Përsiatjet e një poeteje mbi konstruktin e munguar në shqipen standard.

 

Nga: Entela Tabaku Sorman

Gjuha shqipe standard nuk e njeh formën e infinitivit (ndryshe "forma bazë e foljes"). Shqipja standard njeh vetëm pjesoren, që s’është veçse një formë e pashtjelluar me të cilën ndërtohen format e përbëra të foljes. Përkrah saj pastaj radhiten format e tjera të pashtjelluara që mbartin kuptimet e veta të veçanta. Në gramatikë pjesorja njihet si particip, nga vjen edhe përkthimi i termit – pjesë e diçkaje. Por pjesorja nuk është infinitiv, prandaj kur përkthejmë foljet nga gjuhët e tjera, jemi te detyruar të themi avere, (to) have, avoir, (att) ha = kam. Por ”kam”, ju e dini, do të thotë ho, I have, j’ai, jag har. Po mirë, dihet se përkthimet kështu janë, jo gjithmonë një gjuhë e ka gjegjësin e gjuhës tjetër. Veçse … shqipja e ka infinitivin, formën bazë:
avere, (to) have, avoir, (att) ha = (me) pasë
essere, (to) be, être, (att) vara = (me) qenë
cantare, (to) sing, chanter, (att) sjunga) = (me) këndu
prendere, (to) take, prendre, (att) ta = (me) marrë
aprire, (to) open, ouvrir, (att) öppna = (me) hapë

Mandej, a e shkruajmë me diftong “ue” a pa diftong, a e shkruajmë me “q” a me “k”, ky është problem krejt tjetër, që zgjidhet me vendime gjuhëtarësh, ashtu siç u vendos përdorimi i “ua”, edhe pse jo gjithë toskët e shqiptojnë. Personalisht mendoj se duhet të zgjedhim ato variante që i afrohen sa më shumë toskërishtes, për hir të njesimit, prandaj s’ka më nevojë për diftongje në fund të foljes. Dhe “q” është krejt e pranueshme. Ne shkodranët vazhdojmë me kenë :D Këto format e mësipërme unë i dëgjoj të përdoren edhe nga toskët. 
Po pse duhet infinitivi? Pse as paskajorja, as lidhorja nuk mundet ta zëvendësojnë infinitivin në ndërgjegjen e atij që e ka këtë formë në gjuhën mëmë. Po marr si shembull veten time. Unë e njoh shumë mirë shqipen standard, jam shkolluar gjatë. E njoh shumë mirë shkodranishten në veçanti, por kam lexuar shumë letërsinë gege në përgjithësi. Gjithashtu i kam studiuar traktatet, manifestet, përpjekjet, shkrimet e paraluftës në kërkim të njesimit të gjuhës sonë, si të një shqipeje standard, ashtu edhe të një gegërishte standard. Mandej i kam studiuar si funksionojne edhe gjuhët standard të vendeve të tjera. Dhe standardi, kuptohet, përjetohet gjithmonë dhe kudo si dhunë e domosdoshme ndaj lirisë së dialekteve për hir të njesimit, por në rastin e një populli kaq të vogël sa tonin, mohimi i një konstrukti kaq të rëndësishëm gjuhësor sa infinitivi, i pranishëm në vetëdijën e së paku 70% të popullsisë, më duket marrëzi, çmenduri, keqdashje. Ja për shembull unë dua të shkruaj strofën e fundit të poezisë time “më vjen një dëshirë".
Shembull:
IV
më vjen kajherë një dëshirë
e marrë
me t’u futë në krye
e me t’i mendu mendimet
si i mendon ti
me të hy në zemër
e me ta pulsu gjakun
si e pulson ti
me t’u përveshë në gishta
e me e prekë botën
si e prek ti

më vjen kajherë një dëshirë
një poezi
më vjen me u mbytë në të
krejt
e mos me dalë ma

Tashti mua do të më pëlqente të shkruaj në standard, largësia m’i ka shtuar ndjenjat kombëtare. Studimet gjuhësore ma kanë shtuar vetëdijën e rëndësisë së gjuhës standard. Dhe nuk kam ndonjë urrejtje politike, gjuhësore, fetare, krahinore, gjinore, etj, që më pengon të dua të shkruaj në standard. Para se të jem shkodrane, jam shqiptare. Dhe jam poete dhe dua të më lexojnë të gjithë. 
Mund të zgjedh dy variante në standard, ose do të përdor paskajoren, ose formën lidhore të foljes. 
Shembull:
IV
më vjen nganjëherë një dëshirë
e marrë
për të t’u futur në kokë 
(të të futem në kokë)
e për të t’i menduar mendimet
(të t’i mendoj mendimet)
si i mendon ti
për të të hyrë në zemër
(të të hyj në zemër)
e për të ta pulsuar gjakun
(të ta pulsoj gjakun)
si e pulson ti
për të t’u shpërvjelur në gishta
(të të shpërvilem në gishta)
e për ta prekur botën
(ta prek botën)
si e prek ti

më vjen nganjëherë një dëshirë
një poezi
më vjen për t’u mbytur në të 
(të mbytem në të)
krejt
për të mos dalë më 
(e të mos dal më)

Është e vështirë për mua ta përjetoj poezinë si e përjeton një toskë, por për mua sidomos paskajorja, por edhe lidhorja i japin kuptime shtesë poezisë, i japin një qëllim, një synim realizimi, një forcë më të madhe dëshirore nga ajo dëshirë që dua të shpreh unë me infinitivin tim. Ndoshta për një toskë është e njëjta gjë pse nuk e ka konstruktin, por për mua “Kam dëshirë me prekë botën” nuk është e njëjta gjë si “Kam dëshirë ta prek botën”, pse forma e lidhores ka një dëshirë dhe synim në vetvete, që infinitivi nuk e ka. Infinitivi është neutral, asnjanës. Kur përdor infinitivin jam unë poetja që vendos, lidhorja më lidh. Për të mos folur për paskajoren, që është fuqi më vete shprehëse. 
Unë dua të vendos përmbi gjuhën, pse ky është misioni im. Unë jam poete, prapa më vjen gjuha :)