Tre këndezë të keqkuptuar

Nga: Sabina Darova

Po qysh do ikim nga këtu, më pyet një nga vëllezërit e mij trenjakë. Kaq të vegjël, tre muaj e gjysëm, do na largojnë nga prindërit tanë, e këta nuk po tunden?
Na ka shitur i zoti i kotecit, - përgjigjem.
- E sheh atë njeriun me flokë gështenjë e sy të gjelbër? Ai na bleu. E vura re, ndërsa nxirrte disa kartmonedha nga xhepi i pantallonave e ja numëronte Çelos një e nga një, fshatarit që na mban në kotec me prindër, xhaxhallarë dhe kushërinj të gjithë bashkë. Nëna jonë, pula më e bukur në familje, tund bishtin e kënaqur sepse ne jemi zogjtë e përzgjedhur. Mendon se do kemi një të ardhme më të mirë se të sajën. Çeloja i thotë pronarit tonë të ri, që nuk mundet të mbajë më shumë se 10 zogj, ndryshe, sekretari i Partisë dhe kryetari i kooperativës e pushojnë nga puna dhe jo vetëm kaq, por i vendosin nofkën Aga i fshatit. Dhe emri Aga, është emër i tmerrshëm, është si sëmundje e keqe, që po tu ngjit nuk e shqit dot, veç telashe sjellë. Bëhesh me njolla të frikshme. Dhe këto njollat që kanë njerëzia në këto konë, janë më të rrezikshme se njollat e sëmundjeve tona.
Myfiti, pronari i ri, na fut në një thes të cilin nuk e shtrëngon shumë tek gryka, për të lejuar të hyjë një fije ajri e më pas na hedh mbi kamion. Fjalët e fundit që më kap veshi janë falenderimet e tij per tre zogjtë - pula që do ti dhurojnë vezë të mëdha për fëmijët dhe që vendbanimi ynë i ri do jetë në qytet. I habitur shoh në sy vëllezerit dhe i pyes nëse jemi zoçka pule, apo tre këndezë të rinj e të bukur siç na thërret nëna jonë? Ata të trishtë ulin sytë e fillojnë të qajnë me dënesë. Na duket vetja si në burg e të braktisur. Ndjehemi në kurth. Cili do jetë fati ynë? Po çfarë jemi xhanëm, pula apo kendezë ? Po kur ta zbulojnë se çfarë jemi me të vërtetë si do jetë fundi ynë? Do na lenë të jetojmë apo do na ngordhin si të dënuar politik ? Kështu me të padrejtë do paguajmë haracin e gënjeshtrave të Çelos.
Me gjithë këto pyetje e dhimbje në trup nga rruga e gjatë e gjithë kthesa, që na bënë kurrizin më të butë se barkun, mbërrijmë në mbrëmje në qytetin e ri. Puplat na janë ngjitur për trup të djersitura. Sapo kamioni ndalohet, kuptojmë që kemi arritur në destinacion nga zërat që vijnë nga jashtë e që përshëndesin baba Myfitin të kthyer nga rruga e largët. Ai ngre thesin ku qëndrojmë ne, e hap ngadalë dhe na nxjerr një e nga një duke na vendosur mbi një tavolinë të drunjtë. Ohhhh çfarë kënaqësie! Më së fundi ajri na mbush mushkritë. Ndjej që është më i freskët e më i lehtë nga vendi ku jam rritur. Ngre sytë lart e shoh qiellin blu të errët të natës mbushur me yje dhe në krah, një mal me shkëmbinj të thepisur. Ngjitur mbi të si kopsa këmishash, shoh çati me tjegulla të kuqe. I kundroj i habitur sepse sytë nuk kanë parë deri më sot një pamje të tillë. I fërkoj i mahnitur. Pamja është me të vërtetë piktoreske. I gëzuar kërkoj të nxjerr zërin tim të bukur për të kënduar kirikikiuuuu, por shpejt kujtohem që ndoshta duhet të jem pulë dhe e ndaloj në grykë. Myfiti thërret gruan e fëmijët duke na treguar me gisht. Pak muaj, iu thotë, e do pini vezë të freskëta. Nuk do kemi më nevojë per 10 kokrra veze të qelbura qe na jep shteti një herë në dy javë. Do kemi vezët tona. Do pini një të kuq çdo mëngjez e zëri do ju bëhet qelibar e i fortë. Tre djemtë e Myfitit afrohen pranë e të çuditur kërkojnë të prekin pushin e puplave tona që dalëngadalë fillon të marrë jetë e të shpupuriset.
Njëri prej tyre, ai që duket më i vogël, pyet të jatin se ku do na vendosin të flemë.
Sonte në banjë, përgjigjet i jati. Nesër shohim e bëjmë.
Në banjë? Kthej sytë nga vëllezerit, dhe lexoj frikën edhe tek ata. Ne jemi mësuar të jetojmë grumbull në një kotec. Po tani si i bëhet? Jemi dhe të uritur. Ndjej barkun që lëshon ca tinguj të çartur. Djali që ka sytë jeshilë si të jatit , rreth të gjashtëmbëdhjetave, na qaset pranë dhe hap dorën e mbledhur grusht. Njoh farat e grurit dhe nga gëzimi filloj të lëviz krahët. Ai i lumtur na ndjek me buzën në gaz, ndërsa çukisim një e nga një grurin e shijshëm.
Babi- thërret të jatin. - Nesër kotecin do jua ndërtoj unë pulave. Do e vendosim përpara oborrit që ti shohim çdo ditë si rriten dhe do ta kemi më të lehtë ti gjejmë dhe vezët.
Mëngjezi vjen dhe të lodhur nga udhëtimi e ndërrimi i vendit që na la pa gjumë, mezi ç'presim që të na nxjerrin nga banja e ftohtë. Dëshira realizohet. Jemi drejt e në oborr. Të themi të vërtetën, oborri është i madh dhe mund të bësh shëtitje të gjata e ta kalosh ditën pa u ndjerë. Por për çudi, në vend të barit këmba të shkel mbi gurë. Në vendin tonë, në Kosovë të Lushnjes, toka është e butë dhe e veshur me tapet të jeshiltë. Ndërsa këtu, në këtë vend të ri, poshtë kthetrrave ndjej ca si guralecë të vegjël që gudulisin e vrasin njëkohësisht. Paskemi zbritur në mbretërinë e gurëve, ju them vëllezërve. Ju kujtohet ajo shprehja që pula ha gurë? Këtu paskërkemi për të ngrënë gurë!
Luli, djali që na ofroi grurin në mbrëmje, afrohet përseri dhe na hedh mbi tokën e gurtë një tas të vogël me misra.
- hani tani dhe rrituni shpejt se unë dua vezë. Mbasi të kthehem nga shkolla do ju ndërtoj shtëpinë e re.
Mbasditja mbërrin shpejt dhe Luli e mban fjalën .Shtëpia jonë e re ndërtohet në dy orë. Dyshemenë e veshin me kashtë dhe më së fundi këmbët tona të gjakosura prekin butësinë. Në kotec ka vend të lozësh e të hedhësh valle.
Luli bëhet miku më i ngushtë. Kujdeset për çdo gjë dhe pret me padurim vezën e parë. Me kalimin e ditëve rritemi dhe dyshimet mbi gjininë tonë fillojnë të bëhen më të pranishme. Të çuditshme këto pulat, dëgjoj tek i qesëndisin komshinjtë me buzën në gaz.
Një mëngjez, vëllezërit e mi, harrojnë të mbajnë zërin, dhe që pa gdhirë, ja japin këngës për shtatë palë qejfe , atë që quhet kënga e këndezit në orën pesë të mëngjezit.
Bobooo ç'bëtë! - iu bertas - na morët në qafë; sonte do përfundojmë në furrë të pjekur.
Të tre djemtë shfaqen përpara derës së kotecit me vrap e na nxjerrin përpara derës duke na ekzaminuar me vemendje. Ne dridhemi si purteka.
- Janë gjela, - thonë. - këta nuk kanë asnjë shenjë pule. Po tani? Po vezët tona që mezi i prisnim?

Capturefgrp.PNG

Ne të tre, dyllë të verdhë kuptojmë që dielli nuk mund të mbulohej dot me shoshë.Fund i paevitueshëm. Koka e prerë apo një shqelm rrugëve!
Luli është shpëtimi ynë. Ai na mbron me vendosmëri përpara të jatit duke thënë që jemi tre shokët e tij. I kërkon që të sjellë tre pula, sepse fundi është faji i atij që nuk dijti të dallojë pulën nga gjeli, mund të çiftohemi dhe vezët do jenë të sigurta. Nuk ju besojmë veshëve. Me puplën e krahut të majtë, arrijmë të fshijmë djersën që na pikon mbi lafshën e kuqe. Ideja se mund të mbërrijnë tre pula, na bën që të fërgëllojmë nga kënaqësia. Ja marrim këngës dhe vendosim të insistojmë sa më shumë me zërat tanë për përshpejtimin e ardhjes së shoqkave.
Ditët kalojnë dhe asnjë shenjë pule nuk duket. Të nervozuar, fillojmë te ngrejmë zërin kohë e pa kohë në protestë për ti mërzitur. Jo vetëm që pula nuk shohim, por tre djemtë e shtëpisë, të paturp sjellin në shtëpi shoqet e tyre. Fillojmë ti gjuajmë me sqep bishtat e fustaneve dhe çupkat të trembura, kërkojnë qe të na mbyllin brënda kotecit sapo vendosin këmbën në oborr. Dëshira e tyre urdhër për djemtë. Për ne tre gjelat qe na digjet shpirti për të parë një pupël të bardhë, aspak mëshirë.
Por peripecitë tona nuk kanë të mbaruar. Një ditë të ngrohtë pranvere, shohim përpara oborrit të shtëpisë Lulin me një grup nxënësish të shoqëruar nga një grua që duhej të ishte mesuesja e tyre. Të gëzuar ja japim këngës për ta përshendetur. Ata kthehen të habitur drejt nesh sikur të kishin dëgjuar një zë të ardhur nga një planet tjetër dhe njëzëri thonë:
- Luli, ti ke pula e gjela në shtëpi ? Nuk e di që është e ndaluar?
Mësuesja e shikon drejt e në sy dhe me zë të prerë i thotë:
- Luli, si ka mundësi që ju mbani këta shpendë në shtëpi? E di që është e ndaluar? Partia na ka mësuar që nuk duhet të mbajmë asnjë shpend apo kafshë në oborr. Ju jo vetëm që i mbani, por keni vendosur kotecin e tyre në rrugë e që shihet nga kushdo. Po sfidoni Partinë? Babai yt rrezikon vendin e punës. E kam mik dhe po të paralajmëroj. Çfare ju kam mësuar gjatë orës së mësimit në marksizëm deri tani? Që kafshët dhe shpendët rriten në ferma apo kooperativa, apo si? Vezët blihen në dyqan.

Luli i skuqur deri tek veshët, fillon të mbrohet duke u betuar që ne nuk jemi pula, por gjela, dmth, që vezët blihen në dyqan.
- Njësoj Luli, njësoj, - vazhdon ajo. Zëri i gjelave shqetëson njerëzit që flenë në mëngjez dhe janë të pabindur. Nesër nuk dua ti shoh më këtu.

Të pikëlluar, mbasi dëgjuam fjalët e fundit ulëm qafën e futemi në kotec. Situata ishte mëse e qartë. Duhej të merrnim një vendim te menjëhershëm : të prisnim darkën e të përfundonim të pjekur në furre, apo të arratiseshim për tu kthyer tek Çelo a diku tjetër. Po sikur të na kapnin në rrugë e të na vinin njollën si armiq të popullit?
Gjithësesi, njëzëri preferuam të hidheshim në rrugë.
Harruam që duhej të kapërcenim gardhin e nuk kishim mësuar të fluturonim.