Shi në Hong Kong...

Nga: Xhabir Tabaku.

 Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku

Nga: Xhabir Tabaku.

Trak-truk ngadalë, hedhi hapat mbi trotuaret e lagëta të Hong Kongut. Qindra e mijra njerëz më kalojnë përbri, para e mbrapa. Trak-truket e hapave të tyre mbajnë nji ritëm sa të vjetër edhe modern. Ritmin e besdisshëm e të ngadaltë. Maturinë, absurd-kinez. Ftyra të verdha si drita nate, më frikojnë e më intrigojnë. Verdhane të zhdërvjellëta me sy bajam, buzëqeshin shik.

Uria m’ka gri zorrët, e prap nuk dua të ha. Jam i tejlodhur nga dita. Ditë akrepash!

Vërdallem në vetmi. Shetis më këmbë qytetin që nuk më joshë nga që ia di tërë vrimat. Lipsarët të qorrojnë sytë, me gishtat e duarve të shtrira. Prostitutat moderne nuk kanë minifunde as çizme të gjata. Vetëm gjoksin gjysëm jashtë e buzëqeshjen tipike. Hamshorët lakmojnë në heshtje, e femrat epshojnë mandarin. Zërat e tyre të hollë e përcjellin jehonen seksuale tej mureve të kadifenjtë. Vetëm dhimbja e tyre nuk ndjehet, s’ka vlerë. Dhimbja...këmbët e drejta, gjokset e njoma e vrima e ngushtë janë modus vivendi... Qyteti vibron lehtë, ftohtë-ngrohtë. Hong Kongu frymon grahmen e vet të gjatë, lëngatë moderne. Miliona transaksione firmohen tryezave të rënda të drunjta. Shikime kryqëzohen, e këmbë kapërthehen nën tavolina. Milionerë të varfër e kurva të pasura hijeshojnë absurdin moral.

Zërat e hollë janë si sirenat. Nata, verdhane si dita. Anemike. Varak, arkivolash kristianë. Heshtjen antike, e thejnë kapërthimet e kofshëve, thithjet e gjata e orgazmat e thukëta shtretërve të gjerë të paguar mirë. Kujtesë që vdekja është pjesë jotja në copëza. E tëra nuk vlenë. Burrat që djerësijnë epshet e tyre cinike, janë zotëruesit e natës angleze të Hong Kongut. Pjesa tjetër të shfaq boshin e saj ordinar. Thjeshtë kineze... Çnderime, dhimbje të kunjta e të holla, që shpojnë mes brinjësh e futen avash-avash në mushkëri, të akullojnë. Ta marrin frymen. Të vdesin. Të nesërmen veç, përmes rrugëve të lagështa të Hong Kongut, shpërthen nji jetë e vrulltë. Më shijon të lodhem e rropatem rrugicash të ngushta labirinte, të uritem e ta shuaj urinë me çaj e të shkoj mbrëmjeve ngadalë në shtratin e prenotuar... Më pëlqen konfuzjoni sino-anglez i qytetit. Këmbët e drejta, gjokset e njoma... dhe anapullat e tjera, janë simfonia e tij. Janë art! Veç disa dijnë ta shijojnë mendimin retrospektiv që ndjellë. Pluhra te bardhë  hundësh e lengje shiringash, kalojnë dejsh. Trutë avullohen. Avujt e alkoolit në baret nëntokë dejnë hamshorët e gatshem për lavdi. Ujra placentash plasin apartamentesh të pistë e të ngushtë... Sperma kutërbon bardh, netët e verdha kineze. Kodoshët gjithandej! Aty larg në det, në anijet terr, ndizen dritat e kuqe të dhomave të gjumit. I çuditshëm ky qytet! Mbarset e zbrazet në zhurmë... Ajri i ngarkuar me bulëza lagështire, ti rinë flokët, e shikimi i mjegulluar humbet diku tek... Sirena anijesh gjigande mundohen më kot të çajnë përmes trafikut të varkëzave kurvica... Qeshjet çapkëne të vashave, treten në dalldinë e ditës. Shiu më i imët se mjegulla, s’pranë. Mërdhas! Aeroporti, pikë fokale në mendjen time, gëlon... Më ndjellë! Diku larg, nji vajzë e bukur me fton me melodi të ëmbël violine...

 

Xhabir Tabaku.

Hong Kong-Tetor 2016.