Saiti

Nga: Xhabir Tabaku

 

 Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku

Ishte vetëm 18 vjeç kur e paten thirrë ushtar. Në Marinë e çuan. Në Vlorë. Ishte me biografi të mirë kështu që do e hante tri vjet. Më mirë si ti, me biografi të keqe i thoshte ai Ruzhdiut, shokut të tij më të ngushtë. Ruzhdiun e kishin caktuar në nji repart ushtarak që kryente punime xheniere. As pushkë nuk më kan dhënë i thoshte ai Saitit me të qeshur. Vetëm një prej druri e me të na mësojnë se si ta luftojmë armikun trup me trup. Gajaseshin të dy. Vitin e parë, Saitin e lanë vetëm nji herë me leje. Pesë ditë. Nuk i hynë në sy fare. Më parë mbarojnë se fillojnë thonte ai. Kaluan ca kohë dhe familja e Saitit nuk po mirrte letra nga i biri. Prit e prit dhe nji ditë Kasemi, i ati i Saitit, vendosi të shkonte vetë në repart. Atje poshtë ne Sazan. Nuk kishte qenë kurr në jug Kasemi. Kurr përtej Tiranës. Edhe në Tiranë kishte qenë vetëm dy herë. Nji herë me Nafijen kur ishin martuar dhe nji herë tek doktori i syve për të bërë nji operacion. U nis me sabah. Rruga me tren e mërziti shum. Rrababum-rrababum, veshët i ushtonin. Kur mbërriti në Vlorë, shkoi drejt e te shtëpia e oficerëve. Ashtu e drejtuan ca vlonjatë që pyeti në rrugë. Atje, te shtëpia e oficerëve, i thanë se nuk mund të shkonte në Sazan pasditeve se nuk lejohej. Vajti në qendër të qytetit e ndonëse kishte shqetësim për të birin, vendosi që atë pasdite, ta shfrytëzonte duke parë sa më shum të ishte e mundur nga Vlora. Së pari zuri dhomë, në nji hotel të mirë. Më i miri në Vlorë i thanë për atë hotel. Edhe hoteli e kishte emrin Sazan. Ishte mu në qendër të qytetit. U soll vërdallë nepër qendër nga frika se mos humbte rrugën fshatari i shkretë dhe u kthye në hotel. U ngjit në katin e tretë, u la e u pastrua dhe zbriti në katin e parë e u rehatua në restorant. Ishte nji çikë më shtrenjtë se gjetiu, por ia kish bërë hallall që pa u nisur. Kishte marrë me vete mjaft të holla, për vete dhe për të birin. Ngjala. Ngjala hëngri sa u shqep. Nji nga kamarieret e serviri sikur te ishte princ. Jam nga anet tuaja i tha. Jam nga Mati. Jam e martuar me nji oficer andaj jam ketu. E daroviti mirë matjanen e u ngjit lart. Naten s’bëri gjumë të thellë nga se nuk ishte mësuar të ndërronte dyshek. U ngrit sa zbardhi dita e mori rrugën për Sazan.

 Nji nga shum ekzekutimet e togave komuniste të pushkatimit.

Nji nga shum ekzekutimet e togave komuniste të pushkatimit.

Kur mbërriti tek skela e ishullit e ndaloi ushtari i shërbimit. Prit këtu xhaxha i tha ai, sa të vijë nji oficer të të ndihmojë. Priti e priti e dikur nji officer i shkurtër sa nji fëmi u duk në qoshen e nji barake druri. U përshëndetën dhe pasi i tregoi se ish bërë merak për çunin, i tha se nuk donte ta vononin shum mbasi do kthehej sa më shpejt në veri nga ku kish ardhë. Oficeri nuk e priti ngrohtë. I tha se nuk e njihte djalin e tij personalisht dhe se do fliste me dike tjetër te komanda që të mund të bënin diçka. Ktheu shpinën oficeri dhe u zhduk. Priti Kasem shkreta edhe nji orë të rrastë deri kur erdh nji kapterr. Kapterri i tha se nuk kishte mundur të lidhej me të birin por i kishte çuar fjalë dhe ai duhej të priste mbasi ushtarët ishin në stërvitje dhe ktheheshin mbasdite nga ora tre. U ul në nji gurë Kasemi e nji ndjenjë e keqe ia shtrëngoi zemren. U ngrit në këmbë dhe iu afrua ngadalë ushtarit që e kishte ndaluar kur kishte ardhë në ishull. Nuk i dukej fëtyrë e keqe ai. Në fund të fundit ushtar si Saiti ishte edhe ky. Ushtari i tha se nuk e njihte Saitin kur e pyeti Kasemi. – Nuk e njoh o xhaxha… Jemi shum këtu. Secili rri me të anës së tij. Tarafe-tarafe është këtu. Vuri buzen ne gaz ushtari e i ktheu shpatullat Kasemit e u largua duke hedhur hapat ngadalë-ngadalë. Ra ora tre dhe askush nuk po afrohej. Askush. Ushtarët e shërbimit ishin ndërruar dy herë dhe secili nga ata kishte nji përgjegje kur i pyeste për të birin. Nuk e njohim xhaxha. Nuk e njohim. U nervozua por nuk e dha veten. Mbas shumë e shumë përpjekjesh, e shoqëruan te komanda. Atje e pritën dy oficerë. I thane të ulej dhe njëri nga ata u ul përballë e tjetri qëndroi në këmbë. - Shoku Kasëm, ia filloi ai që ishte ulur përballë. Sot nuk do mund të takohesh me djalin. Kasemin gati e la zemra. U zverdh e u zbardh e po i zihej fryma. - Pse? Si e kam djalin? A është mire? Pse nuk mund ta shoh sot? Po nesër? A do ta shoh nesër që me sabah? Ata shihnin njëri-tjetrin dhe nuk nguteshin në përgjegje. Po, ndoshta po, murmuriti njëri. As që e dalloi cili foli. I ishin errësuar sytë. Po tani, ç’të bëj tani? – Ik në qytet i thanë duke drejtuar doren nga Vlora. Ik dhe të kontaktojmë ne te hoteli nesër paradite. Mos e merr rrugen kot. Mos e merr rugen kot? Kjo pyetje nuk iu hoq nga mendja Kasemit tërë naten. Nuk vuri nji minut gjumë në sy fukarai. Herë mpihej e herë zhgrehej në vajë. Nji ngërrç në zemër ia ndalte frymen pothuaj. Çtë kishte djali? A thua mos ishte zënë me dike dhe ishte lënduar? Apo mos ishte sëmurë në spital? Pse nuk ma thojnë xhanëm? Pyeste e pyeste veten pa nda i gjori por përgjegje nuk kishte. Nga orët e vona të natës s’pau tjetër veç mori drejtimin nga Kibla e filloj ti lutej Zotit. Me zë të ulët u lut, me lot ndër sy. I dridhej gusha. Oh Saiti i babës! 
 

 Nji nga kampet e shumte të internimit në Shqipëri

Nji nga kampet e shumte të internimit në Shqipëri

Askush nuk u duk deri nga dreka. Ai nuk kishte lëvizë këmbë nga hoteli nga frika se dikush mund të vinte dhe ikte pa e takuar. As buk s’kish vënë në gojë. Vetë kishte pirë kafe. Shum kafe. 
-Nji officer dhe nji civil të kërkojnë poshtë i tha nji grua punonjëse e hotelit. Zbriti me vrap. U përshendet me ta. 
-Po çunin ku e kam? Pse s’e sollët? Ai civili, nji shkurtabiq me kostum gri të hapët e me barkun para i vuri dorën pas shpine dhe e tërhoqi nga dera. Oficeri i ndoqi ngadalë nga pas. – Shiko, sot nuk do e takosh djalin. Ashtu është puna. – Po si e kam djalin? A ka ndonji problem me shëndetin? A është mire me të gjitha? Pse nuk ma nxirrni? – Shshsht! Ule zërin i tha shkurtabiqi duke shtrënguar nofullat. – Ja! Merre këtë adresë të Tiranës dhe do shkosh atje nesër në oren njimbëdhjetë paradite. Do të të flasë nji officer i lartë i sigurimit. 
– I sigurimit? Po pse i sigurimit? Ç’punë kam un me sigurimin? As djali im nuk ka punë me sigurimin. Ai është ushtar në marinë e jo në sigurim. Barkaleci shkurtabiq, thartoi fëtyren dhe i bëri me shenjë oficerit të merrej me Kasemin. Vetë iku pa e përshëndetur jabanxhinë.
E nesërmja do ishte nji vit larg për Kasemin e gjorë…. Mori trenin dhe u nis për Tiranë. Zu vend te hotel Vjosa, mu në qendër të Tiranës. Aty poshtë në bodrumin e hotelit ishte nji restorant. Si tavernë dukej. Kuterbonte erë birra. Kasemi nuk pinte fare por edhe sikur, nuk i vihej gjë në gojë. Vetëm porositi nji supë e nji pilaf. Të nesërmen do shkonte te ministria e punëve të brendëshme. Atje e ndaluan te dera dhe kur i paraqiti letrën që i kishte dhënë shkurtabiqi me kostum gri në Vlorë, i thanë të priste vetëm pak se dikush do e takonte patjetër. Si më mire se në Vlorë iu duk se e priten. Mbas nji gjysëm ore nji mesoburrë e ftoi ta ndiqte për në nji zyrë. I dridheshin këmbët e me zor mirrte frymë. – Ulu, i tha ai duke tërhequr nji karrige.
- Tashti, ja filloi zyrtari, ju keni nji çun shum të mire. Që nga dita e parë e deri më sot ju ka nderuar me sjelljen e tij. Kasemit filloi ti shkrihej gjaku… U ngrit dhe e mori ngrykë zyrtarin dhe e falenderoi duke i rrjedhur lot nga sytë. 
- Por, vazhdoi ai, ka nji diçka pak të ngatërruar që ju duhet ti jipni spjegim vetë. Ju jeni njeri i zgjuar dhe disa gjëra duhet ti kuptoni pa qenë nevoja të ndërhyjë partia apo sigurimi i shtetit. Besoj se më kuptoni apo jo Kasëm? 
- – Jo. Asgjë s’po kuptoj tha Kasemi me zë të dobët. Ishte në konfuzion të plotë. Bota po i rotullohej. Nuk dinte si të reagonte ndaj fjalëve të zyrtarit. 
- Dëgjo Kasëm, vazhdoi ai, këtë herë me zë të trashur. Djalin e ke shëndosh e mire. Tashti… kjo duhet të të mjaftojë. Të tjerat do i kuptosh vetë më vonë. Tani ik dhe vetëm nji këshillë të jap: – Mbylle gojën. Ndyshe kalbesh në burg. Ik tani! Ik në shtëpi. Nga ky moment çështjen tuaj e ka në kujdes dega e ministrisë së punëve të brendëshme Shkodër. Nji polic e shoqëroi Kasemin deri te dera e jashtme. 
Dy javë më vonë nji Skodë dhe nji Ifa parkuan para shtëpisë së Kasemit. Shpejt-shpejt thërriste nji polic i zeshkët e i thatë. Luani vendit armiq të qelbur. Asnji nuk fliste. I kishte porositur Kasemi të gjith ta mbanin gojen e mbyllur. Ngarkuan për nji orë të gjitha ç’kishin, u ndanë me familjen e të vëllaut me të cilët jetonin në nji kulm. Edhe të qanin s’qanin nga frika. -Për ku? E pyeti Xhemali, vëllau i Kasemit policin. – Tepelenë, tha ai duke u kacavarë në sponden e mbrapme të Skodës.
Mbasi punët ndërruan, Kasemi s’la gur pa lëvizur por kurr nuk mesoi ç’u bë me të birin. U shkrinë e u tretën burrë e grua... Nuk lanë mërgimtarë pa pyetur nëse e njihnin të birin, se mos e kishin parë a mos kishin dëgjuar për te. Asgjë...as vorr.