Burri me pallton gri.

Nga: Xhabir Tabaku

Kisha një orë pushim në vakt të drekës e nga që nuk e ha drekën kurr, shkova te një park pranë vendit ku punoj. Mora më parë një kafe dhe një paketë cigaresh e u rehatova në një stol. Meqë ka kohë që nuk blej gazetë, celulari është mënyra më e përshtatshme me i hedhë një sy botës. Ndërsa isha duke lexuar, erdhi një burrë diku afër të gjashtëdhjetave dhe u ul në stol pranë meje. Nuk i fola, edhe ai nuk më foli. Mbas nja katër pesë minutash më përshëndeti. Ia ktheva përshëndetjen pa e shikuar fare në fytyrë. Heshtje... Ndjeja që ai më vështronte tërë kohën e disi i sikletosur ktheva shikimin nga ai. Dukej i shqetësuar. Sytë i kishte të mjegulluar. I uli përdhe si i zënë në faj. Prap i ngriti, dhe filloi të fliste me nxitim. Dukej në ankth. Dy a tri herë desha ta ndërprisja për ti dhënë kohë të çlodhej e të merrte veten. Më erdhi keq për te... Nuk deshti ta ndërprisja. Bënte me dorë që të mos e ndaloja. Fliste sikur do linte amanetet. Sikur kishte vetëm aq kohë në dispozicion, dhe duhej t’i zbrazte të gjitha shpejt e shpejt.
- Vajza ime është mësuese në një shkollë të mirë, dhe djali punon në polici. Vajza e ka rrogën më të vogël se djali. Djali punon shumë orë në javë, mbasi nuk ka familje e vajza punon tek një shkollë katolike. Është shkollë e mirë por e paguajnë shumë pak. Ajo flen atje me motrat murgesha që mësojnë fëmijët. Flen në papafingo tek një odë e vogël që deri vonë e kanë pasë pëdorur si magazinë rrobash. Nuk paguan qera. Motrat e strehojnë pa para. Por vajza ime nuk është murgeshë. Jo, jo nuk është. Djalin nuk e shoh shpesh... ai punon shumë, punon me orë të gjata. Vajza jo. Vajza ime është e bukur. A e njeh ti Adele, këngëtaren e famshme? Po e njeh, kush nuk e njeh! Vajza ime është e bukur si Adele. Por vajza ime i ka flokët e zeza. Edhe sytë e zi. A e di si është vajza ime? Është shumë e bukur, të thashë? Si Adele është. Djali ka një të çarë nën gushë. Ka pas qenë rrëzuar nga karroca kur ishte i vogël. Gruaja ime.... Oh se nuk të fola për gruan time. Të fola? Jo, jo nuk të kam folur. Gruaja ime ka qenë e bukur shumë por nuk më donte. Nuk më donte fare mua... donte djalin e vajzën por jo mua. Mua fare - fare nuk më qaste. Por ishte grua e mirë dhe fëmijët i donte shumë. I ushqente e i lante me rregull. Përditë. Askush nuk i lante fëmijët pëditë, gruaja ime po. Vajza ime... të thashë që e kam vajzën shumë të bukur? Sytë i ndrinin tek fliste pa pushim dhe po e shijonte. Kurse djali, ku ta di! Nuk më viziton fare. Jo se nuk do, por nuk di ku të më gjejë. Unë nuk kam shtëpi. Vetëm djali ka shtëpi. As vajza nuk ka shtëpi. Vajza flen lart në papafingo te konvikti i vajzave, atje te shkolla katolike. Të thashë që është mësuese? Vajza ime është mësuese.
- Qetësohu zotni! Ja kemi kohë të dy... Fol avash - avash... Të dëgjoj sa të kesh dëshirë... mos u nxito! A do të ta sjell një kafe? Unë do shkoj të marr një për vete. Po deshe ta marr edhe ty një. Po? 
- Jo! Por ti ik, un të pres këtu. 
U ngrita e desha të largohesha për fare. Njeriu e ndjeu si duket e mu vu mbrapa... 
- Vajza ime është shumë e bukur... i ka sytë e mëdhej e të zi. Duket si Adele, të thashë? Kurse djali është me policinë. Ai nuk më sheh kurrë. As un nuk shkoj tek ai. Zëri filloi ti dridhej. U ndala dhe e pashë me vemendje në fytyrë. 
-Çfarë halli ke? Si mund të të ndihmoj? Fol! 
-Po ja... vajza ime që punon te shkolla e murgeshave dhe flen në papafingo... kurse djali është me policinë... Filloi të ngadalsonte të folurën dhe shpejtësinë e hapave. Unë vazhdova me ritmin e mëparshëm. Duke u larguar, më vinin duke u dobësuar fjalët e tij. Vajza ime... a të kam folur për vajzën time? A të kam thënë që është e bukur me flokët e zi e sytë e mëdhej djali ka qenë në karrocë dhe u rrëzua nuk hanin shumë e djela ishte për gruan time dhe ti them të gjitha nuk jam vonë do vi prap... shtëpinë ma morën ma morën për fare... gruaja ime të kam thenë? ishte ajo nuk ishte mësuese por djali nga ajo... 
Mbas pak zëri i ti u shua. Nuk dëgjoja më as hapat të më ndiqnin... Vransira... kafja më ishte ftohur në dorë. Dita m'u duk e gjatë. Edhe pushimin nuk e desha aq të gjatë. Tek hidhja hapat ngadalë për nga zyra më dilte parasyshë një vajzë e bukur si Adele e një polic me fytyren e thatë, të ftohtë... Vetëm para se të mbërrija te ndërtesa ku punoj për nji moment mendova se djali polic e vajza mësuese... Burri dukej i turbulluar. Sytë e tij nuk flisnin qartë. Shpesh sytë flasin më shum se vetë ne. Kurse në sytë e tij të turbullt e kaluara ishte krejt mister.

Xhabir Tabaku
Londër, më 2017.