Bukuria që kërkohet. (Skicë)...

Nga: Sabina Darova

Nga: Sabina Darova

Në kalldrëmet e rrugicave të Korçës, ndjehet tik e taku i takave të vajzave që i afrohen bulevardit kryesor për të bërë shëtitjen e mbrëmjes. Të qeshura e të gëzuara e mbushin me harenë e tyre në çdo pore të tij.  Lodrojnë me fjalë, me xheste, lodrojnë me flokët e bukura , që i përkëdhelin herë pas here me gishtrinjtë që ndërthurren si zogjtë ndër bredha.

Tik e tak i takave mbi kalldrem, largohet në kujtesën e largët, merr lundërzën kureshtare dhe sjell ndër ment ndalesën e të bukures austriake Vici, tek shkallet e dyqanit të brberhanes ku punonte Vasfi Xholi në vitet 30'. Troket pak me ndruajtje, dhe kërkon ndihmë për të rregulluar pak flokët, të blejë edhe një parfum në parfumerinë  e tij ngjitur me dyqanin. Vasfiu, me sytë e kaltër dhe flokët bjondë, joshet nga kjo vieneze e cila e nxit për hapjen e një parukerie.

 Rrugicë në Korçë

Rrugicë në Korçë

Djaloshi që profesionin e tij e kish mësuarnë Torino dhe njihej në qytet për prerjet dhe stilimin e flokëve, guxon dhe pranon të sfidojë fatin e tij. Shkon në Athinë për të mësuar gjithçka i sherben për të bërë permanentin, kombinimin e bashkimit të solucioneve, si dhe përdorimin e makinerive që stilonin flokët me bikutina. Rikthehet në Korçë dhe transformon parukerinë e tij në një nga më modernet e asaj kohe në Shqipëri. Zonja Mici i sugjeron përsëri që në studjon e tij të punësojë një grua, e cila dhe ajo ishte me origjinë austriake, me emrin Franci.  Jeton në qytet përreth 10 vjet, duke punuar në dyqanin e Xholit. Largohet me largimin e gjermanëve në vitin 1943. Akoma sot, austriakja Franci kujtohet në qytet për klasin,  stilin dhe elegancën e saj, por edhe për memorien e saktë, ajo dinte emrin e çdo gruaje në qytet.

Vasfiu përveç parfumerisë, shton edhe një sektor të veshjeve intime. Në krahun e majtë zonjat ndalonin të blinin parfumete shumellojshme që vinin nga Italia. Në mes, ndante një rrugicë që të shoqëronte në permanent, dhe përbri qëndronte sektori i veshjeve intime.

Në ato kohë gratë shoqëroheshin gjithmonë nga burrat, dhe nëse nuk ndaleshin dhe ata për të qethur floket apo për të lustruar këpucët, kureshteshin ndër raftete dyqanit që ofronin kravata e shami të mëndafshta, kolonja apo edhe të brendëshme për vetë burrat, sikur për gratë.

Në vitet 30-të, Vasfi Xholi nga Korça, u bë burri më i njohur, sepse ktheu modën dhe stilimin e flokeve në stil jetese për çdo grua të asaj kohe. Kohë në të cilën endeshin krismat e pushkëve, endeshe urija, por endeshe dhe dëshira për të kërkuar e jetuar të bukurën.

Rastësisht dëgjova kërë histori ndërsa i tregohej një zonje greke në tavernën e Vasilit, në një nga rrugicat kryesore të qytetit. Ndersa lakrori piqej në saç e përzihej me aromën e kernackave që piqeshin mbi prush, duke kthyer nga një gllenjkë birrë të zezë  Korçe. Nxorra lapsin dhe e hodha mbi leter këtë histori kaq interesante që i përket të shkuarës së largët pothuajse një shekullore, si një dëshmi që ndjen nevojën që të mos fshihet.