Miriam

Xhabir Tabaku

Xhabir Tabaku

Nga: Xhabir Tabaku

Idrizi kishte tërë diten duke ecur. Ishte lagur nga shiu e bërë qullë. Hyri në një hotel të dorës së fundit, mori ndërresat pranë vetes dhe hoqi këpucët. Çorapeve u mori erë. Qelbesh, i foli çorapit. Kishte qenë për vizitë tek nji përkthyes. Donte të përkthente nji libër tijin që e kishte bërë gati me kohë. Në frëngjisht ishte shkruar për mrekulli por nuk kishte gjetur dot botues. Një mike e tij, Roza, i kishte thenë se libri ishte i dorës së parë dhe nëse gjente nji përkthyes profesionist për anglisht, do fliste me nji botues në Irlandë. E kishte mik fëmijërije. Kishin qenë komshi dhe në shkollë bashkë. Përherë i dhënë pas librave thoshte ajo. Idrizi ishte lidhur shum me Rozen që para ca vitesh kur studionin në Amerikë. Nji vit kishin kaluar në konvikt e pastaj vitin e dytë kishin marrë nji garsoniere bashkë. Ishin shokë të ngushtë. Roza ishte femijë i vetëm dhe Idrizin e shihte si vëlla. Sa herë takoheshin e sillnin bisedën tek shkolla dhe Amerika. Kishin qenë të lumtur atje. Roza biles, kishte refuzuar nji punë me vlerë. Më vonë thonte shpesh sa e penduar ishte, por më kot. Idrizi kishte gjetë një punë dosido si fillim, në Londër. -Nuk kam njeri këtu ku të mbështetem, i thoshte ai Rozës kur e kritikonte pse ishte ngutur me punën. -Ti je cilësor e nuk duhej ta nënvleftësoje veten thoshte ajo. Në fakt e shihte edhe vetë sa e vështirë ishte. Roza vinte nga nji qytezë pranë Dublinit, kurse Idrizi nga Marrakesh i Marokut. Ishin njohur në Londër, në punë. Të dy punonin për nji kompani investimesh. Ata të kompanisë ua siguruan bursat për në Amerikë. Në fakt, shkollat nuk ishin fort të shtrenjta. Kur mësuan se sa të lira ishin, të dy u revoltuan. Por gjene mirë thoshte Idrizi. Ku do mirrnim ne viza studentore për këtu?

***

Amerika iu pëlqente të dyve. Kur morën shtëpi bashkë, të gjith shokët mendonin se ishin në dashuri me njëri-tjetrin. Por jo. Sigurisht që duheshin, por jo ashtu. Përveç shkollës, të cilën e respektonin në parim, kishin pasione të ndryshme. Roza ishte mjaft sportive e Idrizi në kohë të lirë ia mbathte në bibliotekë. Vetëm dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta nga shkolla tyre ishte nji ndër bibliotekat më të mëdha në Boston. Aty e gjeje Idrizin po të doje. Merrte një libër nga rafti, nji kafe amerikane në një filxhan prej kartoni dhe ulej në bythë e lexonte pandalë. Shpesh e detyronin ta blinte librin mbasi i shënonte faqet e tij pa menduar. Punonte të dielave. Taksixhi. Nji komshi i tij nga Bangladeshi e kishte marrë në punë. Fitonte mirë. Me fitimet e një dite siguronte krejt shpenzimet javore. Edhe Roza po ashtu. Punonte tek nji bibliotekë si rradhitëse. Ishte e Rëndësishme për ta, nga që fliste gjashtë gjuhë dhe ndihmonte studentat e turistët të gjenin librat në gjuhët e tyre. Përherë sillte nga nji libër në shtëpi për Idrizin. Nuk i mirrte para, mbasi nuk kishte paguar gjë për të. Në të vërtetë e vidhte. Nuk është hajni të vjedhësh libra i pat thënë ajo Idrizit...

Duke qenë irlandeze dhe e rritur pa nënë, me baba që punonte dy turne në bar, Roza ishte e dhenë një çikë pas alkolit. Nuk pinte shpesh por jo më rrallë se dy-tri a nganjëherë katër herë në javë. Ngadalë e me vështirësi e kishte mësuar edhe Idrizin të pinte. Ai si fillim pat nisur me birrë pa alkol e mandej ngadalë-ngadalë u mësua. Megjithëse e dinte se ishte shkelje, Idrizi prap e mbante veten musliman të mirë. Kishte nji xhami diku në periferi, ku shkonte nganjëherë të falej dhe për festat nuk mungonte asnjiherë. Edhe Roza shkonte në xhami për festa. Thonte se i pëlqente kur gjëndej mes muslimanësh. Apo e bënte që Idrizi të ndjehej mirë!

Binte borë. Në Boston bie shum borë. Ishte e shtunë. Roza i tha Idrizit se atë ditë  kishte ditëlindjen. I kërkoi ati të lajmërohej tek taksitë se nuk do punonte të nesërmen. Ai nuk ia prishi. Shkuan tek bari i tyre i preferuar “Slamed cat’s bar”. Kur venin aty harroheshin. Nganjiherë në fillim ai merrte nganjë libër me vete, por me kohë e kuptoi se nuk dukej mirë dhe e vinte Rozen në siklet. Uleshin në qoshe, në fund të lokalit, mbi dy fuçija birre të vjetra. Ndoshta njiqind vjeçare. Idrizit nuk i bënin shum përshtypje mbasi nuk kishte parë shum bare, por Roza shkrihej aty. Hipte sipër fuçisë këmbëkryq si djalosh dhe fuste pëllëmbët mes kofshëve e qeshte me Idrizin që s’dinte të rehatohej kollaj. E godiste lehtë me pëllëmbë në ballë dhe qeshte si vajzë e vogël. Banakjeri, nji burrë zezak babaxhan mbi mesatar nga mosha,  i njihte dhe i donte të dy. E dinte ç’pinin zakonisht e me vrap ua çonte dy kriklla me birrën e preferuar, Samuel Adams. -Sonte je imi Idriz vëllau, i tha Roza duke e parë në sy si me lutje. -Pa tjetër Rozi, pa tjetër. I uroi ditelindjen dhe e përqafoi ngrohtë. E shtrëngoi pak më shum se herë tjera kur përqafoheshin. Ajo nuk rezistoi fare, biles i shëndriten sytë. -Të dua fort Rozi! Dhe e përqafoi edhe nji herë.

Birrat pa ndalë... herë-herë vinin nga banakjeri e herë-herë nga klientat në banak mbasi mësuan se kishte ditlindjen. Mbas mesnate të gjith u mblodhën rreth tyre dhe kënduan këngën e ditlindjes... E birrat nuk kishin të sosur

***

Hoteli ishte i ftohtë. Kishte ndriçim të zbehtë dhe mbulesa të vjetra. E vetmja gjë që duhej ti kënaqte ishte dysheku i sfungjertë e i ri. Nji frigorifer i vogël e i zi shërbente si komodinë gjithashtu. Abazhuri i vjetër ndrçonte dhomën e lartë, të pa lyer qëkur, e të rjepur suvaje. Ranë mbi mbulesa.... Të dy ishin zhveshur cullak, por nuk mbërdhihnin. Gjatë natës hotelin e kishin ngrohur mirë. Roza u zgjua e para. U drodh kur pa veten pranë Idrizit lakuriq. O Zot! Ç’paskemi bërë. Nuk i kujtohej asgjë. Asgjë fare. Kaq e dejur të kem qenë vallë? Po ky? Po ky si kështu? Kur hapi sytë Idrizi, ajo kishte zenë vend pranë dritares e po lexonte gazeten “The Boston Globe” të ditës së mëparëshme lënë mbi karrige. Ai lëshoi nji virrmë dhe mbuloi veten me batanije sikur të donte të mos e shihte Roza.

-Po kjo punë? Çfarë ka ndodhur? Roza heshti, nuk nxori fjalë nga goja. Ajo mori për nga banjoja, dhe plasi derën e saj që ti linte atij kohë të vishej. Me nxitim u rregullua, dhe ndjeu neveri kur pa breket e Rozit në dysheme. Ajo kishte harruar ti mbathte nga nguti kur vishej. I shtyri me këmbë nën shtrat. Dolën nga aty pa folur...

Dy a tri ditë më vonë Roza e ftoi për në bibliotekë. U takuan me nga nji libër në dorë secili, porositen kafetë dhe zunë vend në dysheme, mbështetur pas rafteve me libra. Lexuan e pinë kafe për katër a pesë orë. Asnjëri nuk foli, as u panë në sy. Heshtja i shoqëroi Idrizin e Rozin për ca javë të mira. Por asnjiherë nuk e zunë me gojë atë naten në hotel...

Shkolla pat mbaruar e të dy hipën në të njëjtin aeroplan me ndenjëset ngjitë. Kur u fiken dritat dhe shumica e njerëzve zunë të flinin, Idrizi i tha Rozës! -Do të të bëj një pyetje të çuditshme. -Fol! -Sikur të ishim vetëm un e ti në ketë botë, do martoheshe me mua?

Kur u ndezen dritat, stuardesat po servirnin kafe e çaj. U afrua dhe duke u përkulur për të hedhur kafenë në filxhanat e tyre tha me zë të ulët miqësor: – Kurr më parë nuk kam parë puthje më të gjatë. Të dy panë njëri-tjetrin në sy. Sytë iu ndrinin flakë.

***

Capturefder4.PNG

Mbasi u mori erë çorapëve dhe mallkoi qelbësirën, u fut në dush të ngrohtë. Kaloi gati gjysëm ore nën shi të nxehtë. Mandej mbushi lugun me ujë të ngrohtë e u shtri në te. Mbështeti kryet për faqen e emaluar të lugut dhe ndjeu të kotej. Mendime për të kaluarën i përcilleshin në mendje. I kujtohej kur kishte filluar nji marrëdhënie disi intime me nji vajzë nga Milluolli. Ajo punonte në nji gazetë lokale atje, dhe puna i bënte të komunikonin me njëri-tjetrin përditë. Idrizi kishte zyren e tij dhe mund të luante nga pak me njerëzit në anen tjetër të telefonit. Me Miriamin kishte kohë që ngacmoheshin... kallzonin shakara dhe nganjihere harroheshin në biseda pa fund më telefon. Nji ditë, Miriami e thirri me nxitim. Jam në nevojë të takohemi pa tjeter i tha. -Po. Po vi me vrap u përgjegj ai. E lanë të takoheshin tek ura pranë shtëpisë së sajë, përballë nji berberhaneje. Mori taksinë, dhe në pak kohë ishte atje. E gjeti Miriamin të strukur në nji pallto të gjatë e të gjerë. Në kokë kishte nji kapuç leshi me shkufe sipër. Shalli i sjellë për qafë dhe dorezat e leshta që e mbanin, ia kishin mbuluar fytyren pothuaj. –Idriz! Nuk jam mirë, belbëzoi ajo ngadalë, jam në ankth. Nuk më hahet, nuk me pihet. Kam të vjella përditë. Jam e këputur gjunjsh, mezi flas e jam e përgjumur. Më duket vetja njëqind vjeçe Idriz. Sytë e saj të mëdhej e ngjyrë gri e thellë, vetullat e harkuara lart e flokët e dendur, të verdhë e të prerë shkurt i jipnin asaj pamjen e nji aktoreje të Holivudit. Idrizi e pa ne heshtje dhe përkundër natyrës së tij të nxehtë nuk u shqetësua dhe aq. -Më kapin ethe çdo natë Idriz. Ngrihem nga shtrati e nuk di ku shkoj. Më jipet të vrapoj, dal e vrapoj. Oh! A e din çfarë bëra dje? Mora trenin dhe dola në qendër të Londrës... U futa në nji bar dhe u rregullova në banak. Piva disa gota uiski me akull e më zunë të dridhurat. Pata ethe dhe ftohtë. Të ftohtit më vinte nga brenda, si dridhje në fillim e pastaj akull. Krejt shtati më akullohej. Më shkonin djersë të ftohta, dhe kisha dëshirë të shtrihesha përdhe, të dorëzohesha. Po vdisja. Dikush kishte thirrur urgjencen. Ata erdhën me vrap e deshën të më çonin në spital, por refuzova. Refuzova me këmbëngulje. Jam mirë, u thashë. Nuk dua të shkoj në spital, kam doktorin tim. Më çuan te doktori im, dr Willie . Ai i siguroi ata që do kujdesej për mua, e do me shpinte në shtëpi me makinen e tij. Më pa doktori me vëmendje... Mi hapi sytë fort dhe me lupë vërejti me kujdes. Ëhë... veshët, më preku fytin, pau për gjëndrrat si duket. -Hape gojen! Nxirre gjuhen jashte! Mirë, mirë. Më shtriu ne tryezen e tij. Më ndjeu mushkëritë, zemren e pulsin. Mbaje lirshëm më tha dhe filloi të më prekë barkun...

Miriami daloi pak, mori frymë thellë, sytë iu zmadhuan dhe filloi të dridhej. -A do të hyjmë diku e marrim diçka të nxehtë? -Jo jo le të ecim, dua të ta tregoj të gjithën duke ecur. Hidhnin hapat ngadalë dhe flisnin herë njëri e herë tjetri për gjëra pa lidhje. -Pastaj? Ç’të tha doktor Willie?

-Oh! Kur po më prekte barkun ndaloi për nji sekondë e mandej vazhdoi të shtypte me katër gishtat e njerës dorë. Rri lirshëm të lutem Miriam, rri lirshëm! Preku e preku barkun tim e mandej më tha: - Ti je shtatzanë. Nuk e din?

***

Ndërkohë që Miriami qante me dënesë, Idrizi ishte bërë dru. Nuk dinte ç’ti thoshte. Me vete mendonte se nuk ishte fëmija tij. Por nuk donte t'ia thonte. Nuk donte ta vështirësonte situaten e sajë. Tani u bë ftohtë Miriam, le të hyjmë në ndonji kafene a restorant e të pijmë diçka të ngrohtë, të marrim veten.

– A din si mendoj nganjëherë Idriz? Sikur ne jemi binjakë. Më duket se kemi lindur nga një nënë... -Si mendon ti? A të duket edhe ty se jemi zënë nga e njëjta spermë? E? Idriz, thuaj "po" të lutem! Vuri buzen në gaz, psherëtiu e mori frymë thellë. Pastaj mendoj ndryshe. Mendoj se do ishte inçest po të ishim binjakë, dhe do ishte e turpshme. Apo jo? Edhe po të ishim binjakë nuk do doja ta besoja, ndonëse do isha e lumtur të të kisha vëlla. Por nga ana tjetër, oh! Nuk do duheshim sa duhemi. Nuk do me puthje, nuk do më ledhatoje... A e ndjen zjarrin poshtë barkut tim Idriz? A e ndjen flakën që më pëvëlon? Oh sa lëng... Sa shtrëngim.  Po më merret fryma Idriz, më mbaj! Më mbaj fort se po shëmbem. Ajo u zverdh, e djersa ia mbuloi fytyren. Ai me njëren dorë mbante Miriamin e me tjetren kërkonte të tërhiqte vemendjen e ndonji kalimtari të largët. Një makinë u ndal. -Në spital! Mund të na çosh në spital të lutem? – Tridhjet pound, tha shoferi me zë të shqyer. -Po! Patjetër që po. Do të të jap katërdhjetë. Spitali ishte i vogël dhe nuk kishte shtretër bosh. Megjithatë kur dëgjuan se ishte shtatzënë e mbajtën. Sajuan një shtrat portativ në fund të korridorit ndaj dhomës së urgjencës. Miriami ishte përmendur tashmë. Serumi e oksigjeni sikur e ngjallën. Nji infermjere shkurtabiqe me flokë krejt të thinjura, faqe të kuqe e buzë të fryra, me ca letra në duar filloi të bënte pyetje. Mbas disa pyetjesh, iu drejtua Idrizit: -Çfarë lidhjeje keni me zonjen? -Burri! Është burri im, foli Miriami duke hedhur shikimin nga Idrizi. Por jo... jemi miq, tha ai me zërin e tij të qetë, ndërkohë që infermjerja largohej. Mbështeti ballin tek ballaniku i shtratit të Miriamit dhe kryqëzoi parakrahët mbi kofshët e veta ashtu i përkulur përmbys. Nji doktor mesoburrë, i gjatë e i shëndetshëm e përmendi ngadalë...Zotni! -A don ta shohësh gruan tënde? – Nuk kam grua. Nuk jam i martuar, nuk kam qenë kurr i martuar tha Idrizi...

Ndjehej i këputur. Kafka e shtrëngonte dhe i dukej sikur truri po i shtypej pa ndalë. Sikur sytë po shpërthenin zgavrrash e hundët i rridhnin gjak. Në fakt gjoksin e kishte tërë gjak. I rridhte përgjatë tërë trupit. E shihte dhe nuk mund të bënte asgjë. Nuk mund ti lëvizte gjymtyrët. I hyri frika, u tmerrua. Pse kështU? Pse tërë kjo ngatrresë? Mos kam vdekur? Si provohet nëse dikush është gjallë a vdekur? Pyetjeve të veta Idrizi për herë të parë nuk i jipte përgjegje dot. Këndoi një sure. I doli parasysh Ajmana, e ëma. Këndo Idriz! Ajetin Kyrsi të keqen nëna. Mendoi se ishte i vdekur. Ndryshe si mund ti fliste ajo? Kishte vdekur vite më parë. Fryma iu ndal e nji shtrëngim në fyt....

***

Një infermjere me rroba të kuqe, vithe të trasha e të kërcyera kalonte rëndë-rëndë korridorit. Pse me rroba të kuqe kjo xhanëm, mendoi...  Kurr nuk kam parë uniforma të kuqe në spitale. Ndoshta kështu janë doktorët e vdekjes! Çfarë është ky farë spitali kështu? Pa shtretër, me doktorë të çuditshëm e infermjere të shëmtuara të veshura kuq. I ra ndërmend nji infermjere e një libri të Kroninit. Zonja vdekja i thërrisnin pacientat. Por ata ishin tuberkulozë, i kishin mushkëritë plot qelb. Një ditë doktori nuk pa derman tjetër dhe ia futi nji thikë të hollë mes brinjësh një të sëmuri. Një thikë tjetër nga pas shpinës. Edhe nji nga ana tjetër e brinjëve... Pastaj i futi pipa kallami te vrimat e thikave. Tmerr. -Fred eja këtu! i thirri ai ndihmësit të vet, nji katundari nga Jorkshiri. Shtypja brinjet tani! Nxirrja qelbin jashtë! O Zot! Konfuz siç ishte, deshi të ngrihej në këmbë por këmbët nuk iu bindën. Kam vdekur mendoi, e u dorëzua.

Nji dorë mbi shpatull e shkundi. Edhe nji herë zotni, a do ta shohësh gruan tënde? Ajo është mirë tani dhe kërkon me të pa. -Mirë! Ashtu si i ngrirë zvariste këmbët nepër korridoret e spitalit. Tek ecte mbas doktorit, mendonte t’ia jipte të shtyren e ta vdiste... Ashtu kot. Pa shkak. Kur hyri në sallën e operacionit, pau në qoshe mbi një shtrat hekuri shtrihej Miriami. Fytyra e saj qe hequr e zverdhur. Dukej pesëdhjetë vitë më plakë. Flokët e shpupurishur, sytë e zvogëluar e buzët e vyshkura... Kjo nuk është gruaja ime përsëriste me vete, nuk ka qenë ndonjëherë. Kurr.  Doktori ndaloi pranë një tryezë dhe drejtoi gishtin nga një copë e madhe mishi i kuq në një tepsi . Pa dhjamë fare. Ja çfarë kishte në bark gruaja jote foli doktori. Dy kilogram e treqind e njëzet gram.

-Tumor? -Po fëmija?

-Nuk ka fëmijë... nuk ka pasë kurr fëmijë. Gruaja juaj është e sëmurë. Ajo vuan nga sëmundje mendore. Rriji afër! Ka nevojë për dike.

Tek afrohej nga shtrati i Miriamit ndjeu se e donte. Ju afrua, dhe e preku lehtë në ballë dhe i vuri gishtin mbi dy buzët e i buzëqeshi... U përkul ngadalë mbi te, dhe afroi gojen tek veshi e i përshpëriti... -Ne të dy nuk kemi fjetur kurr bashkë. Në fakt nuk jemi takuar ndonjiherë...

-E di.

-Po pse the se ishte fëmija im? Se isha burri yt?

-E di që nuk ishte i joti. Nuk ishte as imi. I askuj.

Ajo u përqëndrua në fytyren e tij. Vuri buzen në gaz e foli ngadalë, si ndonjë që po i dilte narkoza, si e dejur nga një liker i ëmbël.

-Vërtetë nuk të kam parë kurr më parë Idriz. Por të kam imagjinuar. Kam fjetur me ty e jam zgjuar me ty... Je pak ndyshe nga si të kam ndërtuar në mendjen time, por më pëlqen kështu. Më pëlqejnë buzët e tua të fryra.  

A puth bukur ti? 

- Më puth të lutem! Fort.

Mandej ik! Mos rri këtu, mos më shih!  Do më rrjedhë gjak nga poshtë... shum gjak. Do ftohem ngadalë... Në fillim gishtat e këmbëve. Mandej ngadalë-ngadalë krejt gjymtyrët. Fryma do më mpaket e sytë do më erren. Mushkëritë nuk do më binden më. Kështu vdiset Idriz?

Capturefvb.PNG

-Sofia!

Emri im është Sofia! Sofia Mills. Më fal! Të kam rrejtë për emrin Miriam. Miriami ka qenë e dashura ime. Ajo ka vdekur ka pak vite. Sa e ëmbël ishte! Dy pika lot i rodhen për faqe e një buzëqeshje e hirtë ia ndriti fytyren...

-Tani po ftohem... Ik Idriz! Ik!