Pyetësori i Prustit (Gazeta Obzerver)... Xhabir Tabaku

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk besoj në formën e përkryer të asgjëje apo gjendjeje. Lumturia është e plotësishme si është. Nuk mendoj se ka lumturi të përkryer apo të papërkryer.

Cila është frika juaj më e madhe?
Harresa. Nuk e imagjinoj veten me kujtesë të humbur. Veç ideja më tmerron.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk admiroj asnjë njeri. E kam të ndaluar me fe. Por, kam respekt të thellë për disa. Në plan ndërshqiptar Abdi Baleta.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Ahmet Zogu. Në të, shoh njeriun racional që krijoi shtet për një komunitet joracional, pa traditë shtetformimi dhe jo i gatshëm të jetojë me rregulla shetnore. Tek Zogu i shoh të thukëta të gjitha vetitë ma të mira të etnisë tonë. Tradicional e modern. Shumë më i avancuar politikisht se bashkëkombasit e tij atëbotë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Shpejtësia në vendimmarrje. Shpesh gaboj për këtë shkak.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizia.

Në cilat gjëra e teproni?
Në të analizuarit e fenomeneve, ngjarjeve a njerëzve që nuk ia vlen (humbje kohe).

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Një milion arsye.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Nga Rhodes në Santorini.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“La I’lahe I’lallah Muhamedur Resulullah” – e filloj dhe e mbaroj ditën me ketë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Unë jam Mr. Pendimi.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Baba. Njeriu i parë që mendoi të më sillte në jetë. Ai më mësoi pothuaj çdo gjë bazë në jetë. Asnjë ditë në jetën time nuk ka qenë dikush të më bëjë të mendojë se e dua ma shumë se babën.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E kthjellët. E shëndetshme.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të isha më i saktë në prioritizimet e veprimeve të mia. Shpesh i kushtoj kohë dhe vëmendje e emocion, diçkahes dytësore.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Pavarësinë individuale. Kjo nuk don me thanë se jam egoist apo arrogant. Sall i pavarur.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do zhbëja periudhën komuniste në Shqipni.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Anije me vela. Do shëtisja ngadalë – ngadalë të gjithë ujrat e botës duke u nisur nga Buna e duke u kthyer prapë në Bunë… duke e përsëritur me dëshirë pa ndalë, përjetësisht.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Liria personale (në maksimumin e saj të mundshëm). Nuk ka asnjë njeri pranë meje që mund të ma cënojë. Unë vetë e konsumoj atë për të tjerë, por nuk lejoj të më imponohet.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Nënshtrimin.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Istanbul. Kur jam atje, ndjej lumturinë me dëshirën tek shkrihen në mua. Nuk ka përjetim ma të njimendtë e frymëzues për mua se kur jam duke shëtitur rrugëve të Stambollit herët në mëngjes dhe ndigjoj të thirret ezani. Aromë manjole.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Burrninë (në krejt komponentët e dimensionet e saj mundësisht). Trimërinë – një burrë nuk duhet të frikohet. Burri duhet të dijë me vdekë trimnisht po u desht.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Inteligjencën, feminitetin (feminitetin ma së shumti). Një femër duhet të ngjajë me një liqen të qetë, të kaltër. Me aromë sherbele, me violinë, kamelie a manjolë. Kur është e zgjuar? Qershi.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Oh, janë shumë të tillë… e vështirë me ba dallime rranjësore por: G. D. Maupassant, A. Chekhov, I. Turgenev, A. Akhmatova, A. Pushkin, A. Poe, J.W. Goethe, E. Dickinson, F. Dostoevsky, Saadi, Hafiz, Rumi, A Dumas, T Hardy, A. Camus, K. Armstrong, F. Rreshpja, Migjeni, I. Kadare.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata burra e gra që qëndruan heroikisht burgjeve të Enver Hoxhës. Të gjithë ata që lindën kampeve të internimeve dhe u rritën me dinjitet njerëzor e ideal kombëtar. Prindërit e mi po ashtu. Këtyre të gjithëve, u përkulem me respekt të thellë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të penetroja mendjen e dikuj tjetër. T’ia njihja mendimet si ai/ajo vetë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në ujë… në det, duke notuar.

Cila është motoja juaj?
Besimi e tejkalon empiricizmin. Shpesh imagjinata vlen ma shumë se logjika. Tek e fundit gjithçka asht në dorën e Allahut./Gazeta Observer