Më ndiq në lojen time...

Nga: Anjeza Dielli

 

Më ndiq në lojën time i dashur

është një lojë për nerva të forta,

është një lojë pa fjalë, veç me shenja mbi gurë shpellash;

më ndiq nëse do

dhe unë do të bëj miniaturë gjithë sipërfaqen e tokës;

pemët, rrugët, ndërtesat, detet, trenat,

të gjitha.

Ti do të jesh syri i madh që i sheh të gjitha nga lart,

ti do të kesh forcën me dy gishtrinj të ndërrosh rrjedhën e lumit, të çosh trenat ku do ti,

të shembësh ndërtesa dhe t'i ndërtosh përsëri

dhe mua, të vetmin këmbësore në ato rrugë

ta kapësh prej koke, ta ngresh në ajër, të mos e lësh të eci me këmbet e veta, ta çosh nga njëra anë e botës te cepi tjetër.

Më ndiq në lojën time i dashur,

do bëj miniaturë të gjitha qelizat e shpirtit;

ta copëtosh si ti të duash,

ta vendosësh përsëri si pazel aty ku të duhet ty;

atëhere do të them që kam një zemër krejt të re.