Kafe virtuale me Sueton Zhugri

Intervistoi: Sabina Darova

Në vazhdën e njohjevetë artistëve shqipëtarë në diasporë, këtë radhë menduam të sjellim një zë poetik tashmë të njohur në rrugët e komunikimit teknologjik (websites), poetin, tregimtarin dhe përkthyesin qe jeton në Finlandë, Sueton Zhugri.
Lind dhe jeton rininë e tij në Tiranë. Mbaron studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë, më 1994 dhe jeton në Finlandë, prej më shumë se tetëmbëdhjetë vitesh. Ndër pasionet e tij, numërojmë të shkruarit: (poezi, tregime) fotografinë,  noti etj.
Në fakt njohja me Suetonin ka ardhur nëpërmjet fotografisë. Pasion i përbashket ndërlidhës dhe pjesëmarrës ne grupin virtual " Për hatër të fotografisë". Rastësisht lexoj një intervistë të tijën dhenë gazetës "Tirana news observer.al " dhe vëmëndjen time e tërheq nr 500 i poezive qe ka shkruar,si dhe përkthimet e shumta në gjuhën italiane.
Poezia e gjallë, e pasur në emocione, e larmishme në përdorim të gjetjeve të figurave poetike, më dha shtysë për ti dhënë mundësi këtij poeti dhe jo vetëm si i tillë, të rrëfehet për publikun e revistës tonë, tek "Albmendimiart.com".

1 - Cilat janë librat që ju kanë ndihmuar në formimin tuaj?

-Librat, me siguri janë një rrugë shpëtimi dhe një pasqyrë në botë të panjohura. Shpesh i kam perdorur thuajse me një metodë asocimi idesh, ku një fjalë, frazë apo personazh më ka bërë të ndërtoj krijimin tim. Është koncept pakëz i ndërlikuar, por nëse do të kisha qenë piktor, librat do të më jepnin ngjyrat të pikturoja tablotë e mia. Pas realizmit socialist, kontrasti i asaj letërsie me autorë të huaj, si p.sh. Kafka, më bëri shumë përshtypje në vepra si; “Në koloninë ndëshkimore”, me makinerinë e ndërtuar aq mirë në kokën e vetë autorit, apo “Metamorfoza” me ndjesinë mbytëse të ankthit e mundimit të insektit të ardhshëm. Prej poetëve kombëtarë do të përmendja Ervin Hatibin, i cili për mua, solli një risi përsa i përket pikëvështrimit dhe freskisë , origjinalitetit dhe mënyrës së konceptimit bashkëkohor poetik . Pa harruar Camaj me detajin e tij poetik magjik dhe zhdërvjelltësinë me të cilën shpreh gjuhën shqipe. Nuk do të lë jashtë Ismail Kadarenë, me zhgjëndrrën e tij të vazhdueshme, me pasurinë mahnitëse të fjalëve dhe aftësinë aq të bukur për të krijuari fjalë të tjera. Borgesin, të cilin e adhuroj, për strategjinë e tij në ndërtimin e veprës e sidomos dualiteti i tij i vazhdueshëm midis ëndrrës dhe realitetit. Më pëlqejnë ata lloj autorësh që lëvrojnë pyetjet themeltare mbi ekzistencën njerëzore, konceptet kohë,hapësirë, ndërgjegje njerëzore. Pyetja e Shekspirit “to be or not to be”, te Remboja, Kamyja te “Miti i Sizifit”, por edhe Pessoa do të transformohen në “a ka vlerë apo jo të jetuarit e jetës njerëzore”. Do ta lidhja këtë me një rast konkret. Ngacmimi poetik që jep p.sh. E. A. Poe, tek koncepti i poezisë "A dream within a dream” (ëndërr brenda ëndrrës) me pamundësinë e grimcave, të pakapshme e të pandalshme të jetëve tona që rrëshqasin përmes gishtërinjve të kohës. Interesant sidomos për faktin e lirimit nga çdo skemë, krijimin e një poezie krejt ndryshe që mbetet gjithnjë e freskët është Rembo. Dhe këtu mund të vazhdoja me përsiatje pafundësisht për autorë e tema të tjera që i këndojnë dashurisë, natyrës, pentagrameve të pafundme të të qenit njerëzorë. Për ta mbyllur, Umberto Eko thotë: "Kush nuk ka lexuar ka jetuar vetëm një jetë; të vetën. Sepse të lexuarit është një pavdëkësi që ecën në kah të kundërt"

2 - Si titullohej poezia e parë që keni shkruar nëse e mbani mend?

 -Poezinë e parë, sinqerisht nuk e mbaj mend. Kam filluar të krijoj herët, por vrullin e vërtetë krijimtaria e mori në periudhën e Universitetit. Kam pasur një bllokun tim ku ruaja poezitë, por ky bllok ka humbur.

3- Çfarë raporti ekziston midis poezisë dhe realitetit?

 -E përmendem më parë. Poezia është reflektim i realitetit, që kalon nëpër prizmin e shpirtit të poetit.


4-  Shpesh poetët kanë raporte të vështira me vendin e tyre, nganjëherë të vuajtur, nganjëherë konfliktual. Si janë raportet tuaja me atdheun nga ku jeni larguar dhe atdheun e gjetur?

Nuk ka poezi pa vendlindje. Pa diellin e fëmijërisë, zërin e ëmbël të gjyshërve, historitë mbi katragjyshët, kontaktin e parë me natyrën dhe vetveten. Puthjen e parë, këngën e parë. Për mua lidhja me Atdheun është dhe do të mbetet e pandryshueshme. Por duhet thënë që me kalimin e viteve (e unë tashmë kam jetuar më shumë vite jashtë atdheut sesa brenda tij) krijohet një realitet i ri më madhor, më gjithëpërfshirës, realiteti europian, botëror që me krijimin e internetit dhe teknologjive të reja ka thyer çdo kufi shtetesh, gjuhësh e perceptimesh. Bota tashmë është një fshat i stërmadh, dhe një shqiptar ashtu si p.sh. një kinez mund të jetojë e krijojë në cilëndo pikë të globit, duke u ndjerë pothuaj vendali.

5- Vetmia është një gjendje dhe poezia është urë për të dalë prej saj?

-Pyetja e ndërtuar kështu do ta tejthjeshtëzonte arsyen e një poeti, pasi vetmia nuk mund të konceptohet e as ndahet nga gjendjet e tjera. Është një nga detajet e kompleksitetit të gjendjeve të një poeti, ku hyjnë melankolia, gëzimi, lumturia, urrejtja, përbuzja, konkretja, abstraktja, përmallimi, ndjesitë vetëshkatërruese dhe ato rindërtuese.

 6-  Kur shkruani më mirë, në mëngjes apo në darkë?

-Shkruaj më mirë në mëngjes kur ende nuk jam zgjuar tërësisht duke dashur që të jem sa më pranë ëndrrës, nënndërgjegjes. Si thotë edhe Borgesi te “Libri i rërës”,

 7-  Sipas jush, cilat janë raportet midis historisë dhe poezisë?

-Mendoj se poetët rrallë herë dalin jashtë kontekstit historik. Shumë pak prej tyre e kanë mposhtur duke patur një vizion ekstrashekullor si psh. Remboja.

8-  Si e shikoni poezinë shqiptare sot ? Ekzistojnë dallime midis poezisë që vjen nga diaspora me poezinë e krijuar në Shqipëri? Cilat janë tendencat?

Është shumë pozitiv fakti që sot ka një përpjekje të gjithanshme nga gjithë rangu i intelektualëve shqipëtarë për të kristalizuar mendimet e tyre në krijimtari që mund të jenë poezi, tregime, ese, romane etj. Sot vihet re një përpjekje e përgjithshme për të pasur një krijimtari e cila me anë të internetit është më e drejtpërdrejtë e pa filtra. Ka poetë të diasporës të spikatur që shkruajnë bukur, ndonëse shpesh e kanë nisur krijimtarinë që në atdhe. Nuk shoh diferencë midis poetëve të diasporës dhe të trevave shqiptare.. Ka poetë me vlera si në diiasporë dhe në trevat tona. Ajo që do të shtoja është dhe një risi në copëzimin e gjuhës dhe përdorimin e dialekteve, por risia sjellnevojën për një risistemim dhe gjykim të thelluar të vet gjuhës shqipe, larg tabuve dhe paragjykimeve. Gjuhët si dhe njerëzit dhe botkuptimet e tyre evoluojnë.

9-  Çfare roli luan kritika sot në gjykimin e poezisë bashkëkohore? Sipas jush duhet bërë një revizion i saj? (duke marre parasysh klasen e kritikëve të krijuar gjatë realizmit socialist). Keni një emër që mendoni se është i aftë ta realizojë?

-Më shumë se kritikën do të vlerësoja shtimin e studimeve letrare që kanë ardhur në rritje në nivel akademik, kombëtar dhe ndërkombëtar. Janë studime në formë monografish mbi autorët, por edhe mbi dukuritë letrare. Këto studime kërkojnë që të jenë gjithnjë në kontakt edhe me autorët e rinj për ti vrojtuar këto dukuri nga fillimi dhe studiuar edhe trajektoret e larmishmërinë që hasin dhe duke mos i lënë në heshtje.  Një nga aspektet më pozitive të këtyre studimeve, ka qenë të hedhurit dritë mbi autorë të lënë në heshtje me forcë nga sistemi si: Fishta, Koliqi, Haxhiademi, Camaj, Podrima etj.

10- Në ç’tipologji poetike e përfshini poezinë tuaj?

-Poezia ime është e larmishme sepse varet shumë nga gjendja në të cilën ndodhem.  Kam poezi ekzistencialiste, dashurie, simbiotike, nganjëherë abstrakte. Eksperimentoj me stilin hermetik. Për mua nuk ka rëndësia forma, aq sa ka rëndësi fakti se poezia duhet të shprehë në detaj atë që shtysa poetike po më fton të shpreh.

11- Çfarë vendi zë poezia erotike në krijimtarinë tuaj? Ndjeheni i çensuruar dhe nese po, përse?

-Nuk zë ndonjë peshë esenciale, ndonëse në krijimtarinë time nuk kam limite dhe poezi erotike kam plot. Gjithçka ka lidhje me ndjenjat e atij çasti.

13- se fundi, cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?

-Kam shkruar mbi 500 poezi deri më sot, një pjesë prej të cilave janë gati për botim. Në të ardhmen do të doja të botoja edhe një libër me tregime , i cili është gjithashtu në një stad të avancuar. Jam në fillim projekti për përkthimin e këtyre veprave edhe në italisht. Do më pëlqente gjithashtu edhe një pjesë e tyre të përkthyer në finlandisht.
................
-Falenderojmë poetin Zhugri për kohën që i dedikoi revistes tonë dhe urojmë që librat e tij ti kemi sa më shpejt ndër raaftet e librarive brënda, dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. Gjithashtu, ftojmë lexuesin të lexojë disa nga poezitë e zgjedhura të tij në rubrikën letërsi të revistës.


 

Sueton Zhugri

Sueton Zhugri