Një kafe virtuale me poetin Alban Bala

 Sabina Darova

Sabina Darova


Intervistoi për albmendimiarts.com Sabina Darova
 

Revista "Albmendimiart.com" vazhdon kërkimin e zërave poetikë. Mbasi intervistuam poetin Sueton Zhugri, menduam të bëjmë një ballafaqim me një tjetër poet të dashur, i cili jeton në Shqipëri . Të njëjtat pyetje të interpretuara nga një tjetër këndvështrim apo një tjetër ndjesi poetike. Poeti për të cilin bëjmë fjalë, quhet Alban Bala.

Linddhe rritet në Lezhë, ndërsa studimet e larta për mjekësi i ndërpret në vitin 1991. Rikthehet në Shqipëri pas një periudhe emigracioni në Itali e Gjermani në vitin 1993. Përfundon studimet e larta për Gazetari dhe Marrëdhënie Publike duke punuar si gazetar për mediat e vendit dhe të huaja për gati 14 vjet. Në vitin 2003 themelon butikun ( boutique) e parë shqiptar të marrëdhënieve publike,ndërsa me detyrë sipresident i Institutit Shqiptartë Marrëdhënieve Publike ngarkohet që prej vitit 2005. A.Bala ka botuar 8 vëllime në prozë e poezi dhe jeton e punon në Tiranë.


1 - Alban, cilat janë librat që ju kanë ndihmuar në formimin tuaj?

Në fakt kjo është një pyetje e gjerë. Cdo libër që njeriu lexon në fëmijërii apo në rininë e parë, disi lë gjurmë të pashlyeshme në mendimin e tij. Filozofët dhe mendimtarët e vonë kanë qenë padyshim qënësore në këtë process. Në rininë time, duhet ta pohoj se ekzistencialistët dhe më pas realizmi magjik, kanë lënë gjurmë më të thellë. Përvoja e leximit u pasurua gjatë kohës që jetova në Itali dhe munda të shfrytëzoj bibliotekën në Pordenone, përvec asaj pak leterature që mund të blija. Kur isha 15-16 vjecar, Whitman më tregoi sesi shpërthehet, Janis Ricos sesi këndohet. Poezia italiane më dëshmoi një dimension që s’e njihja brënda vetes – në rrugën drejt tingullit. Dhe në themel ka qënë i gjithi një udhëtim i mrekullueshëm në një tunel që komunizmi e kishte lënë krejt në errësirë.

2 - Si titullohej poezia e parë që keni shkruar nëse e mbani mënt?

Titullin nuk e mbaj mend, por ka qënë një  vjershë e pasigurt e shkruar për Drinin. Ajo u shkrua si pjesë e detyrave të shtëpisë që na dha Rudolf Marku, mësuesi im I letërsisë në vitin e parë të shkollës së mesme. Unë nuk kisha një lidhje thelbësore me letërsinë. Kisha studiuar muzikë, kitarë, flaut, piano sekondare. Shkruaja pak muzikë dhe më pëlqente kompozicioni. Këtë orientim e braktisa nën presionin e familjes dhe nën bindjen se me biografinë që kishim, unë nuk ngrija dot një të ardhme në art. Ndoshta kishin të drejtë.

3- Çfarë raporti ekziston midis poezisë dhe realitetit?

Raporti që ekziston mes objekteve dhe syrit, mes dritës dhe objekteve, raporti natyror mes të dukshmes dhe të padukshmes. Poezia nuk shpik sende. I bën ato të dukshme, I shquan – përmes një optike të një lloji tjetër.
Shpesh arti nuk buron prej realitetit, por prej rimodelimit të tij në përputhje me kumtin e vet. Në këtë kuptim, nuk mendoj se protagonizmi mbi realitetin i jep vlerë artit. Arti e ndërton vlerën e tij së brendshmi – letërsia gjithashtu.

4- Poezia ndërtohet me fjalë apo bëhet nga gjërat, emocionet, eksperienca?

Këtë nuk e kam mësuar ende. Poezia është një moment I mbingarkuar emotiv, I cili flet me fjalë- një përgjigje e brëndshme që buron pa asnjë pyetje, bën referencat e veta të brendshme mbi atë  që kujtesa (jo pervoja) ka ruajtur në mënyrë ndjesore dhe shpallet në një rrugë që është gjithmonë e re. Por poezia as ndërtohet, as bëhet… Poezia ndodh. Ndryshe arti është artizanat. Dhe poezia nuk e ka luksin të konkurojë me llullat e gdhendura në tregun e dhuratave…

5- Shpesh poetët kanë raporte të vështira me vendin e tyre, nganjëherë të vuajtur, nganjëherë konfliktual. Si janë raportet tuaja ?

Unë nuk jetoj si poet. Jetoj si njeri. Raportet I ndërtoj si njeri, si çdo qytetar tjetër. Si poet, përjetoj atdheun me dhimbjen e fëmijës që përcjell pleqërinë e nënës. E përjetoj me dhimbjen e shtëpisë që po e shkatërrojnë të vetët. E shoh si lulëzon apo plasaritet sipas stinëve politike të vendit dhe ne themel, si profesionist i marrëdhënieve publike kam bërë çdo përpjekje për ta promovuar në mjedisin ndërkombëtar të investitorëve dhe të çdo njeriu tjetër që unë njoh. Por përjetimi im është  krejt njerëzor.

6- Vetmia është një kusht dhe poezia është urë për të dalë prej saj?

Kjo është një hipotezë. Vetmia nuk është as kusht, as premisë dhe as pasojë  në raport me artin. Është  shprehje e brëndshme e dikujt. Madje shpesh është qartësisht një zgjedhje. Poezia nuk ka lidhje me të. Ti mund ta shkruash një poezi të mirë  në dritë apo ne gjysmë-errësirë. Kjo nuk ndikon mbi poezinë, por mbi sytë. Poezia shkruhet në një moment veçimi, por jo detyrimisht në  vetmi.

7- Kur shkruani më mirë, në mëngjez apo në darkë?

Këtë e di vjersha, jo unë. Kur ajo kërkon të dalë, unë jam aty për ta lindur. Derisa të kem rikthyer frymën në vend, qetësinë e mendjes dhe jo vetëm në vend. Unë shkruaj kur nuk mundem më të mos ta bëj.  Shkruaj kur një  varg apo një  ide më thërret fort dhe më detyron të nxjerr celularin e ta shkruaj. Aty për aty. Kjo thirrje nuk njeh orë. Përjetimi është  shpirtëror dhe shpirti nuk e njeh kohën diellore.

8- Simbas jush, cilat janë raportet midis historisë dhe poezisë?

Besoj se këtu më shumë flasim për dy raporte: së pari mes poezisë dhe kujtesës – shkalla e parë e historisë që një njeri njeh brënda vetes. Dhe së dyti marrëdhenia mes momentit poetik dhe dijes së dikujt. Kjo dije është kryesisht e shestuar me përfundime të analizës historike që flejnë brenda njeriut dhe nxjerrin krye në castin e shkrimit: një erë e nxehtë I nxjerr prej së thelli dhe I shndërron në kumt poetik, në varg, në mesazh. Nëse do të përdornim poezinë si metër për të vlerësuar në nivel të analizës historike zhvillimin e një vendi – unë besoj se sa më i ciflosur të jetë një vend, aq më e ndjeshme është poezia e tij, aq më e thellë, më universale – sepse kriza kolektive shpërrthen në individë të spikatur që kthejnë në art një dhimbje të gjithëbotshme mbi atë komb. Etja për zhvillim dhe prapambetja e thellë prodhuan në vitet 30 tek shqiptarët një elitë poetike të lakmueshme. Momenti historik I rënies së komunizmit gjithashtu u pararend me një lulëzim të indit poetik. Unë besoj se edhe kjo periudhë torturuese e stanjacionit të zgjatur kombëtar po prodhon ndërkohë një prurje letrare që do të perceptohet shpejt si një korpus unitar I kësaj epoke.

9- Si e shikoni poezinë shqiptare sot ? Ekzistojnë dallime midis poezisë që vjen nga diaspora me poezinë e krijuar në Shqipëri? Cilat janë tendencat?

Ka vetëm dy lloj poezish: e mirë dhe e keqe. Poezi që bind dhe poezi që zhgenjen. Nëse unë do ta analizoja psh. Ardita Jatrun si të ndryshme prej vetes – ngase ajo po shkruan jashtë kufinjve politike shqiptare, do të bëja vetëm një spekullim metodologjik. Ajo është në poezi po aq shqiptare sa çdo poet tjetër I mirë brenda vendit. A mund ta analizoj Klodian Kojashin si autor diaspore, kur poezia e tij mbetet shkollë e leksemave gjuhësore dialektore të Shkodrës?! Ky lloj leximi mund të bëjë kuptim pas 50 vitesh, kur brezi I dytë e I tretë I shqiptarëve të diasporës të ravgojë në letërsi. Atëherë mund të nisim një diskutim të kësaj natyre. Një shpirt – I cili është lindur e rritur këtu – edhe pse nuk jeton mbi të njëjtin truall, ëndrrat I sheh në shtratin e vendlindjes dhe I tregon me gjuhën e saj.

10- Çfare roli luan kritika sot në gjykimin e poezisë bashkëkohore? Simbas jush duhet bërë një revizion i saj? ( duke marre parasysh klasen kritike të krijuar gjatë realizmit socialist). Keni një emër që mendoni se është i aftë ta realizojë?

Në Shqipëri ka mjaftueshëm emra që mund të ofronin një vlerë të shtuar në kritikën letrare. Dikush duhet t’I punësojë ata. Të paguajë mundin e tyre. Tregu I vogel shqiptar përgjithësisht nuk e bën këtë. Padyshim Behar Gjoka, Agim Baci, Albert Vataj, etj mund të ishin disa prej emrave që gjej menjëherë në krye të këtij roli të vështirë, por edhe institucionalisht të organizuar në Shqipëri.


11- Jeni poet i dashurisë. Në qoftë se do mendonim periudhat e antikitetit,mesjetës dhe të tanishmen, cilat do të ishin heroinat( të dashurat ideale) të cilave do t'ju thurrnit vargje dashurie?

Unë gjykoj se jam një këngëtar I ndjenjës. Jo I heroinave. Ajo që ne mbiquajmë “dashuri” është pjesë e një dashurie të madhe me të cilën njeriu jeton. Unë i këndoj asaj dashurie të madhe, e cila shpesh merr tiparet e një njeriu – por ai njeriu është zemra e universit.

12- Çfarë vendi zë poezia erotike në krijimtarinë tuaj? Ndjeheni i çensuruar dhe nese po, përse?

Cfarë dmth poezi erotike? Nëse referenca bëhet mbi përshkrimet fiziologjike apo heqjen e “velit” që ndan të dukshmen dhe të padukshmen, kam frikë se me këtë qasje keqtrajtojmë etikën tonë, jo poezinë. Arti është mënyra për të thënë atë që mendja dhe shpirti I lexuesit duhet të elaborojnë më tej të veçuar, me vete, në heshtje…kur sipas Sosyr-it e rishkruajnë tekstin në çdo lexim.
Unë nuk mendoj se poezia apo gjuha e njeriut ka taboo. Ajo ka etikë. Unë kam timen.

13- së fundi, cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?

Kam 1000 faqe libërme poezi të reja që duhen përmbledhur në një vëllim të ri, pas “Dashuria e BUrrit” që doli në vitin 2013.
Kam një roman gati për shtyp. Dhe një etje të madhe për të jetuar.

Falenderojmë poetin e gjuhës së ëmbel nëse më lejon të pronuncohem, dhe ftojmë lexuesin të lexojë disa nga poezitë e autorit,  që aipërzemërsisht ja dhuroi faqes së revistës tonë tek rubrika letërsi.