Meditim mbi një tryezë pune.

Nga: Amazona Hajdaraj

Ndoshta nga që fotoja asht shkrepë në masditen e parë, mbas kafes së dytë, për këtë po më duket tryezë pune kaq e rregullt. Herë - herë ka një konfuzion total, ashtu si mendimet e mia...të cilat gjatë tetëorëshit ndalen herë ketu e herë aty. Këtu nuk kam shumë mundësi për meditim por kam posicionin ma të mirë me pa kur gjethet fillojn me ra në vjeshtë, kur flokët e para te borës ledhatojn trungun e zhveshun, kur pëllumbat bajnë gjiron e nadjes e të drekës në kërkim të ndonjë dramce buke e ku shpesh herë vështrimi im ndalet te ndonjë i pastrehë i sapo zgjuem në ate stol ku ka kalue naten. Por nuk asht e lehtë me e hedhë shikimin nga dritarja herë mbas here, sespe kolegia ime përballë, mund të më marri për të çmendun, duke vërejtë ndërrimin e shprehjes time të fytyrës. Asht ma pa rrezik me hedhë shikimin në telefon, në kërkim të ndonje mesazhi.

 Photo: Claudia Dea

Photo: Claudia Dea

Puna më ka rrëmby gjithmonë, jo vetëm pjesën më të madhe të jetës por gjithë qënien time, mbasi më pëlqen të jem e saja (por e saja e jo skllave e parasë). Kur një herë vajza ime, në shkollë elementare, më pyeti si mund ta zhvillonte një temë hartimi mbi bankën e shkollës, për momentin u habita, por jo edhe aq mbasi mendova se mësuesja ndoshta donte të nxiste fantazine e tyne, apo ndoshta meditimin mbi obiekte të cilat marrin jetë, ashtu si merr jetë një copë letër e shkrueme dhe e zhubrosun e hedhun në kosh, e marrun prap me shpresen se diçka aty mund të të vlejë… Më ngjiste ma fort kur aktivizohesha në punë të rëndomta fizike, se ndryshe truni funksjononte më mirë... dhe në mos gjetjen e nje letre (masi lapsin e kisha gjithmonë me vehte, me nenvizu pjesë te romaneve ) vrapoja në kërkim të asaj higjenike. Tash po meditoj mbi atë letër higjenike të shkrueme që përfundonte në xhep e ma vonë me dale prej lavatriçes në pjesëza te vogla.  Si me dashtë me më nervozue për pakujdesinë. Një pakujdesi që shpesh herë i shkakton edhe gërvishje makinës teme kur e parkoj rrazë murit. Edhe aty më ndodh me gjetë një copë letër të shkrueme: “é questo il modo di parcheggiare la macchina"? A kështu parkohet makina? E kjo pakujdesi mendimi, ku shpesh herë humbas si në lexim a në meditim, më ban me ngatërru rrugët në autostradë dhe me përfundu një ore ma larg shtëpisë, edhe nëse e kam të shkruem me përpikmeri në letër cilen rrugë duhet të marr. Më vjen keq ta nxjerr prej cante sepse nuk di se çka mund të dalin prej aty ma parë. Më duhet me e kthye përmbys çanten dhe mbase humbas edhe letren (ne fund me mirë te humbas rrugën se letren!!). Kjo pakujdesi më ka ba shpesh herë me hyp edhe në një tren për një tjetër e bindun se jam ne trenin e duhun... (në fund trenin e duhun e gjej gjithmone anipse me vonesë). Kjo pakujdesi, i ban komshite e mi që s’kanë me çfarë merren, me mbërrijtë në konkluzionin se jam nje tip i çuditshëm, mbasi nuk i lejoj ti afrohen trunit tem të pakujdeshëm. Tek e fundit: Pse duhet të afrohen? Për me dalë prap në të njëjtin konkluzion që jam një tip i çuditshëm? Ja pra meditimi mbi një tavoline shkrimi ku të çon… U ula me shkrue dy rreshta për këtë foto dhe në pakujdesi, përfundova me nxjerr një pjesë të difekteve të mia që adhuroj. Më japin harmoni në rrutinen time të përditshme. Interesant e? Ka ma por po mjaftohem me kaq. Njerëzit janë të çuditshëm thonë disa me çudi… Un veç ve buzen në gaz tue e pa vedin si ma të çuditshmen ndër ta.