Te berberi...

Nga Xhabir Tabaku.

 Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku


Janar. Binte shi e borë bashkë… S’di a kemi fjalë në veri për shiun e boren bashkë. Më duket se në jug i thonë shqotë. Edhe un shqotë do i them.Më pëlqen fala shqotë. Isha lagur dhe po dridhesha së ftohti. Nuk më pritej të shkoja në shtëpi mbasi kisha frikë se do ngrija. Thirri mendjes, i thashë vetes e më ra ndërmend berberi. Te berberi përherë ka ngrohtësi. Përherë është nji stufe me dru apo nji furrnelë me korent. Kurr nuk mbaj mend të kem mërdhitë te berberi. Mirëserrini! I përshëndeta të gjith por asnji përveç berberit nuk ma ktheu. Kujt po i rruhet thashë me vete, se mos erdha me zanë shokë këtu. Erdha me marrë nji të ngrohte e pikë. Isha i treti në radhë. Po lutesha që të vinte ndonji i moshuar per t’ia lenë radhen time për “respekt”. S’desha të dilja nga aty pa pushuar shqota ose pa mbyllë berberhania. Kaq kisha mërdhitë. Nji burrë në moshë të mesme, diku në te katërdhjetat po tregonte nji histori me zgjedhjet e fundit... nga tregimi e mora vesh se ishte katundar. Jo vetëm se tregonte për ngjarje në nji katund diku në malësi të Tiranës por edhe për mënyrën se si fliste. Nji tjetër që me sa kuptova iu duk e lehtë me e dominue katundarin hovi në bisedë dhe tregoi se si edhe ai me ca kushërinj kishin vjedhur vota për njëren parti në dëm të tjetrës... Haha njëri e haha tjetri u gajsën katundari e kryeqytetari. Flisnin për hajni sikur të flisnin për ndonji virtyt të rrallë. Aq mori zemër katundari, (më duket se edhe kish pirë se fliste e qeshte vetë pa ia nda) sa që edhe kur ia shkumoi berberi ftyren s’i hyri gjuha në gojë. Tregoi se si ai e ca katundarë të tjerë e kishin rrahur nji herë nji vëzhgues nga Tirana kur kish shkuar në qendrën e tyre të votimit në fshat. Edhe miku i tij qytetar por edhe të tjerët gajaseshin. Edhe berberi me ta. Nuk kuptoja se pse qeshnin si të lojtur... Por a ma ndjeu thuaj? Hiç. Kisha shkuar për tu ngrohë dhe u ngroha sa mu shkri shtati. Fillova të shtriqesha në ndejësen time dhe mora nji revistë nga ato me vajza me sisa jashtë. Se pse mendojne berberët se njerëzia i kan qef ato revista ! Nejse, as që mu bë vone për subjektin e revistës përderisa po ndjehesha mire me ngrohtësinë e ambjentit. Që i vogël mbaj mend që era e berberhanës me pëlqente. Bile mbaj mend ia pata thënë nji berberi qe e kishte baba shok, e sa herë shkoja mbas asaj dite ai më hidhte nji çikë kolonjë në trinë të dorës. I vetmi berber që kishte baba shok. Atëkohë mbaj mend që njerëzit e mbanin gojen të kyçur tek berberi mbasi thonin se berberët çoku ishin spijunë. Ai berberi që na shpinte baba kishte qenë në burg. Xhaxhai im i cili ishte mik me berberin dhe kishin bërë burg bashkë i kishte folur babait fjalët më të mira për të. Prandaj baba vetëm atje na shpinte. Ai më thonte se e gjejme përherë vetëm ngase njerëzit i rrijnë larg, nga frika që nuk donin ti shihte ndonji spijun duke ndejë me berberin e ish burgosur. Në të vërtetë kurr nuk i pata besuar babait... Ai berberi mi qethte flokët përherë keq e mendoja se ajo ishte arsyeja që njerëzit nuk donin të qetheshin te ai. Mendoja nga ana tjetër se edhe baba e dinte por shkonte sa për ta bërë të ndjehej mirë. Nejse. Ashtu si u luta ashtu ma solli Zoti. Nji xhajë nja pesëdhjetë a më shumë erdhi për tu qethë e rruar. -Kemi nji rast e më duhet të shkoj i kërpitur tha ai dhe zuri vend. I rraha shpatullen e bëra rolin e zotnisë. – Merre radhen time, i thashë me nji buzëqeshje të lehtë. Më falenderoi i shkreti e më dha ca urata për nderin që i bëra. Ndërkohë katundari kishte ikë. Nuk më kujtohet mirë por më duket se iku pa përshëndetur njeri. Ai tjetri që kishte vjedhur vota sa ishte shqepur për njëren parti në dëm të tjetrës po vishej duke vishkulluar nji “kongë tironce”. Ishte edhe nji para xhajës e mandej un. Xhaja si duket njihej me berberin se s’lanë kend pa marrë nepër gojë. Me mace e me mi, krejt mëhallen. Vajza e Hasanit kështu e djali i Hazizit ashtu... kështu Maria e shoqja e atij shiksit qe s’kishte lënë gjë pa bërë e ashtu Dorina e bija e shitësit të mishit. Ma shpifën e mbeta me sy nga dritarja me shpresen se mos ndalte shiu. Nuk binte dhe aq xhanëm por pata mërdhitë shum. Deri në palcë më pat hy të ftohtit. U rrua e u qeth xhaja e nuk i hyri gjuha në gojë, bashkë me berberin. Pagoi e më përshëndeti me doren nalt te balli, gati si ushtarakët. Ai sa doli dhe un u ngrita për tu ulë në ndenjesen historike të berberit.Ata ndejset me meshinë ngjyrë kafe në të zezë tërë plasa si lëkurë fiku. Tek po drejtohesha për aty ai ja priti: – A e pe këtë qe doli? Filipin? -Po, i thashë e pashë por s’e njoh kush është... Gruaja e tij është nji kurvë kurve. Ka ikur me dashnorin e vet në gjermani e ky leshkoja më thotë se ka vajtur te çupa në Zvicër... U ndala. Më erdh me vjellë. Gati sa s’volla. Ndërrova mendje, i thashë berberit. Po iki. Ktheva mbrapsht dhe tërhoqa xhaketën nga kremastari dhe tek po e vishja seç murmurita as vetë s’e di. Ai kishte ngelur duke më pa si dac. Po pse kështu? Ç’pate? Hiç hiç, i thashë dhe futa doren në xhep e i dhashë ca kacidhe. Pa mbyllur deren mire ia futa nji: Të shkërdhefsha robt. Nuk e di a më ndigjoi a jo, po kush e rrojti!