Lule në varrezë

Nga: Ramiz Gjini

 Ramiz Gjini

Ramiz Gjini

Ata ndiqnin që të dy të njëjtin rit: çonin lule çdo të diel në varrezë. Liseta Blumi e varrosi të shoqin dy muaj më parë pasi vdiq nga një sëmundje e pashërueshme. Pesëmbëdhjetë vjet martesë, ata u deshën me zemrat plot dashuri dhe kurrë nuk i thanë njëri-tjetrit një fjalë të keqe. Por njerëzit e kanë të shkruar në defter ditën kur kanë ardhur, dhe në ball, - ditën kur duhet të shkojnë, dhe s’ke si i mban në këtë jetë virane përkundër urdhërit të Zotit tonë. Edhe Alvaro Tili e përcolli tek të shumtit ish gruan e tij, një bukuroshe me sy të qeshur e vetulla kaleshe, që i pati dashur shumë njerëzit dhe lulet. Ende nuk i kishte shkelur të dyzetat kur vdiq për shkak të një aksidenti automobilistik.

Qenë banorë të një lagjeje, madje kishin pasur edhe hyrje e dalje, ku kishin pirë kafe e hedhur ndonjë gotë me masë në ditë urimi festash apo raste të tjera. Tani jetët e tyre kishin ndryshuar, nuk qenë më ato të mëparëshmet dhe kujtimet e së shkuarës u bënë kaq të dhimbëshme e mallëngjyese!

Captureduuuj.PNG

Ditën e diel ata u panë në varrezë, jo shumë larg njëri-tjetrit, me sy të përlotur e me zemrat copë nga dhimbja për të dashurit e tyre. Liseta Blumi kish sjellë për të shoqin një alamet buqete të madhe: trëndafilë të kuq, lule balsami, këlkaza e gjeorgjina; kurse Alvaro Tili, atë ditë, pat sjellë trëndafilë të bardhë, lule shëmitri si dhe një lule “Mos më harro.” Këtë të fundit, ai e mori bashkë me vazon, në verandën e shtëpisë së tij dhe ia vendosi të ndjerës pranë varrit. Qëndruan gati dhjetë minuta pranë varreve, secili në hesap të vet; pastaj kur vendosën të largoheshin, ecën një copë herë mbrapsht siç qe zakoni, për të mos u kthyer menjëherë shpinën të vdekurve; dhe së fundi, u drejtuan për nga rruga kryesore, ku ndodhej një kënd lojrash për fëmijë si dhe një stacion autobuzi. U takuan bashkë në rrugë, u përshëndetën e u pyetën me njëri-tjetrin.

Tek stacioni i autobuzit Liseta ndaloi, por Alvaro Tili, i tha asaj, se s’qe nevoja të merrte autobuzin për të shkuar në shtëpi; ai shtoi se mund ta çonte me makinën e tij. E kish parkuar vetëm tridhjetë metra më tutje, ku ndodhej një dyqan riparimi televizorësh. Asgjë të keqe nuk kishte, madje ai ndjehej i detyruar për këtë. Ajo u shtyp e u mblodh njëherë nën vete nga zori, por tek e mbramja pranoi.

Që të dy, nisën të ecnin drejt makinës. Pastaj, ajo zuri vend në sediljen e parë, gjithnjë e heshtur, duke fshirë herë pas here lotët me një shami të bardhë të qendisur plym me lule imcake. Tjetri në timon, - i përmbajtur e gjithë mirësjellje, sepse burrit, nuk i ka hije ta lëshojë veten, sado e madhe të jetë dhimbja.

Rrugës ata hodhën nga një fjalë më të rrallë duke kujtuar të vdekurit e tyre. Ai tha se ish gruaja e tij, kish qenë një ëngjëll i zotit, i kish dashur shumë njerëzit dhe lulet, dhe se qe i sigurtë, që kishte vajtur në vendin më të bukur të parajsës. Edhe Liseta Blumi nuk ia la mangut të shoqit, për të cilin, ajo foli më tepër me lotët që i rridhnin çurk, se sa me fjalët, që mezi i nxirrte nga goja prej dhimbjes së thellë.

Capturesa222w.PNG

- Ishte kaq i mirë...! - pëshpëriti ajo përmes lotësh, - Gjithnjë më thoshte: duhet jetuar jeta Liseta, sepse do të vdesim një ditë....!” - U mbyt në ngashërim e memzi pëshpëriti: - Sikur ta dinte, i shkreti...!

Alvaro Tilit iu dhimbs më tepër kjo e gjalla e huaj se sa e vdekura e tij. E zbriti Lisetën jo shumë larg shtëpisë së saj, që ta bënte në këmbë një copë rrugë, sa për sytë e miletit.

- Të dielën tjetër, mos u mundo të marrësh autobuzin, - i tha ai para se ajo të zbriste, - Kemi makinën time. Shkojmë bashkë, vendosim lulet, pastaj kthehemi.

Ajo nxorri një ofshamë dhimbjeje, firoma e së cilës, iu përplas lehtë në fytyrë tjetrit dhe i shkaktoi një trallisje të ëmbël. Një ngrohtësi fryme gruaje e gjallë, tamam si ajo e së shoqes, kur ai ia merrte kokën në duar e i gëzohej lektisjes së saj. Iu kujtua edhe ajo përpjekja e saj për t’iu shmangur shikimit të tij zhbirues, si dhe një ndjenjë turpi prej çupëline, që e këndellte dhe e grishte për ta shtrënguar më fort në kraharor. Iu zgjua në lukth një lloj dhimbje e mëshire, që çuditërisht, nuk ngjante hiçfare me atë dhimbjen, që ai ndjente për të shoqen e tij të vdekur.

Të dielën tjetër, Alvaro Tili nuk u mundua të shkonte deri tek dyqani i luleve, që ndodhej disi larg nga shtëpia e tij, por i mblodhi ato në oborrin e shtëpisë. Qenë të gjitha lulet që kish pas mbjellë e rritur e shoqja, tashmë e vdekur. Kurse Liseta Blumi, i pat blerë lulet për të shoqin e saj, qysh të premten teksa kthehej nga puna, ku punonte mësuese në një shkollë fillore. I kish futur në një enë qelqi të mbushur me ujë, që të mos vyshkeshin e pakeshin gjer të dielën në mëngjes. Vajtën me makinë në varrezë që të dy, por nuk qëndruan gjatë, vendosën lulet dhe morën të iknin, Liseta duke fshirë një sumbull loti që i shkau faqes, kurse tjetri, i heshtur e me mendjen të pushtuar nga mendime të turbullta. Ndërkohë akrepi i orës po i qepej dhjetës dhe vapullimi u shtua. Makina rrëshqiste përmes rrugës tërë pluhur e gropa; pastaj ato karrocjerët që transportonin mallëra për të mbushur Rrugën e Pazarit, qenë bërë vërtet të bezdisshëm: as që donin t’ia dinin për makinat që çirreshin me boritë nga prapa. Ai i ra kushedi për të satën herë borisë; pastaj uli xhamin dhe i foli karrocierit që të hapte rrugën. Tjetri qe pështetur mbi sediljen e tij prej lëkure deleje dhe gati po e zinte gjumi nga lëvizja e ngathët kalamendëse dhe cingëritja vajtuese e rrotave. Ktheu kokën dhe i hodhi një vështrim të ftohtë e indiferent; sëfundi hapi krahët si të deshte të fluturonte e gjithë nerva briti:

- Po ti more zotni, nuk e shikon, që rruga është e ngushtë dhe nuk ka vend për t’u shmangur?! Dhe gjithë inat, u kthye e u rehatua në fronin e tij.

Nga xhami i hapur i derës së makinës hyri befas me gumëzhimë therëse një grerëz e verdhë, që Lisetës iu bë se erdhi andej nga varreza. E kish parë një grerëz të tillë edhe në varrezë në çastet kur gjendej pranë varrit të të shoqit. Madje ajo qe e bindur, që e kish parë atë grerëz gati çdo të diel. Ta kish ndjekur vallë Lisetën, që nga varreza?! Ajo, u përpoq ta largonte me një lëvizje dëshpëruese të dorës, por insekti nuk donte t’ia dinte. Sillej e përsillej gjithë nervozizëm rreth kokës së saj. Atëherë ajo, pati për pak çaste një ndjesi mistike: athua se rreth kokës së saj po sillej shpirti i të shoqit! Kur klithi me atë britmë miturishte, e kishte marrë thumbin e helmatisur mu në shpinë të dorës së djathtë.

- Oh, nëna ime! - ia bëri e llahtarisur ajo. Dhe kur e mblodhi disi veten, me zemrën që i dridhej në kraharor, pyeti: - Thumbojnë shpirtërat e të vdekurve, Alvaro?

- Thonë, që vetëm të liqtë thumbojnë nganjëherë, - u përgjigj ai. Ajo i hodhi atij një vështrim mosbesues, pastaj u përqëndrua me sytë e trishtë mbi thumbin e ngulur në shpinë të dorës. Tjetri u përpoq ta shmangte disi makinën nga rruga, pastaj ndaloi e tha se duhej hequr patjetër thumbi.

Liseta Blumi, nuk kish zemër ta bënte një gjë të tillë, ndaj mbylli sytë dhe ia zgjati dorën tjetrit. - Ma hiq, Alvaro, të lutem! - i tha ajo.

Ai e mori dorën e saj të vogël në duart e tij të mëdha. Pastaj ngriti për një çast sytë dhe i pa Lisetës qerpikët e mbyllur. Fytyra e saj e lodhur me qerpikët ende të njomur nga lotët, kishte një pamje të fisnikëruar nga dhimbja. Lakesa e buzëve të saj të mjelmëta, sikur mbartëte një ngarkesë misteri të ëmbël si dhe një shqetësim të pafajshëm prej ëngjëlli. Ato çaste, atij iu duk, se fatkeqësia, ia kish bjerrur disi bukurinë e parë Lisetës për ta mveshur plym me nje bukuri tjetër, me një bukuri të re e të shenjtëruar, dhe çuditërisht, ai kuptoi, se do të deshte ta shikonte gjatë kështu: me sytë e fashitur, duke frymëmarrë e ëndërruar në një dhomë të qetë, larg rropamave të botës. Me një veprim të ngadaltë e të kujdesshëm prej eksperti, ai ia hoqi thumbin, që ravgonte si një gjallesë e vogël. Pastaj, kur ajo ndjeu se kjo punë kish sosur, çeli sytë. Ai i tha asaj, se duhej të gjenin shpejt akull për ta vendosur mbi plagë.

- Të djeg? - Pyeti Alvaro pas një copë here.

- Po, - tha Liseta me gjysëm zëri, - madje ka filluar të enjtet e të rrahë si zemër.

- Hiqe unazën, - tha shpejt e i vendosur ai, - nuk është mirë të enjtet zemra me unazën në gisht.

Asaj i bëri përshtypje mendimi i tij, i shprehur ndoshta gabimisht, për shkak të krahasimit që bëri ajo, por s’çeli gojë. E hoqi unazën e martesës me lehtësi dhe e futi në çantën, që mbante në prehër. Pastaj u mbush njëherë me frymë e ra në një gjendje soditje të thellë e ëndërrimi kapitës.

Si hynë në qytet, pa e pyetur fare, ai ndaloi pranë një lokali qarkuar rreth e rreth me shelgje lotues e tha:

- Këta duhet të kenë patjetër akull në frigorifer. I vendosim akull përsipër dhe rrimë pak kohë, pimë diçka sa të kalojë, pastaj shkojmë. Mirë, Liseta?

- Mirë, - pranoi ajo urtë e butë me zë të dridhur. Dhe duke i treguar dorën shtoi: - Vërtet ka filluar të enjtet, shikon?!

Ai ia mori edhe njëherë dorën në të tijat, e vështroi e i tha:

- Është skuqur... Besomë mua, Liseta: akulli do t’i bëjë mirë. Ti vetëm qetësohu. Nuk do ta lëmë të malcohet.

Hynë brenda në lokal ku disa llampa të vogla, që imitonin qirinjtë, përhapnin një dritë të zbehtë e të kuqërremtë. Asnjë klient për bè nuk ndodhej aty. Dritaret qenë mbyllur me perde të rënda damasku plot dantella dhe zhurmat nga jashtë memzi dëgjoheshin. U ulën në një tryezë dhe qëndruan një copë herë pa folur me sytë nga banaku, ku një grua dukane rreth të tridhjetave, e veshur me një triko të hollë ngjyrë rozë, me jakën të hapur e gjoksin të kërcyer jashtë, sistemonte shishet e pijeve në rafte e këndonte me një zë ngazëllyes një këngë dashurie. Flokët e verdha i kish lidhur nga pas me një fjongo të zezë, kurse zelifet si fjolla anës faqeve të mbushura bardheborë, memzi i dukeshin. Ajo u kthye një çast, i vuri re, buzëqeshi, e si të deshte të shfajsohej tha:

- Oh, më falni...! Këndoj nganjëherë kur në lokal nuk ka klientë!

- S’ka gjë! - e qetësoi Alvaro. - Të këndosh është bukur.

Tjetra vajti të fshinte duart me një peshqir të varur diku nga brenda banakut.

- Kam qenë njëherë këtu me të ndjerin, tim shoq, - theu heshtjen Liseta. - Edhe atëherë e gjetëm duke kënduar!

Ai nuk reagoi, athua se ajo nuk kishte folur fare. Ndërkohë, kamarjerja kish mbërritur pranë tyre dhe ai e pyeti nëse kishin akull.

- E duam për ta vendosur mbi plagë, - shpjegoi Alvaro. - Na sill edhe nga një gotë uiski. Kamarjerja buzëqeshi, thjeshtë për faktin se duhej ta bënte një gjë të tillë me klientët pasi në të vërtetë, ajo nuk kuptoi asgjë nga ato që i thanë në lidhje me akullin. Vajti dhe solli një pjatë të vogël e të cekët të mbushur me akull si dhe dy gotat me pije dhe u largua.

Ai e mbushi dorën me akull dhe ia vendosi Lisetës mbi plagë duke e mbajtur ashtu për disa minuta. Pastaj me dy duart e tjera, ata kapën gotat, i çikën dhe hodhën gllënjkat e para. Liseta e ndjeu ftohtësinë e akullit t’i hynte gjer në palcë, një ftohtësi e lagësht që ia shkimi djegësinë e dhimbjen ia shugati si me dorë. Pastaj, dalëngadalë, çuditërisht ajo nisi të dridhej, ndërsa ndjente zemrën se si filloi t’i rrihte fort në kërkim të një zjarri të ri, të një zjarri, që as edhe një mal me akull nuk do të mund ta shuante dot.