Darkë në Criterion...*

Nga: Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku

Ndeza nji cigare porsa parkova veturën në të djathë të “Napier Avenue” përballë Masthouse Terrace Pier bri lumit Thames, në Millwall-Londër. Ishte mbasdite heret. Nga ato mbasditet bojhiri të Londrës. Nji shi i rijtë, si igrasi, nuk shqitej që tri ditë. Isha pak i lodhur nga puna, e në ankth nga nji takim i rëndësishëm që kisha më vonë. Më duhej të prisja aty derisa të vinte Miss Klugh, profesoresha e psikollogjisë, dhe mike imja. Kisha arritë në vendtakim më heret se duhej. Mbas pak, parkoi para meje nji makinë me ngjyrë blu të errët. Jaguar. Nga të tipit të fundit. Tek e shihja me dëshirë, makina filloi të tundej. Jo dhe aq, se helbete veturë e rëndë, por ma tërhoqi syrin. Nga sekonda në sekondë, tundja e saj sa vinte e shtohej. S’dija si të veproja, dhe instiktivisht hapa xhamin, ndeza nji cigare, dhe nxora doren jashtë. Tundja vazhdonte, e un thithja cigaren time pa ndalë, duke kafshuar filtren me dhëmbët e parë. Nuk po e kuptoja pse po nervozohesha... E gjith kjo që them, nuk ngjati më shum se katër-pesë minuta a diçka e tillë, por m’u duk tepër gjatë.

Shyqyr, thashë me vete kur vetura ndaloi së tunduri, ndonëse pa u ndalë mirë, më zuri ankthi rishtas. Prap pa spjegim. Mbas pak, nga të dy anët e veturës, dolën nji djalë i ri nja nëntëmbedhjetë a njizet vjeç, e nji zonjushë po ashtu, në mos më e re. Më pikasen sapo shfryva tymin e cigares. Ai ndërkohë kishte futur duart ndërvete, dhe po rregullohej, e ajo nën bluzë duke drejtuar gjoksin. Ishte shum e bukur, e ashtu siç ishte shlligur në ftyrë dukej akoma më joshëse. Duke kafshuar si në faj buzen e poshtme, uli koken duke murmuritur diçka, e zu të ecte ngadalë. Ai më hodhi nji vështrim miqësor... -Sa e bëmë, tha. Mos na e vë re! E prap buzëqeshi miqësisht, duke kthyer shpinen, akoma me ftyrë nga un. Shkeli syrin si të donte të thoshte: - Meshkuj të dy e? I hodhi asaj doren poshtë belit duke ia ledhatuar lehte vithet, e duke përshkuar shinat e trenit,moren rrugën ngadalë në drejtim të portit.

...

Shiu i imtë që kishte orë që binte shtruar, po bëhej më i dendur. Ndjeva ftohtë e fillova të fërkoja kofshet e pulpat me sa fuqi kisha. Nxora nji cigare tjetër dhe e kalla. Ndërkohë filluan të rrihnin kumbonët e nji kishe të vjetër e të stërmadhe. Kumbonët  më ndjellin frikë e zymti. Çuditërisht, kësaj here nuk më bezdisen. Përkundrazi, ai tingulli metalik më erdhi si melodi në vesh. U shtriqa në ndenjësen e makinës duke i ngritur volumin radios ku luhej muzikë xhaz. Nuk e di pse vura buzen në gaz si pa kuptim. Po prisja me padurim miken time, e cila dukej që larg duke hedhur hapat e sajë të lehtë drejt meje. Kishte në dorë nji çadër ngjyrë rozë, dhe kishte veshur nji xhaketë e fund blu që i rrinin kërrk për shtat, duke e vënë më tepër në pah elegancen e saj. Ndërkohë, më ra në sy që jo shum njerëz po hynin në kishë. Vetëm dy zonja të moshuara dhe nji zotni nja katërdhjeteshtatë-katërdhjetetetë vjeç, kaq. Sakaq miss Klugh po afrohej. Hyri në veturë shpejteshpejt, e më përshëndeti. Në pak çaste, makina kutërboi alkool. -Kam pirë nji çikë, tha me zërin e ulët e buzëqeshjen e saj të ëmbël, duke më prekur lehtë në gju, sikur ta kishte lexuar mendimin tim. -Kisha dy ditë pa pirë.

E dija, që dy ditë pa pirë ishin shum për profesoreshën...

London.

London.

-Dal, nëse te shqetëson era e alkoolit, më tha, duke mbërthyer rrypin e sigurimit. -Marr taksi! Buzëqesha, dhe i thashë se kot po shfajsohej, mbasi un nuk e kisha nuhatur fare aromen e alkoolit. Kurse në fakt, po më përzihej.

Ndeza veturen, e udhëtuam nja pesë a gjashtë minuta pa folë fare.

-          Më thuaj diçka interesante! Filloi ajo me zë të ëmbël, duke më hedhë nji shikim disi ngacmues e komik, si të donte të thoshte: - Mjaft me ata turinj të thartuar! Buzëqesha dhe i zgjata doren për ta siguruar se nuk kisha gjë ndaj saj. Ajo vuri buzen në gaz, dhe përsëriti kërkesen: - Diçka të bukur nga dita e sotme!?

Po, i thashë. -Ditë interesante. Nji mesoburrë u fut në kishë... përveç dy plakave.

-          Kaq?

-          Jo. (Heshta për pak kohë)...

-          He de! Tjetër...

-          Nji çift, me thanë se sapo qenë kënaqur në veturë, teksa ai rregullonte ndërveten e ajo sisat...

-          Uauuu ! Nuk mi hiqte sytë... sikur këronte të gjente sarkazmen tek un. Thua se nuk ishte sheshit!

-          Pikadilli Circus!... tha duke më rënë lehtë me brryl, e duke i mëshuar zërit sikur po fliste me nji shofer taksije. Kjo ishte rruga e saj për ta evituar vijimin e bisedës.

U ndalëm përbri nji restoranti. Nga jashtë dukej i klasit të parë... I kahershëm. Nga ata për të cilët mbarojnë anglezët, “The Criterion Restaurant”. Më hodhi nji vështrim kurioz, e mu afrua te fytyra duke pëshpëritur ngadalë e me embëlsi:

-          Çilu pak! Bëhet fjalë për të ardhmen tënde, dhe shkeli syri . E ngjeshi faqen e saj për timen duke më ledhatuar me dorë në tjetrën, si të donte të më çlironte nga ngërçi.

-          Po, po. Pa merak, thashë duke rrasur çelsat e veturës në xhepin e brendshëm të xhaketës.

Në restorant na priste vetë drejtori i gazetës “ The 22” e zv-kryeredaktori i sajë. Do hanim darkë, e ndërkohë do vlerësonin nëse ia vleja për gazeten e tyre apo jo. Miss Klugh e kishte ndërmjetesuar takimin. Mbasi u përshendetëm, hoqa pallton dhe ia dorëzova nji djali që kujdesej vetëm për rrobat e klientave, dhe ndihmova Miss Klugh të zhvishej. Me xhaketë në dorë drejt djaloshit, nuhata aromen e parfumit të sajë, deri atëherë e mbytur nga alkooli. Shum kujtime e mendime m’u përshkuan në mendje për punë sekondash. Mu lidh nji si ngërrç në fyt. U përpoqa të merrja frymë thellë duke mbërthyer xhaketën, ndërsa hidhja hapat drejt tavolinës ku të tjerët kishin zenë vend. Fytyrat e tyre të çliruara më futen akoma më shum në ankth- Welcome to London!

Xhabir Tabaku.

London/2016.

*Fragment nga libri im pothuaj në mbarim “Martha Klugh...“