Intervistë me piktoren Alketa Delishaj

Intervistoi për albmendimiarts.com Sabina Darova

Revista Albmendimiarts.com vazhdon punën e saj në zbuliimin e artistëve shqiptare që jetojnë në diasporë. Këtë radhë po sjellim nje tjetër zë femëror në fushën e arteve pamore.

Alketa Delishaj, është artiste e artit bashkëkohor me origjinë nga Shkodra, por jeton në qytetin e Veronës në Itali. Përveç ekspozitave të njëpasnjëshme që hap në Itali. ajo bashkëpunon edhe me galeri të huaja si në Gjermani. Londër, New York, Hollandë, Turqi. po ashtu edhe në trevat shqipëtare, në Kosovë.

Alketën pata mundësi ta njoh  në studjon e saj të punës në Mantova, nga ku munda ti shkëpus dhe një intervistë të shkurtër të cilën menduam ta sjellim për lexuesin.

- Kur ke filluar të pikturosh? Cilat janë eksperiencate tua të parat?

Besoj se kam filluar të pikturoj që në moshën pesë- vjeçare. Ndërsa si eksperienca të para si artiste e konfirmuar,  fillojnë që nga viti 2006 në Verona, qyteti në të cilin jetoj prej vitit 2001.

- Ka një lëvizje apo një artist në veçanti të cilin e do më shumë, apo e ke dashur më tepër?

David Hockney është artisti që më ka inspiruar më shumë kohët e fundit, mënyra se si ai, e rinterpreton të njëjtën pikturë disa herë, psh: " A bigger Splash" nje nga pikturat e tij gati perfekte 

- Çfarë janë për ty bukuria dhe pushteti në art?

Shpesh punimet e mia janë kosideruar si përralloreJanë atmosfera enigmatike dhe flasin me nje gjuhe onirike dhe simbolizuese të futura në pejsazhe imagjinare. Kjo eshtë bukuria e saj, të zotërosh diçka të çmuar siç është piktura. Kjo është të kesh pushtet në art për mua.

- Veprat e tua janë pjesë e një rruge që lidhen njëra me tjetrën apo janë intuicione të pavarura?

Shpesh kanë patur lidhje me njëra-tjetrën deri në momentet ku unë kam marrë vetëdije në  veprën që po krijoja. Ndodhte shpesh të lidhja pikturën me të kaluarën time, me momentet e veçanta të përjetuara dhe instiktivisht krijoja diçka, që më kujtonte fëmijërinë apo shtëpinë. Tani ndodh e kundërta: çdo pikturë ka një projekt të pjekur dhe të studjuar edhe pse shpesh, impulsi për diçka të re, lind nga një ngjarje apo event i përcaktuar.

- Mbi cilin princip optik bazohesh si stil? Si marrin formë subjektet e veprave ?

Jam diku nga arti konceptual dhe bashkëkohor. Forma lind nga një ide e caktuar, nuk është thjesht një telajo dhe ngjyra sipër, por në sejcilën pikturë përcillet një mesazh. Kujtoj në këtë moment një vepër që kam krijuar: " Keep calm and stop violence", e cila është shumë e fortë si imazh, por pasqyron pikërisht, ditët që po jetojmë. Shoqërohet me një tekst i cili përmbyll  me ç'ka po ndodh,  jemi përgjegjës të gjithë ne. Gjendet e plotë në websit : www.artalketa com

Cilat janë materialet bashkëkohore?

Sa më shumë të kesh, aq më tepër vendos në artin bashkëkohor. Materialet janë të pafund, psh shiritat e videokasetave, kashte , materiale mbeturinash të hedhura, etj.

- Siç e përmëndët më sipër, arti yt është konceptual. Piktura dhe fotografia. Dy forma shprehëse sot në konkurrencë; ekziston sot një raport akoma i paqartë midis tyre?

Dikur kush përdorte makinën fotografike quhej fotograf dhe kaq. Sot të përdorësh fotografinë quhesh artist. Unë i përdor të dyja bashkë. Së bashku kompletohen, është sikur të jetë ajo gjysma tjetër e jotja, e ke parasysh? Si dy të dashuruar edhe pse fjala " dashuruar" ngjan adoleshenciale.

- Si ka ardhur dhe nëse ka ardhur tek ty dialogu artistik në kërkim dhe në zbulim të hapësirave për tu shprehur midis të kaluarës, Shqipërisë dhe të sotmes. italisë?

" Site specifik", ja si është arti im tani. Shqipëria dhe e sotmja Italia? Ekziston vetëm një raport individual tek une. Pata fatin të njoh dy kultura dhe raporti midis tyre, është më shumë pasuri kulturore brënda asaj që jam dhe jap.

- Cilat janë raportet me pikturën e kolegëve shqipëtarë? 

Mundet të përgjigjem gati në zero raportet me kolegët shqipëtarë, me përjashtim të dy-tre kolegëve nga Kosova, dhe një artisti të ri shkodran nga akademia e arteve të Veronës, Xhimi Hoti, me të cilin edhe kemi bashkëpunuar. Shqipëria nuk ofron mundësi bashkëpunimi për ne artistët e diasporës, arti im shpesh nuk përputhet me modelet ose mitet e saja.

- një vërejtje e rëndë kjo nga ana juaj per organet kompetente qeveritare shqiptare. Do deshironim shumë që kjo intervistë të lexohej dhe prej tyre. Po le të vazhdojmë. 

Në pikturat e juaja bien në sy ngjyra e bardhë, bojëqielli, blu. Simbolizojnë diçka ?

Jo vetëm ato. Varet nga periudha, në fakt njihem më tepër nga ngjyrat e ftohta siç është grija apo e zeza, por kam patur edhe periudhën blu. Punimet e fundit kanë patur si protagoniste edhe të verdhën, të kuqen etj...

- Në një intervistë jeni shprehur metaforikisht sikur jeni një makinë automobilistike ndërsa pikturoni. Përse e shikoni vetëveten kështu?

Nuk mbaj ment në cilën intervistë jam shprehur sikur jam një makinë. Do të shtoja që unë kam një prodhim shumë të madh veprash, duke përfshirë dhe koleksionet private, që tashmë nuk më përkasin më dhe aresyeja është vetëm një: që unë dua veprën që bëj dhe në 10 vite të karrierës personale, nuk jam ndalur as edhe njëherë 

-Kush vendos se çfare është arti?

Artisti

- Artisti mund të jetë edhe pjesë e proçesit ndërhyrës ( mediacion) të veprës që ka krijuar?

Absolutisht që po 

- Dhe së fundi, cilat janë projektet për të ardhmen 

Momentalisht po punoj për ciklin ambjental siç është dhe noti,  " Notaret". Një cikël ky që përfshin pikturën dhe fotografinë. Ndërkohë jam e angazhuar në disa projekte internacionale në bashkëpunim me galeri mjaft të njohura. Së fundi, projekti më i bukur janë fëmijët, të cileve ju mësoj artin e pikturimit.

Falenderojmë shumë Alketën për kohën e vyer që na kushtoi, me urimin e nje prodhimtarie sa më frutëdhënëse për të, ashtu edhe të kënaqëshme për syrin dhe shijet tona artistike.

Më poshtë ju sjellim dhe dy punime të cilat ofroi përzemërsisht për ne.

Alketa Delishaj

Alketa Delishaj

Alketa Delishaj

Alketa Delishaj