Qyteti


Nga: Laureta Petoshati

 Laureta Petoshati

Laureta Petoshati

Qyteti nuk janë pallatet, 
qyteti janë njerëzit më të lartë se katet.
Qyteti im një kryqëzim i shpeshtë,
i fisnikërisë me njerëz të thjeshtë.

Qyteti s’është fushë që prodhon kallinj, 
por është kurorë kallinjsh të spikatur,
qyteti më shumë se hapësirë,
është kohë për gurë të latuar, të matur.

Ai ka hov shpirtëror e durim tronditës
dhe heshtjen ligjëratë kur është shpotitës.
Qyteti ka elegancë, por nuk është dukje,
është vetëpërmbajtje të mos biesh tutje.

Qyteti të gënjen sikur është argëtim,
kur është punë me rregull si nëpër tempuj, 
ai është mund, shkencë e doktrinë, 
qe hedh themele për të tjerë shekuj!

Në qytet çdo ikje është një dhimbje
dhe jo çdo dhimbje është një ikje,
por çerdhe për libra dhe zogj, përtëritje!