Mirupafshim nesër

Nga: Sabina Darova

Eshtë pesë pasdite,vjeshtë, nëntor 84' . Edhe dy javë e afrojnë festat. Ndërrmarja bujqësore gumëzhin nga aktivitetet që organizohen për këto dy data: dita e pavarësisë dhe dita e çlirimit. Në studjo jam i mbuluar me kartona të të gjitha përmasave, të vendosura andej e këndej, disa për tu shkruar e disa për t'ju tharë boja akrelik, të tjera për tu vendosur në gozhdat e ndryshkura. Këto, të gëzuara, presin me padurim për të fshehur pamjen e mureve lakuriqe.
Duhet të përgatis 200 copë parrulla që do veshin muret e zyrave nga jashtë-brenda, si dhe të sektorëve të shpërnadarë në të gjithë qytetin. Për këtë arësye popunoj deri në orët e vona, i vetëm.
Ndërsa përziej bojrat me penel ndër kavanoza, ndjej një tingull çelsash që përplasen, ndërsa hapin bravën e derës në krah. Ndiqen nga një grup zërash që përshendeten njëri me tjetrin. Njoh zërin e sekretarit të Partisë së ndërrmarjes, kryetares së Bashkimeve Profesionale, dhe tre anëtarëve të byrosë së Partisë. Çuditem,  sepse orari i administratës mbyllet në 15.30, por meqënëse është prag festash, Partia ka shumë punë, e mbledhjet bëhen në çdo kohë. Mundohem ti mbush mëndjen vetes. Por, pa e kuptuar, ndjej që nuk ndjehem i qetë. Trupi sikur parandjen diçka. Ngjan me ato parandjenjat e kafshëve përpara tërmetit. Në krah, radio Iliria që mbaj mbi tavolinë, lëshon tingujt e nje simfonie të Tish Daisë. Mik i vjetër i rinisë. E dëgjoj me ëndje. Eh kohët e shkuara!  Ende jetonim një korridor lirije.
Dikush troket në derë e më pas e shtyn. Hedh një sy dhomës së punës, habitet nga prania e kartonave që zotëron vendin.
- Oooh Andon, sa punë paske! Edhe tani punon?
- Po, shoku sekretar. Kemi festë apo jo? Duhet ta bëjmë ndërrmarjen sa më të bukur.
- Patjetër., të lumtë! Mirë, vazhdo. Ne kendej kemi mbledhjen e Partisë. Ulja pak zërin radios.
Më shkel syrin dhe tërheq derën mbrapa.
Unë ndjehem i lehtësuar, ndoshta parandjenja që provova ishte e gabuar. I buzëqesh vetes, i tërheq edhe një të sharë vënçe, marr penelin në dorë dhe e ngjyej në bojën e kuqe.
Kartoni i bardhë 20x20, pret në ekstazë ardhjen e shkronjave të shtypit PPSH , si një flirt në një krevat martesor. Filloj të fishkëllej lehtë e të vendos furçën e penelit me ledhatim në punë. Kalojnë rreth 10 minuta, kur veshi më kap emrin tim. Ndal dorën, drejtoj qafen nga krahu i murit ndarës me zyrën e sekretarit. Mure i thënçin, sepse janë mure ndarëse me kompensatë e të lyera me bojë të bardhë siper. Më parë, në objektin ku jemi vendosur, ambjentet përdoreshin si magazina. Me ardhjen tonë u adaptuan në zyra, ku sejcila veçohet njëra nga tjetra me mure kompensatë. Dëgjohet gjithçka. Ke frikë të lëshosh edhe ndonjë nga ato zhurmat që të shpëtojnë pa dashur,  se sa të hapësh e të mbyllësh sytë, zëri dhe era do ketë kaluar si trajektore deri ne zyren e fundit, ku ndodhet magazinieri qe hakërrehet me furnitorët.
- Na ka ardhur një letër nga Komiteti i Partisë së Korçës. Së pari na kritikojnë dhe së dyti , kërkojnë që të marrim masa ndaj dizenjatorit tonë, Andonit.- dëgjohet të thotë sekretari.
Mua më ngrijnë duart mbi letër.
- Përse, çfare ka berë - pyet njëri nga anëtarët, Zyhdiu.
- Asgjë, por dihet, ka vëllain në burg, për axhitacion e propagandë. S'është hera e parë që na shkruajnë. Më kujtohet 3 vjet më parë, por drejtori i ndërrmarjes e shpëtoi. Ishte burrë i mirë dhe e donte Andonin. Tani na përsërisin që nuk duhet mbajtur më për të shkruar parrullat e Partisë. Edhe pse është burrë i mirë e punon pa përtim. Ja, edhe tani qe hapa derën, e gjeta në punë.
- Patjetër shoku sekretar,- ngre zërin kryetarja e BP- le të ndërrmmarjes. Korça ka të drejtë! Duhet hequr sa më parë. Kemi një armik klasash në gjirin tonë. Rradhët duhen pastruar, duhet të burojë gjak i pastër.
- E vërtetë- plotëson Murati,- por ka kaq vjet që punon tek ne. I ndershëm, punëtor, i heshtur, shikon punën e tije ka tre fëmijë për të rritur.
- Por nuk mund të mbyllim syrin e të luajmë rolin e qorrit,- ndërhyn sekretari.
- Propozoj ta çojmë punëtor në brigadë e më pas ai të vazhdojë punën ketu, fshehurazi, kuptohet, pa rënë në sy. - thotë Zyhdiu.
- Po tani kemi dhe festat, njeri tjeter të afte si ky, nuk gjejmë. Kush do i përfundojë parrullat ne kaq pak ditë që kanë mbetur?- ndjehet zëri I preokupuar i Fatosit, anëtarit të tretë të byrosë
- Unë them qe duhet pushuar në vend - ngre zërin kryetarja e BP-së.-  Partia ka rregulla! Gjejmë dikë tjetër. Nuk e kuptoj këtë butësinë tuaj.
Në pak minuta ra heshtja e zezë. Nuk dëgjohej as tik taku i orës së vendosur mbi tryezën e punës së sekretarit.
Ndërkaq, trupi im bulëzoi djersë sikur të dilte nga furrnalta ku digjej gëlqere.
- Nesër do i përgjigjem Korçës- nxjerr zërin mendueshëm sekretari. Ikim tani se u bë vonë e na presin kalamaqtë.
Kërcitja e këmbëve të drunjta të karrigeve bashkohet me çukitjen e çimentos që shtron dyshemenë gri në tingull gërvishtës. Degjoj përsëri zhurmën e çelesit mbi bravë dhe zërat e tyre që përshëndeten.
Tok toku mbi kurrizin e derës më arrin në trurin e mpirë.
Përsëri rishfatet fytyra e rrumbullakët e sekretarit, por jo e vetme. Jane dhe katër fytyrat e tjera që e shoqërojnë. Ngulin vështrimin e turbullt mbi mua, përshëndesin e largohen duke më uruar natën e mire dhe mirëupafshim nesër.
Mirupafshim nesër?
Hedh sytë mbi parrullat që më nxjerrin gjuhet e tyre të skuqura. Unë, karton i bardhë, gati për tu hedhur në përrua.