E pirë...

Nga: Merita Paparisto

E pirë…
Një shishe verë është shumë për trupin tim të imët
Alkoli rrjedh me gjakun në të njëjtët damarë
Në dy shtretër krej të veçantë të papërzier.
Kur rrjedha arrin në tru, fillon festa:
Neuronet vallzojnë të hazdisura në korteks.
Unë bashkë me to
E di mirë që dy gjëra më ndodhin kur pi: 
Përqafoj të gjithë njerëzit që kam pranë
Dhe çfarë është e dyta, e harroj gjithmonë.
Lëkura tashmë më është shndrruar në të gjelbër
Dhe vështrimi kërkon sytë e tu me të njëjtën ngjyrë
Ti bën sikur nuk më sheh, por nuk mund të më shpëtosh,
Të afrohem dhe të them në vesh me pëshpërimë
Që je dashuria e jetes time
Që do të të dua deri në vdekje
Ti më thua “faleminderit” pas çdo pohimi
Dhe qesh.
Gjithë kohën dua që të shkruaj këtë poezi
Por nuk kam duar. Më janë këputur.
Në fillim parakrahët deri në bërryl
Dhe më pas krahët deri në supe.
Do kisha dashur më mirë të më ishin këpur të gjitha rropullitë

Së bashku me stomakun.
Shishja e verës dhe festa në korteks
Është pothuajse në fund.
Neuronet pengohen mbi cungje të shkrumbuar
Dhe rrëzohen mbi njëri tjetrin të përgjumur
Ndërsa unë mbyll radion,
Sepse më mbushet mëndja që jam
Nota në pentagram dhe më zë frika
Se mund të fluturoj jashtë dritares
Bashkë me fjalët e këngës.
Rrjedha e gjakut dhe alkolit janë përzier më në fund
Më duket sikur do mbytem në atë lëng të turbullt pa emër.

Fundja pa krahë nuk mundem as të notoj.
Mbi brigje papritur dendësohet një mjegull malli e trishtë,

Që sjell me vete zgushi mbytëse, të lagësht.
Era e harresës fle.
“Një kafe do të lehtësojë”
Në sfond prap muzikë dhe zëri monoton i fallxhores
“Shoh një qen që të kafshon këmbën” – 
Vetëm kaq arrij të regjistroj,
Pastaj futem në një pyll që digjet vazhdimisht
Dhe kam etje.
©M.P.