruaj, futem në një botë që është vetëm e imja dhe aty lahem apo “ rrëfehem”. Një foto e bukur, nje rrëfim që ia vlen, një këngë, më fusin në gjendje ekzaltimi. Më këputet një copë fryme nga vetja.

Çfarë raporti ka gjuha mëmë me gjuhën e vendit ku jeton? Cila merr prioritet në fushen e artit për ju?

L.O. -Unë e flas pak gjuhën shqipe në Drammen. Kominikimi kryesor është facebook- u dhe bisedat telefonike. Kam krijuar miqësi me shqiptare që banojnë në Oslo dhe Drammen.  dhe lidhja me to është reale jo virtuale. Miqtë e mi nuk janë vetëm shqiptarë. Unë i dua si shqiptarët, ilsandezët, norvegjezët, apo miq me kombësi të tjera. Të them të drjetën nuk e shoh veten të huaj këtu. As në Islandë. Nëse kam ndeshur në paragjykime apo pengesa kanë qënë aq të vogla sa nuk ia vlen të mbahen mend. Mund të them se jam unë vetë ajo që pengoj veten duke mos pasur besimin e duhur ndaj vetes. Dita ime ndahet në tre gjuhë: norvegjisht kur bëhet fjala për mirërritjen e fëmijëve në punë dhe komunikimin me koleget; islandisht, gjuha e burrit dhe e fëmijëve;  shqip, gjuha ime. 

 

- Ç'rol ka luajtur familja në atdheun e parë dhe familja që ke krijuar në atdheun e dytë? 

L.O. - Mund të them se unë jam kjo që jam sot , për shkak të atdheut tim të parë. Muzika, format e arkitekturës, ngjyrat e Beratit, tregimet e babait, lanë mbresë tek unë në mënyrë të pavetëdijshme. Unë tjerr fijet e këtij vendi që sa vijnë dhe bëhen të padukshme këtu në veri të Evropës

 

- Një difekt i Linditës?

L.O. - Një difekti im. Jo një, por shumë. Mjafton të jetoje një ditë me mua dhe ke për ti parë. Po përmend një: Fal kollaj, por nuk harroj dot. Jam e nxituar dhe nuk i mendoj gjërat deri në fund. E thashë.

 

- Ndodhen akoma ëndrra në sirtarin tënd të deshirave, për të gjetur një formë te re komunikimi në art? 

L.O. -Lindita e ka një ëndërr. Një inçizim me këngë popullore, ato më të bukurat. Aty ajo del jashtë zonës së komfortit. Tek ajo këngë e thjeshtë, ndjehet lakuriq përpara botës.

 

- Nje bashkebisedim i ngrohtë ku koha kalon pa kuptuar dhe muzgu shpalos bukurinë e tij tërheqes. Lindita kërkon ndjesë, sepse vëmëndjen ja tërheq një element i ri . Kërkon  ta ndalojë në shkrepjen e aparatit fotografik. 

Ndahemi me mirënjohje duke e falenderuar përzemersisht,  dhe duke uruar për publikimin e një CD me muzikën e saj popullore.