Sa kujtime e nostalgji më zgjoi ky urim, o babë..!

Nga: Muhamed B. Sytari

 Imam Muhamed Sytari

Imam Muhamed Sytari

21 maj 2016. Dita e sotme nisi me një urim të veçantë nga im atë, që më largoi me mendime e kujtime, nga Wintherturi drejt Shkodërloces...

M'u kujtuan ditë e njerëz, vende e ndodhi nga më të ndryshmet, që kaluan si një rrjedhë lumi, në këto 38 vite jetë... Kujtime që më ftuan të shkruaj këto rreshta, për të dëshmuar për të disatën herë se kështu është jeta e jonë e kësaj bote; kalimtare, e shpejtë… Edhe pse nganjëherë, duket se ajo pengohet diku, për t'u zgjatur në dëshirat e saj për të imponuar veten, por më kot, nuk ia arrin dot, është dhe mbetet kalimtare! Dhe, kalimtarët janë të mangët, nuk i plotëson gjë, e kanë një fillim, e kanë edhe një fund...

Edhe ne raca njerëzore jemi të mangët, sepse jemi kalimtarë, nuk është ky vendqëndrimi ynë përfundimtar, atë e fitojmë nëpërmjet zgjidhjes së ekuacioneve të ndryshme të jetës tonë, (që ngjet me një numratore...), rezultatet e të cilëve do të na vizojnë rrugën drejt përjetësimit.., atij, ku nuk do të jemi më kalimtarë...

Këtu më vjen ndër mend thënia e Hasan Basriut, që i drejtohej njeriut, cilitdo njeri, me këto fjalë: "O bir i Ademit, ah sikur ta dish se ti je një numër; çdo ditë që kalon nga jeta e jote, pakësohet diçka nga numri yt!”… E, në fakt, kjo është e vërteta e madhe jetës sonë. Kjo është e vërteta e vetë jetës në këtë univers!

Urimi i babës, më mori për dore drejt thellësisë së kujtimeve… U takova edhe me Gjyshin e Nanen, me të afërm e të njohur, me shokë e mësues, me komshi e bashkëmoshatarë… Dola të loz pak edhe në bahçen e madhe të shtëpisë, ku u rrita... Vrapova me një frymë, bile dëshirova edhe të rrëzohem e të vras gjunjtë, si dikur… Kërkova sa djathtas-majtas për Gjyshin. E gjeta duke punuar, pa nxitim, pa ngut… Nuk ia prisha qetësinë, madje as e thirra, edhe pse më kishte marrë malli ta thërras e të shoh reagimin e tij, shoqëruar me buzëqeshjen e tij, si bekim për mua…

U ktheva. Ndala hovin e vrapit tim dhe, vura re se diku në një cep të oborrit po punonte Nana, në botën e saj pastërtore, në paqen e shpirtit të saj, në shembullin e pashoq të gruas së fisme… E pashë me mall, buzëqesha dhe, nuk ia prisha qetësinë… Sa kujtime e nostalgji më zgjoi ky urim, o babë..!

Nganjëherë mendoj se është mirë që njeriu të ketë sa më shumë ditë e momente reflektimi në jetën e tij. Na bën mirë reflektimi. Na bën mirë të kthehemi në kujtesë, për të mos harruar tabanin, origjinën, shpirtin, ata që jemi e çfarë përfaqësojmë, nga vijmë e ç’bartim me shpirt e në shpirt, brez pas brezi…

Na rikujton sesa të vegjël jemi, edhe pse numrat e pranisë tonë mbi tokë rriten vit pas viti, e ne nuk e ndjejmë, a bëjmë sikur kuptojmë se përse është mirë të ndalesh pak në stacionin e datës së ndërrimit të viteve të jetës tënde; pa bredh e pa zbukurime, pa pritur dhurata e pa kërkuar në botën e iluzioneve… Sepse jeta rrjedh në heshtje, e lodhur dhe e rraskapitur, teksa bart mbi supe një thes të madh me sekrete e të pathëna, me psherëtima e biseda me yjet, netëve të gjata të përpëlitjeve të mëdha…

Na rikujton sesa e nevojshme është që dikush të të përkujtojë stacionet e reflektimit, që në fakt të mundësojnë afrimin e mëtejshëm me Zotin, të mundësojnë shumë më shumë sesa rutina e përditshme e jetës në hutim e vetëkënaqësi…

Sa kujtime e nostalgji më zgjoi ky urim, o babë..!

Muhamed B. Sytari
Winthertur, 21 maj 2016