Ferit Lopa

Nga: Maks Rakipaj

 Maks Rakipaj

Maks Rakipaj


Mbiemrin e kishte ndryshe, por i pat mbetur Lopa si mbiemër "u bë sebep një lopë, që i vura gjyzllyqe djelli, me qelqe jeshile, o dora jonë, pse? jo ta zbukuronja dora jonë, po ajo e uruar lopë s'ma hante kashtën dhe unë tak gjyzllyqet jeshile t'i dukej si bar i njomë...Budalla lopë evlat, ja si punë e njeriut, merr vesh ti...E pata njohur Feritin në Spaç qysh në fillim, por në birucën ndëshkimore jam 24 orë me të. Historitë e tij i dinë të gjithë, por t'i dëgjosh nga goja e tij, është më interesante. Duhet të jetë mbi 50 vjeç, rreth 1 m e 75 i lartë, buçko, me një pamje groteske, gjithmonë i qeshur, sikur sapo ka dëgjuar ndonjë barcoletë. Në xhaketat e uniformës së burgut ka të qepura kopsa ushtarake me yll. Kur e pyes përse, më përgjigjet duke fërkuar yllin e kopsës me gishtin tregues: - Aaa, dora jonë, nuk e ditke pse i mbaj? I mbaj, dora jonë, që të mos harroj se ky yll i vockël na futi zjarrin neve, i mbaj që të më kenë me sy të mirë policët... haha… Aq dinë ata. U thotë Feriti atyre: “Pse të mos e mbaj? Nuk ju pëlqen ylli yve? Feriti ngorth për këtë yll.” Kanë frikë ata, o dora jonë. Kanë frikë, se i shpjenë në koprativë dhe qeshin:” Kush merret me Feritin,” thonë. 
Në qoftëse të humbet diçka në kamp, e gjen vetëm te Feriti, që ta kthen kundrejt një shpërblimi 5, 10 ose 20 cigare, varet çfarë të ka humbur. Nuk vjedh Feriti, ama po e humbe një çast vëmendjen, apo harrove diçka diku, Feriti është aty. Edhe kur u bë revolta e Spaçit, ndërsa të gjithë merreshin me peticione, mbledhje sipas grupeve dhe bindjeve politike, Feriti shkonte në të gjitha mbledhjet... "Unë propozoj t'i biem dyqanit, dje është furnizuar, kanë sjellë edhe hallvë Stambolli"... Kur i përgjigjeshin që “ne nuk jemi hajdutë”, Feriti hazërxhevap: "Mirë, dora jonë, hajdutë nuku ini, por çfardo qofshi, njeriu do të hajë! Ç'kini ju, e hap Feriti dyqanin, ju mos u trazoni". Kur i thanë se, nëse grabitet dyqani do ta varnin në mes të kampit, Feriti u bind. Filloi të bënte roje te dyqani që të mos e grabisnin të tjerët. Nuk linte njeri të afrohej te dyqani: "Largohuni, s'kini punë këtu. Aaaa e vjeth Hamiti, ama ja ngopin Feritit pastaja...” 
E kisha dëgjuar edhe historinë e dënimit të tij nga të tjerët. Këndellet nga kënaqësia kur i them të më tregojë historinë... 
- Nuk e di ti, dora jonë? Po ka njeri në Shqipëri që s'e di historinë e Feritit?... Aaa, dashke ta dëgjosh pe gojës seme? Ta them unë, se s'kemi ç'bëjmë tjetër këtu. Që thua ti, dora jonë, isha ndihmës traktorist në SMT, andej nga Myzeqeja... Ehe, s'ke bredhur vetëm ti, është i gjezdisur edhe Feriti. Merrnin bukën me vehte traktoristët, po kur vinte vakti i drekës, kërko torbat e bukës, hiç. Aaaa, një ditë, dy... “Si është kjo punë. Feriti është gjithë ditën me ne. S'ka si t'i vjedhë e t'i hajë... Në mos njeri, tjetri do ta kishte parë.” Ke parë ti, dora jonë, më ish hapur nami që ahere se vjeth Feriti. Më mirë syri se nami! Vendosën këta të ngrenë grupin e hetimit. “Kush është ai dobiç që na ha bukën.” Roje këta. Me radhë. Rrinin fshehur te ferrat dhe ruanin torbat e bukës. E kapën hajdutin. Ishte një qen i koprativës. E po tani?… “Çdo bëjmë me qenin? Ta rrahim? Ta lidhim? T'ia shpjemë të zotit”… Njëqint mendje, dora jonë. Them unë: "Pse mos ngremë një trup gjykues me prekuror, gjykatës, ndihmës gjykatës, sekretar, avukat, si e do sëra e punës kur ndoth një gjë si kjo?" Ma pëlqyenë mendimin ata, që thua ti. Caktuan prekurorin e gjithë të tjerët. Unë u bëra avukat mbrojtës. E mora qenin mënjanë, lidhur te një pemë. Dridhej nga frika. Prekurori tha ta varim në litar, se është përsëritës në krim. Unë si avukat, thashë: “Po sikur t'ia japim një herë dorën, ta falim këtë herë, të marrim parasysh moshën e mitur. Është rritur jetim, kush do ta edukonte të shkretin? E ka prishur shoqëri e keqe të gjorin, ka parë miletin që vjeth në koprativë dhe tha pa ta provoj dhe unë njëherë.” Copë u bëra për Murro Myzeqarin. Këtë emër i vumë qenit, dora jonë. Sado që në fjalën e fundit, në mbrojtje të Murro Myzeqarit, u luta me aman e derman: “More po ta shpjemë në internim, apo s'ka vende plot Myzeqeja, ta shpjemë në riedukim”... Jo se jo ata: “Në litar!”... “Po sikur...” “Jo! Me vdekje!” Kështu e varën qenin e ngratë. I varën dhe tabellën në qafë: “Murro Myzeqari ka kryer krimin e përvetsimit të pronës private të traktoristave që punojnë të ndërtojnë socializmën, neni aq e kaq, dënohet me varje në litar Murro Myzeqari nga Divjaka vjeç 2.” Poshtë shkruan emrat: kryetari i trupit gjykus e të tjerët. Vunë dhe emrin tim, demek avukati de... 25 vjet më dhanë mua, më shumë nga prekurori dhe kryetari që e varën. E drejtë është kjo, dora jonë? Unë thashë t'i falim jetën Murros, ata më thanë ke tallur bythën me ligjet tona, me gjukatat tona, me socializmin... Pse, si thua ti, dora jonë, ligjet që kanë bërë këta janë për të tallur bythën? Ta them unë, dora jonë, për të fshirë bythën janë, hë...

nga libri im "Gjallë pas mbytjes së anijes" botuar në vitin 2014