Ndarja e fundit.

Nga: Sabina Darova

Gjithmonë ju jam shmangur ndarjeve. Sidomos atyre të fundit. I kam parandjerë, sensi i gjashte siç thuhet,  i ka zbuluar dhe ndërgjegjja ka kërkuar që ti evitojë , duke vënë në zbatim strategjinë e takimit të parafundit. Ndoshta , sepse shijen fillova t'ja provoj që fëmijë,  kur dy duar të rriturish më mbërthyen për krahu në dalje të kopështit një ditë të zakonëshme,  për të evituar pjesëmarrjen në varrimin e nënës. E vendosën të rriturit që nuk duhej të asistoja, dhe m'u desh kohë ti gjeja një shpjegim mungesës së saj paskëtaj, pasi askush nuk tregonte të vërtetën. Të afërmit kërkonin të evitonin dhimbjen, pa kuptuar që po hidhnin bazat e një dhimbjeje më të madhe :  me fantazinë  time akuzoja nënën që më kish "braktisur".
Mbas pak kohësh më dhuruan një kukull të madhe e të bukur sa mua. U gëzova se më dukej njerëzore dhe e quajta mami. Moshataret e mija vendosnin emra përrallash , ndërsa unë e pagëzova me emrin mami. Por as kjo lumturi nuk zgjati shumë. Kukulla që kish kushtuar shtrenjtë rrezikonte të prishej nga përdorimii tepërt,  dhe gjithmonë nga të rriturit,  u vendos që mos ta prekja më. Kukulla " mami" duhej të stoliste e veshur si nuse krevatin martesor të familjes.
Kjo ishte ndarja e dytë  që pësova.
Në qytetin ku jetonim ishim të vetëm, të afërmit jetonin në Tiranë e gjetkë. Autobuzi apo treni ishte shoku im më i mirë. Ata më dërgonin tek të afërmit dhe unë përjetoja gëzimin dhe hidhërimin e takimeve përçdo fund jave. Në kujtesë ruaj zhurmën e llozit të portës tek gjyshja, dhe lehjen e qenit që egërsohej sa herë që trokisja. Me qenin nuk gëzoja raporte miqësore. Shikimi i tij i vëngër më stepte që në rrugicë.
 

Të rriturit më kishin treguar rrëfime te Nastradinit për ta bërë më të lehtë aktin e ndarjes, dhe une e sillja ndër ment si aspirina për dhimbjen e kokës sa herë që do lija pas mbylljen e një dere e zgjasja hapat rrugës për kthim. Nastradini hidhërohej ditën që takohej me njerëzit sepse e dinte që do arrinte momenti i ndarjes, dhe gëzohej pas ndarjes, sepse e dinte që do e priste një takim i ri .
Ndarje ishin dhe ndarjet me shoqet kur ato largoheshin pa asnjë shpjegim, dhe ketu të rriturit të shpjegonin me belbëzim se kishe disa njolla në biografi. Ishte percaktuar nga fati që duhej të kuptoja gjërat më të rëndësishme të jetës time që në vogëli.
Ndarjet nuk ishin përherë  të hidhura.
Teksa zgjasja dorën në sportelin e bibliotekës me librin e mbaruar , provoja gëzim .  Ajo ndarje më sillte kënaqësinë e hapjes së një porte tjetër. Një titull i ri sillte pranverën.
Mbarimi i vitit shkollor sillte pushimet e verës dhe sirena e trenit më dërgonte në bregun e detit. Aty prisnin serenatat e të rinjve që i këndonin dashurisë dhe valëve të detit. Gjatë pushimeve këmbeheshin tekstet e këngëve në anglisht, visheshin fustanet me basma ngjyra-ngjyra , lyheshin thonjtë me manikyr, e kalohej një hije lapësi të zi poshtë syve. Këto trasgresione thërrisnin në skajet më të thella të shpirtit lumturinë dhe prisnin me ankth mbarimin e vitit shkollor.
Ndarja kish dhe shije lehtësimi, si psh kur ndahesh nga një mik i gabuar apo nga një punë e pa pëlqyer...
Ndodh që provon edhe një ndarje që nuk di se cilin emër ti japësh. Shijet që provon janë kaq të ngatërruara sa të duket sikur ecen mbi notat e simfonisë së pestë të Bethovenit. Këto nota i provon kur merr anijen dhe lë vendin tënd për të kërkuar një jetë më të mirë.  Ndarja me Atdheun përcjell hidhërim dhe gëzim me aq fuqi, sa ndjen vetëm mpirje. Mpirje pa ngjyrë, pa erë,  pa shije. Provon ndjesinë e një guraleci që hidhet si zaret në sallat e kazinosë e provon të përfitosh shumën më të të lartë për të kapur maksimalen. Maksimalen?  Nuk e arrin kurrë! Madje, provon dhe zhgenjim.  Vetëm kur shkel tokën e huaj dhe dëgjon zërin që shqipton tinguj ndryshe nga gjuha jote, realizon aktin e ndarjes. Ndjenja e mallit të mbërthen fytin dhe paaftësia për tu kthyer mbrapsht nga ke ardhur të paralizon, i dorëzohesh të paditurës, të papriturës e pa kushte.
Kjo ndarje është tërmet që tund sarajet që ke ndërtuar me vite. Të duket sikur je një trung i ndarë përgjysëm: nje pjesë këndej dhe një pjesë andej. Për ta harruar, mësovaqë ti shmangem asaj në ndarjet që vijuan.
Mbi të gjitha në ndarjet dashurore. Instikti femëror më ka ardhur gjithmonë në ndihmë. I kam ndjerë putrat marrëse fryme dhe ju kam devijuar rrugë. I kam lënë më parë ndarjet se të më lenë ato.
Dhe ja sot, ngjis shkallët për tu ulur në barin e operas.  Dua ti jap lamtumirën një mikut tim të mirë. Kam frikë të dashurohem. I kam menduar dhe fjalët që do them, zgjedhjen e pijes. Edhe veshjen dhe trukimin, përparase të dal nga shtëpia i kam menduar. Asgjë nuk kam lënë të më anashkalojë. Jam gati për të kryer si gjithmonë aktin e takimit të parafundit. Zgjedh tavolinën qëndrore, porosis një gotë  ujë dhe bëj sikur lexoj mesazhet mbi cellular. Në sfond notat e Butterfly të Puccini-it mbështjellinsi një shall i butë shpatullate lokalit. Muzika është pasion i të dyve. Unë adhuroj klasiken dhe ai blues.  Këmbejmë  shpesh emra këngëtarësh e disqe. Edhe natën vonë kur dëgjohemi pyesim njeri-tjetrin se çfarë pjese muzikore kemi zgjedhur. Mbyll sytë dhe dëgjoj aktin e fundit të operas. Pinkerton hynnë skenë ndërsa Ciocco- San apo e njohura Butterflyjep shpirt. Humbas në humbjen e tij dhe vetëtimthi shkundem nga drithërimat.
Kamerieri më afrohet :
- Zonjë, kam një letër përju
Kthej kokën e çuditur.
- Për mua?
- Po zonjë
Dhe zgjat dorën. Shoh një zarf të vogël.  E tërheq me mëdyshje dhe e hap gjithë kureshtje. Ndjej që nuk jam e qetë. Sensi im i gjashtë duket sikur parandjen.
Sapo zbuloj një pjesë të letrës njoh kaligrafinë e shkrimit . Kish shkruar vetëm një rrjesht.
Kuptova që për këtë takim, kishte vendosur ai.