Vajza e shoferit

Nga: Xhabir Tabaku

 Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku

Kishte dy - tre vite, kah mbarimi i verës, Gimi përjetonte njifarë mërzije. Si biçim ankthi. Nji si boshllëk këtu mbrenda, thonte ai tek vinte dorën në gjoks. Më vjen sikur më ngjeshet peta e gjoksit për mushkni...Më merret fryma. Më bahet sikur nuk vjen ma vera.

Gjithçka lidhej me verën. Në verë, Lumja vinte me bujtë në fshat të tij. Ajo ishte e vetmja shpresë për nji jetë diçka ma të bukur për pak kohë për Gimin. Shtrihej nën nji pemë gështenje dhe andrronte pa ndalë. Andrronte veten në krahët e Lumes. Fluturonte me te, duke u përqafuar e puthur....

 Në malsi...

Në malsi...

Lumja ishte gjysëm bjonde, me shtat të hedhur si sorkadhe. E qeshur si lule, me mollëzat e kërcyera që e bënin të veçantë, të lakmueshme e t'andrrueshme për krejt djemt. Gimi kurr nuk i ishte afruar për t'i folë e për tu shoqëruar. Kurr. Druhej… Shihte veten e rrobat e vjetra dhe shihte Lumen me fustane me lule dhe e bukur si drita e pikellohej. Lumja bunte sa tek nji shtëpi te nji tjetër në katundin e tij. Babai i saj kishte mjaft miq aty. E lidhte puna.

Për fatin e keq të Gimit, babai i Lumes nuk njihej me të atin. Oh sa do donte që baballarët te ishin miq. Do jipte tërë boten për ate miqësi. Mbrenda vetes e "urrente" babën qe s'njihej me t'atin e Lumes.

Po të ishin miq, mendonte, ajo do vinte me bujt tek ne sikur shkon tek të tjerët… Do zgjoheshim heret e do shkonim për mana toke, luleshtrydhe e ferrmanza në zabel. Do fluturonim nga gëzimi që ishim pranë njëri-tjetrit... e ndoshta nji ditë vetë ajo do i afrohej, do e shihte pa droje drejtë në bebe të synit e do e rrokte butë-butë, do e puthte e do i thonte se e dashuronte paq dhe do ishin bashkë tërë jeten. Ajo do e merrte me vete në qytet, për të jetuar atje e do e bënte të lumtur... E kur ndonji zhurmë a diçka tjetër e shqiste nga andërrimi, Gimi thërriste me të madhe: -Jooooo!!!

Asnjiherë nuk iu dha rasti me folë me Lumen. Asnjiherë të vetme. Të pakten t'ia degjonte zërin e embël, t'ia shihte ngjyrën e syve. Syve pak të terhequr e të shkruar... Dhambët si inxhi, të mëdhej e të bardhe që ndrisnin që larg. Gimi veç e vështronte që tutje e strukej n'andërr t'vet. Ashtu kishte vendosur ta dashuronte Lumen. Nga larg, si për të ndjerë ankth kur ajo largohej në fund të verës për në qytet, ku jetonte e lumtur, mbeshtjellë nga njerez që e donin...

Si për ta mposhtë friken që s'do e shihte më, mblidhte grushtat fort e përshpëriste me vete: Do vije prap vajza e shoferit, do vijë... e ky mendim e ngushëllonte dhe e shtynte të mbështillej m'andërr t'vet…

- Do vijë prap vajza e shoferit! Pëshpëriste pa ia nda...

Capturecde4.PNG

Dikur ma vonë, kishte dëgjuar se vajza e shoferit nuk do kthehej më në katundin e tij. Ajo ishte larguar edhe nga qyteti i sajë... Jetonte diku në Francë. Ishte e martuar dhe kishte dy djem...

Kthehej çdo vit në Shkodër, por s'pat qëlluar të ndesheshin përballë. Asnjiherë.