Qaniu (Homazh për një anonim).

Nga: Zija Vukaj
 

 Zija Vukaj

Zija Vukaj

Në fillim të viteve ’80 njoha një burrë të moshuar, që quhej Qani. Ishte nga jugu i Shqipërisë dhe kishte ardhur të kalonte në Shkodër pjesën e mbetur të jetës së tij. Thoshin për të se kishte qenë njeri i rëndësishëm i administratës së shtetit. Thoshin edhe se pastaj kishte qenë i dënuar për agjitacion e propagandë a diçka e tillë. Unë e njoha, sepse doja të mësoja italisht dhe ai e njihte këtë gjuhë dhe të tjera. Kishte mbaruar shkollën e lartë në Moskë dhe mësimet për gjuhën italiane m’i jepte duke përdorur një gramatikë italisht- rusisht të një autori armen, që quhej Rozental. Një libër shumë metodik nga ana gramatikore, por edhe i pajisur me një fjalor rreth 4 mijë fjalë. Nuk e harroj kurrë atë periudhë të lumtur pune, ato orë bujare leksionesh që ky burrë i moshuar më jepte pa shpërblim në barakën e varfër që shteti i kishte dhënë të jetonte. Vendosnim librin e Rozentalit mbi një tryezë të ulët dhogash të vjetra dhe uleshim mbi ca thasë librash që ai i kishte sjellë me vete, por që unë nuk i kisha parë kurrë të hapura. Le që edhe po t’i shihja, pak do të kuptoja me atë rusishten time të çalë. Mësimet m’i shpjegonte bukur dhe unë shihja veten nga java në javë drejt një përparimi të shpejtë. Dhe ngazëllehesha, sepse isha në gjendje të ndiqja lajme dhe emisione televizive që mund të ndiqnim në atë kohë tek RAI, si “Piccolo sleem” me Gani Morandin apo ndonjë film a diçka tjetër. Por nuk qe e thënë të vazhdonte kjo lumturi. Erdhi dita e zgjedhjeve për këshillat dhe gjykatat popullore. Ishte e diel. Teksa po i afrohesha banesës- barakë të virgjilit tim Qani, shoh një grumbull njerëzish pranë derës. Mes turmës së banorëve të lagjes, sehirxhinjve dhe fëmijëve, spikaste kërcënueshëm figura e operativit të lagjes; për ironi të fatit edhe ai nga jugu, madje nga fshati i Qaniut. Jepnin e merrnin me njëri- tjetrin me tone kërcënuese dhe kur u afrova, kuptova se operative donte ta bindte Qaniun të shkonte të votonte. Kishte votuar gjithë Shqipëria që në orën gjashtë e gjysmë të mëngjesit dhe rezultati ishte 99,99% në favor të pushtetit në fuqi. Ç’kishte Qaniu që nuk po shkonte të votonte, megjithëse ora po shkonte 12. Megjithë këto fjalë bindëse dhe tonet kërcënuese, Qaniu nuk u tund. Deklaroi se nuk do të shkonte të votonte as sot, as mot. Pas gjithë kësaj kokëfortësie e morën dhe e shoqëruan në polici. Nuk e mbajtën shumë. Të nesërmen shkova ta takoja për të vazhduar mësimet, por edhe për të marrë vesh më shumë rreth ngjarjes. Sapo hyra brenda, më priti në këmbë dhe nuk më ftoi të ulesha. “Dëgjo këtu”, tha. Nuk duhet të vish më tek unë për të mësuar. Është keq për ty. Po të jap librin e Rozentalit dhe përpiqu të punosh me atë rusishten tënde të çalë. “Të pyes diçka”, i thashë. “Hë, fol”. “Pse nuk shkove të votosh? A mos vallë e dëmtove procesin zgjedhor me votën tënde që nuk e dhe? Edhe sa vetë si ti nuk kanë votuar në mbarë Shqipërinë? A nuk të duket qesharake përpjekja jote. Një i pakënaqur mes dy million e gjysmë të kënaqurish?” Më shikoi me një vështrim ku lexohej mëshira dhe sidomos neveria ndaj meje. Nuk u përgjigj. Ma mbylli derën tek hundët, më la librin në dorë dhe nuk më priti më. U desh të kalonin jo vite, por dekada që të piqesha aq sa të mund të deshifroja atë vështrimin e tij plot mëshirë, dhimbsuni por edhe neveri ndaj meje. Ai ka kohë që ka vdekur, por edhe unë dhe të tjerët do të vdesim një ditë. Sartri thotë se një minutë apo një dekadë janë e njëjta gjë, kur njeriu e ka humbur iluzionin se është i përjetshëm. Por ai vdiq duke qenë në rregull me veten e tij, me ndërgjegjen e vet. Duke guxuar të vepronte siç i thoshte morali, logjika dhe dinjiteti i vet. Dhe këtë e bëri në kushtet e një represioni të egër. Duke rrezikuar gjithçka. Duke luajtur, madje duke u tallur me zjarrin dhe me atë koburen e frikshme e të neveritshme të operativit. I mendoj sot këto gjëra dhe them se po të kishim njerëz me karakter të tillë, ndryshe do të kishin shkuar punët. Aq më tepër sot, kur askush nuk rrezikohet nga levat e diktaturës as nga operativët e lagjeve, pasi ata janë bërë të gjithë biznesmenë apo deputetë.
z.v