Enciklikë

Nga: Ndoc Gjetja

Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizma e ndarjes.

Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq.

O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?

E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?

Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.