Alma Braja...Poezi

Nga: Alma Braja

Këtu,
në mes të rrugës,
shikoj rrugicat që nuk jam kthyer.
Shikoj fytyra të qeshura.
Buzë që belbëzojnë,
por nuk nxjerrin zë.
Këtu, 
në mes të rrugës, 
është ditë vere e nxehtë.
Fillim shtatori mund të them.
E rrugicave që nuk jam kthyer,
ka pranverë.
Nga ajo pranverë 
që nuk preka ndonjëherë.
Përpara është vjeshtë. 
Do të kthehem në rrugicat e vjeshtës
me siguri. 
Do të shijoj deri në palcë
shiun dhe gjethet e kalbura përdhe.
Do të bëhem një me to.
Veç dimrit nuk dua t'ua di rrugicat.