Një gotë verë më shumë.

Nga: Sabina Darova

Ndodhi, ashtu siç nuk do ta kishin dëshiruar kurrë të ndodhte. Në formën më të gabuar e më të pafalshme  që mund ta kishin imagjinuar. Ishte ora dy e natës  dhe ata të dy gjendëshin të shtrirë pranë  njëri-tjetrit mbuluar me çarçafin e atllaztë ngjyrë krem. Kishin konsumuar raportin e tyre të parë.

Egri lëvizi krahun të lirohej nga prania e krahut të saj,  që në atë moment po e bezdiste. Kjo bezdi ishte sinjali me të cilin ndjeu që magjia e krijuar pak minuta më parë iu zvenit dhe u rikthye në gjendjen e përherëshme, e ftohtë, pa ngjyrë, pa gërvishtje në shpirt, pa drithërima e morrnica në trup, gjendje ku rinjohu vetëveten. Mendimi i parë që i shkrepi, ishte të gjente rrobat e hedhura sa andej e këndej në dysheme e t'ja mbathte. Shpejt u kujtua që ishte në shtëpinë e tij dhe jo mik siç i ndodhte zakonisht... Por jo, më parë i duhej   të përgatiste formulën sa më  bindëse dhe qetësuese  dhe me gishtin tregues ta shtynte në drejtim të vajzës që i qëndronte pranë me sytë gjysëm të mbyllura .Tashmë ishte në perfeksionim të këtyre daljeve të situatave të rastësishme  që mbrëmjet ja sillnin  dendur ,pa e kuptuar se çfarë  kërkonte  për vetëveten. Etje për të bërë seks , apo  këmbëngulje instiktive për mos ti humbur shpresat,  se ndoshta njëra nga këto netë do ti përgjigjej  me gjetjen e një stabiliteti semtimental? Zbrazëtia i lundronte brenda me ujra kënetash prej shumë kohësh. Kjo gjendje i siguronte kontrollin e vetëvetes dhe ta vëzhgonte  botën nga lart poshtë. Duhej të ishte ai ta luante me mjeshtëri dhe jo ajo atë.

- Sonte  u ndjeva mirë, por kjo nuk do të thotë që mbas disa ditësh raporti  ynë mundet të funksionojë. Por, të. betohem që do bëj të pamunderën të vazhdojë. 

Egri shkërmoq gërmat si tespiet e  të moshuarit që lutet për një vdekje të rehatëshme. Mbyll sytë dhe akullnaja i përshkon trupin.  Tërheq çarçafin për tu ngrohur deri tek hunda.

Lea lëviz  lehtë bishtalecin ngjyrë gruri anash supit të majtë si në shenjë mbrojtje. Nuk është e sigurt se ato fjalë të rrumbullakosura i drejtohen asaj. Ndjen pështymen  ti thahet në gojë dhe dhëmbët të salduara njera mbi tjetrën.  Një re e papritur i  shpërthen me shkreptima e vetëtima mbi sy. Mbulohet në djersë dhe nuk i besohet veshëve. Si u be e mundur një gjë e tillë?  Ishte Egri ai që i nxorri këto fjalë apo dikush tjetër? 

Kishin 5 vite të gjata që njiheshin. Punonin së bashku ne qendrën e riedukimit të të rinjve që kishin dalë nga burgu për krime ordinere. Këmbenin informacione dhe ndihmonin njëri-tjetrin në trajtimin e rasteve që ju paraqiteshin . Ishin të dy psikologë. Shkonin shpesh në kinema dhe teatër. Ishin të apasionuar për të dyja zhanret. Më pas uleshin në bar dhe duke thithur tymin e duhanit  diskutonin gjatë .  Të dy fumatorë e ky faktor ndikonte në kërkimin e ballkoneve apo të mejdiseve  jo me njerëz për të shijuar tymin . Ishin miqësuar shumë dhe pothuajse çdo ditë takoheshin jashë orarit të punës. Ndjeheshin mirë.  Në heshtje kishin përcaktuar si rregull që jeta private të qëndronte jashtë marrëdhënieve shoqërore dhe nuk dinin asgjë mbi njeri-tjetrin.Lean dikush e kishte këshilluar të bënte kujdes me Egrin, sepse ai ishte  i pa qëndrueshëm në një raport afatgjatë. 

Lea ish çuditur  sepse nuk e kish menduar kurrë miqësinë e tyre në formën e një raporti  intim. Jetonin një miqësi profesionale dhe kaq. Por sonte,  në ketë natë pranvere, ndërsa putheshin ndjeu se ishte e dashuruar. Sytë e tij të jeshiltë e penetruan thellë në shpirtmdhe ajo rryme drite u transformua në kristale ylberi. I jepet atij  pa kundërshtuar, butësisht, pa fjalë e si të ishte një flokëz pambuku e mbështjell me përkëdhelje. Pa kuptuar nxjerr fjalën aq të dashur që arrin kulmin e ndjesisë, si në ekstazë: - shpirt ! 

Në këto momente ku ajo përjetom çastin pa kufij të lumturisë, ndjen kërcitjen  e gishtave të thatë të fatave që shfaqen papritur  e pa kujtuar si në përrallë e trasformojnë skenën duke vendosur objekte të tjera gati për një akt  të ri tragjik. Kalon nga Parajsa në Ferr ne pak seconda. Nuk guxon të ngrejë sytë sepse ka frikë  që të zbulojë se me cilin gjendet në krah: me një  mik, me një koleg, me një të dashur apo me një të panjohur?

E njihte shumë mirë atë shprehje, e kish dëgjuar nga kliente të sajat që vinin në studio për psiko- analizë. Shprehje që tashmë kish hyrë në modë  e vihej në konsum  si plaçkë tregu. Lea ndjen veten të paaftë për të artikuluar  qoftë edhe një arsyetim sado të thjeshtë. Habitet se si kish mundur ti ngushëllonte dhe t'ju jepte forcë klienteve në studjo. Tani që e provon mbi lëkurë  peshën  e distancës së krijuar, fjalët humbin peshë.. Gërmon në memorie të gjejë ndonjë emër, apo thenie nga profesorët e saj që mund ti vijë në ndihmë, por është e kotë. Boshllëk absolut. Mos ndoshta nxitoi që nxorri fjalen shpirt dhe kjo solli trembje nga ana e tij?

Egri e percepton dhe nervozohet. Si ka mundesi që ajo provon diçka për të?  Ai është kujdesur me të gjitha mënyrat që të qëndrojnë thjesht kolegë apo miq. E kap një gjendje ankthi nga ato që ai kish kohë që i kish harruar. E urren ankthin, bën të pa mundërën për ta evituar sepse i krijon ç'ekuilibër , i shton të rrahurat e zemrës që ai nuk do ti pranojë. Ka bërë luftë që ti harrojë këto lloj rrahjesh. I sjellin veç mundim. I duhet vetëm  gjendja quiete ku çdo objekt të qëndrojë në vendin e tij, personat që e rrethojnë të mos i shkaktojnë asnjë tension. I mjaftojnë gjendjet e tensionuara e konfliktet e klientëve .  Nuk është aq idiot sa të shtojë dozat . Kjo, duhet ta kuptojë që ishte thjesht një rrethanë budallaqe që solli  këtë situatë absurde.

- Budalla! Idiot! Dobësirë! - i thotë vetes në heshtje

- dëgjo- i drejtohet me ton të prerë, por pendohet shpejt që e tha dhe kërkon  ta zbusë.

- më duket se nuk jemi kuptuar, nuk ishte qëllimi  im që të përfundonim këtu.Ti je vajzë e mirë dhe ta hajë  dreqi, nuk dua që të humb përsëri edhe një miqësi tjetër.

Nxjerr krahun jashtë çarçafit për  të kërkuar paketën e cigares mbi komodinë. Flaka e çakmakut i spiunon  fytyrën  e tronditur.

- Nuk  dua të humb edhe një miqesi tjetër? Ç'kërkon të thuash me kete?- zgjohet Lea dhe kthen kokën vrik nga ai. Unë qënkam njëra e serisë së miqësive?

Egri kupton që pa dashje i kish shpëtuar një  e vërtetë të cilën  nuk duhej ta kishte thënë dhe i duhet ta justifikojë. 

- Dëgjo! Hesht një çast si për të fituar kohë për mos ti shpëtuar asnjë fjalë e pamenduar.

- nuk kemi folur asnjë herë për të kaluarën tonë. Kam patur një histori shumë të rëndësishme  kur isha i ri. Shtatë vjet bashkëjetesë  dhe në fund ajo iku me një tjetër. Kam vuajtur shumë.  Që atëherë nuk kam dashur të besoj në asnjë histori. Jam mirë  kështu siç jam. Ndodh që njoh dikë e më pëlqen, por frenohemm aty.  Asnjë njohje nuk ka bërë që të ndalem më gjatë se pak ditë. Merre si cinizëm apo vendosi  çfarëdo emri që të kesh qejf, por të lutem më kurse moralizmat. Kjo është  e vërteta ime.

 Hesht një çast dhe rimerr përsëri fjalën.

- Të kërkoj të falur, i gjithë faji qëndron  tek unë. Nuk je ti. Problemi është  i imi. Nuk duhej të të kisha ftuar vetëm ty sonte. Do kish ardhur dhe Timi me vajzën e tij. Një mbledhje e gjatë pune bëri që të kërkonte  ndjesë për mos ardhjen dhe mua nuk më bëri goja të thosha mos eja. Ja, kjo është e gjitha. Jemi kështu vetëm për faj të dy gotave verë të pira më tepër. Ti më pëlqen  por vetëm kaq. 

Lea mbyll sytë dhe ndjen lëngun  lotues ti rreshqasë mbi mollëza. Mallkon tradhëtinë  e ndjenjave të saja që i  ngjajnë si ato të adoleshentëve. Qënka e vërtetë që dashuria nuk e njeh moshën.  Herën e fundit që kish vuajtur ndarjen me ish të fejuarin ishte betuar që nuk do ti perseritej më kurrrë,  dhe ja, sikur pësimi të mos ishte bërë mësim , tablloja i shfaqet me të njëjtat ngjyra. 

Kthehet me rrëmbim nga ai dhe pa e kuptuar se nga merr forcë, ngre dorën dhe i jep një shuplakë. Ndjen pëllëmbën që i ndizet dhe e vendos përpara syve sikur kërkon  të gjejë të vizatuara mbi të konturet e fytyrës së tij. Dhe i sheh. I sheh aty të ndara në segmente, të thyera si pjesë të një  filxhani të kthyer përmbys. E vendosur  ngrihet, ndez dritën , tërheq cigaren nga paketa e tij mbi komodinë  dhe poshtë shtëllungave që nxjerr me të gjithë mushkrinë, i  afron fytyrën pranë dhe i pëshpërit:

- Ja kështu!  Edhe mua ashtu si ty, më erdhën në ndihmë ato dy gota verë të pira tepër.

Vesh fustanin boje kaltër që kish zgjedhur enkas për këtë natë dhe bëhet gati të dalë.

- Kunshkon tani vonë?  Te shoqeroj unë nëse do të largohesh pa tjetër- belbëzon Egri.

Lea kthen kurrizin dhe tërheq mbrapa derën me forcë. Ajri i freskët pranveror i rreh fytyrën me përzjerjen e cicërimave të zogjve . Po zbardhte. Qyteti rifillonte jetën e tij nga e para.