Braktisja e periferisë letrare.

Nga: Arjan Leka

Arjan Leka

Arjan Leka

Sugjerohet mirëkuptim sa herë që përdorim, qoftë dhe ngushtësisht, terma të tilla si, “letërsi të vogla / letërsi të mëdha” apo “gjuhë minore / literaturë  e panjohur”. Përmes këtyre termave studiuesi Theo D’haen rikthen në kritikën letrare konceptin e një “perspektive botërore” në të vështruarit e letërsisë. Përveç këtyre, kërkohet marrëveshje edhe në përdorimin e përkufizimeve “kulturë / gjuhë e shkrimtar periferish” apo “kultura të vogla” dhe “letërsi e margjinave”

Për ta qartësuar idenë e tij, e cila ka zanafillën më së paku që prej J.W.Goethe-s së periudhës së Weimar-it, Theo D’haen vë përballë letërsive tradicionalisht të mëdha letërsitë më pak të njohura, letërsitë pak studiuara, letërsitë pak të përkthyera dhe me pak qarkullim, pjesë e së cilës është edhe letërsia e shkruar në gjuhën shqipe. Si shembull të këtij përkufizimi të gjerë ai sjell “letërsinë europiane”, si letërsi që është klasifikuar përherë si “letërsi e madhe” dhe që shpesh përdoret edhe si eponim i “letërsisë botërore”. Linguocentrizmi duket sikur e humb rëndësinë në kuadrin e perspektivës së letërsisë botërore, pasi siç shkrunte Aleš Debeljak“Letërsia e Republikës së Letrave flet veç një gjuhë, gjuhën e përkthimit…” Nga kjo pikëpamje, ato që mund të përfitonin nga gjendja e re janë “letërsitë e vogla”. Letërsitë e këtyre gjuhëve mund të zinin një vend më përfaqësues brenda “letërsisë botërore”, përderisa përparësi merr parametri estetik dhe origjinaliteti dhe jo gjuha e madhe apo e vogël e shkrimit të tekstit në origjinal.

Me përkthimin e letërsive të gjuhëve më të vogla drejt gjuhëve të mëdha zbehet disi edhe linguofobia ndaj termave gjuhë/kulturë e vogël. Por sa herë që përkufizojmë nocionin gjuhë e vogël apo letërsi e këtyre gjuhëve, jemi në një mendje se në kuadrin e “globalizmit kulturor” krijimtaria letrare e atyre gjuhëve e humbet autonominë, duke u bërë e varur nga përkthimet dhe përkthyesit. Pjesë e kësaj vartësie, madje që prej fillesës së ekzistencës së saj, është edhe letërsia e shkruar në gjuhën shqipe.

Gjatë procesit të transferimit të saj drejt një konteksti më  të  gjerë, përkthimi duhej të ishte futur “in medias res” me rol parësor. Me letërsinë shqiptarekjo gjë nuk ka ndodhur. Së paku jo në mënyrë të organizuar. Ku mund ta vendosim letërsinë shqiptare brenda kulturës letrare globale?

Po si ndihen autorët shqiptarë dhe letërsia që krijohet në gjuhën shqipe përballë riorganizmit të sistemit dhe kontekstit global? Vetëfajëson mbi mungesën e organizimit apo e identifikojnë si joefikase punën e strukturave, të institucioneve, të përfaqësuesve dhe të operatorëve publikë apo privatë, që prodhojnë politikat në lidhje me krijimtarinë, librin dhe produktin letrar? Pajtohen më shumë me mungesën apo me mosnjohjen e kontributeve të tyre letrare? A i janë afruar shkrimtarët shqiptarë qendrës së sistemit të letërsisë botërore apo përjetojnë ndjesinë e inferioritetit, brenda së cilës funksionojnë, si pjesë e provincializmit kulturor global?

Sa herë që bie fjala për letërsitë, pamundësia e mbrojtjes nga provincializmi bëhet e njëllojtë si për qendrat, ashtu edhe për periferitë kulturore. Sipas Milan Kundera-s provincializmi, si gjendje komplekse dhe kompleksive njëherazi, përgjon tjetërkund. Nuk ka kombe provincialë dhe kultura provinciale. Kombet dhe kulturat provincializohen. Së paku që prej romantizmit e këtej, kombet e provincializuar kërkojnë që konteksti i tyre i vogël të bëhet i dukshëm. përmes shkrimtarëve, sidomos. Si të bëhej fjalë për një detyrë, kombet e provincializuar e thërrasin shkrimtarin që t’u japë gojë edhe zë në sy të historisë botërore. Prej kësaj marrëdhënieje kombi i provincializuar identifikohet dhe beson se vendoset më pranë qendrës. Mosvëmendjen e historisë botërore ndaj ekzistencës së tyre, kombet e provincializuar kërkojnë ta kompensojnë përmes letërsisë, veçanërisht prej asaj letërsie që shprehet haptazi pro interesave të etnisë dhe kombit. Por, siç theksojnë Deleuze dhe Guattari “ngaqë në letërsitë e vogla talenti nuk është mebollëk, kushtet për shprehje të individualizuara nuk janë aq të përshtatshme sa mund të krijonin mjeshtrinpërfaqësues, i cili do të mund të ndahej nga të shprehurit kolektiv”. Ndaj dhe në këto vende, edhe pse në erën moderne të historisë, i gjejmë ende në përdorim titujt retorikë të “poetëve kombëtarë” apo “shkrimtarëve të kombit” apo i ngrenë kultin e letërsisë paraautoriale.

Kombet e provincializuar dhe ata që i drejtojnë, i udhëheqin apo i qeverisin anashkalojnë faktin se “letërsitë e vogla” kanë nevoja më të shumta se “letërsitë e mëdha”. Për ata ekzistenca formale në hartën letrare është më domethënëse se vlera që një autor i “letërsive të vogla” i shton “letërsisë botërore”.

Në Shqipëri, nuk kemi ndeshur aq bashkërendim vullnetesh e qëllimesh, sa të bindemi se po mbërrin një mendësi e re, që ia lehtëson rrugën drejt konfirmimit “letërsisë së vogël”. Më shumë se sa për suksesin, kemi kontribuar në dështimin e kësaj letërsie. Por gjithë sa përmendëm është një pjesë e marrëdhënies së kombit të provincializuar me shkrimtarin, por jo më e rëndësishmja. Shkrimtari mund ta përmbushë më  së  miri “detyrën”, por vokacioni i tij do të mbetet në limb brenda etnisë, derisa të lindet përkthyesi, portreti i të cilit brenda kulturave të vogla ka më shumë tiparet e Hermesit transportues se sa të Atlasit që mban peshë në një kulturë. Për shkak të vartësisë nga përkthimi dhe nga përkthyesi, vlerat e krijuara brenda “letërsive të vogla” rrezikojnë të humbasin apo të shfaqen me vonesë. Prej këtej, “letërsitë e vogla” krijojnë mendimin se nuk mund të maten me “letërsinë e madhe” dhe nuk mund t’i shtojnë asaj ndonjë vlerë. Krejtësisht i kundërt shfaqet provincializmi i qendrave, i cili vjen në formën e bindjes se “letërsia e madhe” “është mjaftueshmërisht e pasur dhe për këtë shkak ajo nuk ka interes mbi atë çfarë shkruhet në vende të tjera.” Është i njohur fakti se “kulturat e vogla” emetojnë po aq eufori sa ç’prodhojnë mosbesim ndaj tyre “kulturat e mëdha”. Por a kanë bërë autorët dhe institucionet e përfaqësimit të tyre përpjekje për të qenë pjesë e ndonjë sistemi letrar, në kuptimin rajonal, europian a botëror?