Përse yjet na kërkojnë në qiell?

Nga: Sabina Darova

Sot është ditëlindja ime. Mbush 6 vjeç. Dëgjojj emrin që përplaset në katër qoshet e murit si bubullima në pranverë nga zëri shpues i mamit që thërret. Më tëreq vëmendjen duke më sharë hutaq, sepse në vend të këmbës së  pantallonit, kam marrë mëngën e trikos dhe po përpiqem për të futur këmbën.  E shoh drejt e në sy e si për ta sfiduar vazhdoj për llogari timen. Mënga pantallon më pëlqen sepse është e butë dhemban ngrohtë. Më pas përpiqem të fus dhe këmbën tjetër , por aty ngatërrohem dhe mbetem me mëdyshje. Nuk di si të veproj. Idea që të përdor trikon si pantallon më argëton. Dëgjoj derën që hapet e mbyllet shpesh dhe shoh kokat e grave që futen si koka lejlekësh në pellg për të pyetur nëse mungon diçka, nëse jemi gati dhe para se të  zhduken, hedhin vështrimin tek unë. Ndalen duke më vëzhguar disa sekonda e tundin kokën me çudi e dhembshuri. Moskokëçarës vazhdoj në ndërrmarjen time. Dua të jem i veçantë ashtu si gjithmonë këto kohët e fundit. Kam dy javë që nuk më shkon të flas, të loz apo të qesh. Më bezdisin vështrimet plot dashuri të grave e nuk kuptoj arësyen, kur vetëm para këtyre 15 ditëve, këto gra nuk linin fjalë pa thënë mbi mua: trazovaç, mistrec, ngatërrestar, zevzek, rrëmujaxhi, gojë pisët, i pa disiplinuar etj etj. Epitetet që më kanë qepur mbi kurriz janë si vagona treni që nuk i gjendet fundi. E di, jam djalë  i prapët, nuk le dy gurë bashkë.
Jam - isha. Tani jo më. E ndjej që diçka ka ndodhur, por nuk më është qartësuar ende. Muajt e fundit çfarë nuk është bërë me familjen time. Kemi ndërruar shtëpi, kemi kaluar detin e pafund me anije, kemi ndërruar gjuhë, kemi ndërruar rrugë, kemi ndërruar të njohur e së fundi sikur të mos mjaftonte, kam humbur të gjithë shokët. Me ta kaloja kohën deri kur nata të mbërthente për gryke e ndjeja dorën e fortë të gjyshit që më pickonte krahun, duke më urdhëruar të fusja kokën nën çati, ashtu siç bënte me pulat që i tërhiqte brënda kotecit. Për këtë u zemërova shumë me tim atë. Hakmerresha duke i zhgarravitur me ngjyra këmishat. Ai buzëqeshte e kërkonte të më bindte se do gjeja shokë të tjerë më të mirë.
Këtu, në vendin e huaj ndërruam tre shtëpi. Zënkat e prindërve shoqëronin sejcilën prej tyre.  E fundit që ndërruam, është shtëpia më e madhe që kam parë deri më sot. Quhet Shtëpi- Familje. Jetojnë gratë me fëmijët e tyre. Falë këtyre kam mësuar të numëroj sepse suora, kështu e thërrasin gruan që mban një veshje të gjatë e të zezë, me jakë të bardhë dhe me flokët lidhur e të mbuluara nga një copë e hollë e bardhë, bën apelin çdo darkë kur ulemi përreth tavolinës. Kam mësuar të mbledh dhe të zbres deri në 30-të. Dhe jo vetëm kaq. Kam mësuar të përshëndes në disa gjuhë, por edhe të shaj. I kam mësuar sa të hapësh e të mbyllësh sytë nga nënat, që ju bërtasin fëmiijëve të tyre.

Sot është ditë e veçantë, kam lindur unë.  I bindem duarve të mamit që më veshin bukur e më përkëdhelin. Vendos të bëhem djalë i urtë. Me dorën ngjitur mbas së sajës, tërheq këmbët për ta ndjekur në sallën e ndjenjes. Kur ç'të shikoj! Tavolina është e mbushur plot e përplot me ushqimet që më pëlqejnë sa një botë. Përreth saj janë të gjithë banorët e kësaj shtëpie të madhe. Oooh! Kaq i rëndësishëm qënkam? Ky llastim ngopë pretendimet e mbledhura në shportën e dëshirave. Festa vazhdon me radhën e dhuratave, nje, dy, dhjetë... Por, nuk ndjej kënaqësinë e festimeve si të viteve të kaluara. Sytë jane si të fikur. Gratë shohin njëra tjetrën dhe diçka pëshpërisin mes tyre.
Kthej kokën nga dera dhe instinktivisht pres që të më sjellë diçka. Mami më puth butësisht e më fton të gëzoj së bashku me grupin. Unë insistoj me vështrimin të ngulur nga dera.
Pres që të hyjë me zërin gazmor im atë, të hapi krahet e të më përqafojë fort. Kanë kaluar dy javë që ai nuk vjen .  Kur pyes mamin ajo ul sytë dhe qan. Nuk di se ku ka shkuar.
Me thonë që e kërkoi qielli...