"Plagjiat i pamundur"

Nga: Merita Paparisto

(Meditim mbi »End(j)e«, poezi e përzgjedhur nga Arb Elo)

E kur ditë e re të vijë me zhurmë 
do hapim sytë e do shohim tjetrin, 
Do habitemi: »Po ti qënke si unë!« 
e s’dihet në do të qajmë a qeshim…

(nga »Gazetë e qiellit«)

Ndërsa po provoja që të shkruaj një reflektim mbi poezinë e Arb Elos, mendova se më duhej të gjeja një “grep”. Një fjali grep, që ta vendosja në krye të shënimeve që vijojnë, një grep që do të ravijëzonte veprën për të cilën do të shkruaja, që do ta bënte lexuesin të vazhdonte leximin më tutje. Më duhej një grep pra, por a mundesha ta gjeja atë lehtësisht? A mundesha lehtësisht të zgjidhja mes mijëra vargjeve të dala nga një penë tepër e talentuar. Mision i vështirë ky.

Fillimisht kam rënë në kontakt me poezinë e Arb Elos në një forum shqiptar, shumë vite me parë. Midis poezive që shkruheshin aty kishte poezi dhe poetë shumë të mirë, porse poezitë e tij rrinin krejtësisht të ndryshme në dallim me to, të veçanta dhe të mirëfillta.

Poezia e Arb Elos nuk ishte nga ai lloj i poezisë, të cilën mund ta marrë në dorë çdokush dhe thjesht ta lexojë. Më parë duhet që të kesh kapërcyer disa shkallë si lexues, të kesh një histori leximi të poezisë para se të arrish ta përvetësosh, tretësh dhe shijosh atë të tijën, madje, meqë erdhi fjala te shija, po dua shumë ta krahasoj me kaviarin.

Më pas fillova ta ndjek poezinë e tij nëpër rrjetet sociale ku publikonte dhe m’u bë zakon që poezitë që më pëlqenin t’i ruaja në një dosje të veçantë në desktop dhe t’i lexoja herë pas here. Më vonë, kur botoi, bleva të gjithë librat e tij online.

Poezia e tij është shquar dhe vlerësuar gjithmonë, edhe pse ndoshta në heshtje, heshtje që mund të ketë ardhur për një gamë të gjërë arsyesh, të cilat variojnë që nga mungesa e strukturave të duhura për promovimin e letërsisë realisht të mirë në Shqipëri dhe deri te heshtja për arsye të vogla, siç “dënohen” ndonjëherë me heshtje dhe lënie në hije ata që mund të jenë më të mirë se ti.

Arb Elo ka botuar gjithsej gjashtë libra me poezi, por unë po dua të flas për librin e tij të shtatë, atë me poezi të zgjedhura nga të tërë librat, i titulluar »End(j)e« . Që në titull autori luan me fjalën, “lojë” që do të shoqërojë në të gjithë vëllimin..

Poezia e tij më fuste përherë në hulli krejtësisht të pashkelura ose shumë pak të shkelura nga letërsia shqipe në përgjithësi dhe poezia shqipe në veçanti.

Duke udhëtuar shtigjeve të ekzistencializmit, të raportit midis krijimit dhe krijuesit në të gjitha përmasat, qëmtimit të botës së brendshme, (dhe kur them: »botës së brendshme«, nuk kam parasysh vetëm shpirtin, por më shumë më se aq: vetë ekzistencën në tërësi) jam ndeshur me hije, të gjalla dhe të vdekura, qenie neutrale që kërkonin të dinin ku ishin, nga kishin ardhur dhe ku do të shkonin, kam ndeshur nëpër vargjet e tij muzg të trishtuar dhe të lagur, dhimbje, rënie dhe ngritje. Po përmend këtu poezinë “Pik”, të cilën e rreshtoj si një nga më të mirat e poetit në fjalë.

Shumë nga poezitë e Arb Elos kanë për motiv raportin e vetvetes me botën dhe e veçanta këtu është se ai përpiqet të përcaktojë jo vetëm raportin e tij me botën që shohim dhe perceptojmë direkt me shqisa, por shumë më tepër dhe më thellë se kaq.

Pjekur jam tashmë, rënduar, gati për të rënë, 
dhe në qoftë se nuk vjen kush të më këputë, 
(si fik të madh, të zi, varur degëve të ulëta, 
me tul të lëngëzuar nga rrezet e bark të kuq, 
ku lodron një fëmijë zjarri flakë pakuptim, 
ngjizur me xixa ylli nga shkëndija endacake, 
që mbarsi me dritëshpirt kohë, hije e fryta), 
do të përgjakem, çahem, rrëgjohem si plagë, 
ënjtur nga nektari i fjalës, i dehur, buzëtharë, 
si ata që ngjitën malin e nuk i zbritën prapë.

(nga »Pik«)

Nëpërmjet vargjeve autori ecën mbi telin e dilemës: kush jemi, nga kemi ardhur dhe ku shkojme.

Nga vrima kam dalë, 
Në gropë do t’hyj njëherë, 
Pyetja e parë: 
Ç’patë që më bëre?

Kush? Ti mua a unë ty? 
Ëndërr në ëndërr, 
Një jemi në, jo dy…

(nga »Përtej pulsit«)

Nëse do të flisja vetëm për poezitë filozofike të Arb Elos, do të kisha cekur vetëm gjysmën e tyre, po të mos përmendja poezitë narrative të tij. Poezitë ku ai përshkruan momente të jetës së perditshme të njerëzve, të ngjarjeve tepër të dhimbshme të kombit tonë, si eksodi i vitëve 1990 e më pas. 
Në poezitë narrative të tij gjejmë copëza jetësh fëmijësh, adoleshentësh, të rriturish, kalojmë vende dhe ngjarje që i njohim të tërë, por tashmë të para nga një këndvështrim krejt tjetër, të treguara në një mënyrë krejt tjetër, krejtësisht befasuese, nëpërmjet një vargu të ngjeshur me metafora dhe ritme dhe rima, të cilat u japin “zë” dhe “figurë”, u japin një kontrast më të thellë atyre ngjarjeve.
të cilat u japin “zë” dhe “figurë”, u japin një kontrast më të thellë atyre ngjarjeve.

Po ashtu, nga një pozicion dhe nga një këndvështrim po aq të veçantë sa poezitë e mësipërme, janë edhe poezitë e dashurisë apo ato erotike të Arb Elos. Dhe ja sa me delikatesë:

Në afshi do të mund të jepej me një simbol,
ai do të kishte (për mua) simbolin e linjës, prerjes
së buzëve të tua me tjetrën, një zik-zak rrufeje të hollë
e të padukshme, një rritje tensioni të lehtë fare të puhisë.
( nga poezia "Në Afshi" )

Tepër e veçantë është muza e tij Lee, të cilës i kushton vargje në shumë nga poezitë e tij.

„Unë jam, Lee. Pse lakuriq sot?“, sytë s’i ngrita nga toka,
ndërkaq kënga nisi sërish nga e para, „ E ç’rol luan tash,
ç’punë prish?“, iu gjegja pa e parë, „Merr ndonjë të ftohur,

prandaj, përndryshe asnjë problem nuk ka. Si e quajnë?“,
(e kishte fjalën për maçokun, që e mbaja ende në krahë)
„Arb e quaj unë dhe e gjeta a më gjet’ në kishë qëparë“

Dhe më poshtë, në te njëjtën poezi:

„Ç’duan prej nesh Lee; pse po duan të na vrasin dhe cilët janë?“
„Eh Arb, është Walpurgisnacht, dikur qenë të zinjtë, hebrenjtë, 
gratë, fëmijët, etj., dhe tash bingoja u ka rënë tanëve, poetëve.

(nga “Nata e Valpurgas”)

Në diskutime që kam pasur me persona të ndryshëm për poezinë e Arb Elos më është dashur të kundërshtoj pohimin që poezia e tij është hermetike. Në fakt jo. Poezia e tij nuk është hermetike, por është tepër e ngjeshur me figuracion, me ritëm e me rima, dhe duhet një mendje e stërvitur me leximin e poezisë që ta shijojë atë si duhet. Gjithashtu, poezitë e Arb Elos nuk mund të lexohen me shumicë. Ato duhen lexuar ngadalë, me ngé, fjalë për fjalë, varg për varg, strofë për strofë.

Në gardh të qerpikut ka mbetur pak push nga vegimi yt, 
Fërkoj sytë, në mes të akullnajës së tyre është një vrimë, 
prej nga rrush’ i shtrydhur i bebëzës më pikëllon musht, 
Ngjit në buzë fjala e pathënë kurrë në gjuhë të padëgjuar, 
gjurma e pamjes, që si fantazmë s’la gjurmë mbi retinë, 
Nuk hyj dot brenda, dera është e mbyllur dhe e ngushtë, 
ulem në prag të dritës si hije e duroj atë ç’është shkruar.

(nga »Në Mes të syve«)

Ja vargjet e mësipërme, butësisht të përshkallëzuara nga qerpiku - në sy, nga syri - në bebëz, nga bebëza brenda - aty ku ngjizet fjala, dhe prej aty, një prag dhe një derë, nga ku nuk mund të shkohet atje prej ku vjen drita. Ky është edhe njëri nga hulumtimet e poetit, të cilin do e ndeshim shpesh gjatë poezive të tij.

Të njejtën dilemë, në shkallë superiore, shohim edhe në vargjet e mëposhtme:

Rrathët kaf’ o mik, poshtë syve, të kapur fort pas gardhit, janë 20 vjeç, 
Ku shkoi rinia e iku vrulli? Të fashitura, nën kapakë, flenë atje shqipet, 
të radhitur ngushtë nën këmisha force, harbuar asokohe si kuaj të egër, 
për të ikur tutje. E unë dua të arratisem prapë, të më vrasin pas shpine, 
të iki, të shkoj ku nuk e di as vetë, të vdes për diçka e jo më kot a plak, 
varrezash të huaja, me gardhe që i mbajmë përmbi vete, si duart pranga.

( nga “Ngushtë”)

Nuk dua të analizoj çfarë shprehin vargjet dhe mjetet me të cilat autori ia ka arritur qëllimit, sepse nuk është ky qëllimi i këtyre shënimeve; sepse, siç e përmenda, kush nuk arrin t’i kuptojë vargjet e Arb Elos, nuk mundet as ta lexoje atë. Por i solla këto vargje dhe dua të sjell edhe disa të tjera në vazhdim, për të treguar talentin, penën e stërvitur, lëmimin e vargut dhe fjalës deri në përsosmëri.

Përsa i përket formës së poezisë, autori (dhe talenti i tij i padiskutueshëm) i përdor të gjitha format, të gjitha llojet e metrikave të vargjeve, duke filluar që nga vargu i shkurtër dhe duke vazhduar me atë të gjatin apo edhe me prozën poetike. Madje në të njëjtën poezi ka ndërthurje të vargut të shkurtër me atë të gjatë, gjë që i jep poezisë një lloj shkëputjeje apo ndryshimi të domosdoshëm për t’u bërë më lehtësisht e asimilueshme, ky ndryshim gjithnjë në funksion të idesë së poezisë.

Po ashtu edhe përsa u përket rimave. Në përgjithësi Arb Eloja parapëlqen vargun e lirë, por nuk lë pas dore dhe pa lëvruar të gjitha llojet e rimave. Nuk e kam hasur në asnjë poezi tjetër të gjuhës shqipe aliteracionin, ashtu siç e kam hasur në poezinë në fjalë.

Ai ka aftësinë dhe talentin t’i xhonglojë vargun, rimën, ritmin figuracionin, dhe ti bashkojë në një entitet të vetëm thuajse të përsosur. Nëse do të duhej një manual studimi për llojet e metrikave dhe rimave në varg, libri i Arb Elos do të ishte “gjithçka në një”

Mendimi im personal është që disa nga poemat që ai ka shkruar, - më së shumti poema narrative, por edhe filozofike, - janë shumë të gjata dhe lexuesi humbet vëmendjen deri në fund. Ose mund të shkurtoheshin dhe të përmblidheshin, ( gjë që më vjen keq ta them, sepse nuk do të dija çfarë të shkurtoja nga vargjet e Arb Elos) ose mund të botoheshin në libra të veçantë dhe të lexoheshin si të tillë. Edhe eksperimentimi me forma gjeometrike të strofave nuk mendoj që shton vlerë në këtë lloj poezie të ngjeshur.
Gjithashtu, duhet të theksoj që në poezitë e Arb Elos nuk do të gjeni dot lulet, diellin, detin, pemët, valët, retë, ëndrrat rozë, etj., etj., etj., elementë që gjenden me shumicë në poezitë në tëresi. Kjo thjesht për faktin se ai hulumton një tjetër fushë… atë të brendshme, ku këto elementë janë të shprehura (në poezinë e tij) me tjetër figuracion.
Ngasja që të citoj vargje pa fund ( nga mijëra vargjet e krijuara nga Arb Elo), është e madhe, por më duhet ta mbaj dorën, në mënyrë që t’i lë lexuesit të drejtën t’i shijojë vetë, pa u ndikuar. Po citoj pra vargjet e fundit:

Në mua fryn, marr frymë, ndaj jam, re vijnë e ikin, 
jam pra unë erë? Jo, më thotë qielli dhe dëliret syri 
që sheh gjithçka. Jo, thotë reja shtatzënë e lind lot 
si pema hije.“Kush qënke pra?”- pyet era e fryn tej 
fjalë e mendime. Në çdo çast lindem dhe vdes unë. 
Për ku? Ah, lëngon gurra e çka qënë bëhet rrjedhë 
si domosdo. Gjithçka, por hiçgjë; merrmë me vete, 
atje ku ndrin përfare, atje ku ngjan siç është vërtet.

( nga »Era«)

… dhe këtu mbyll librin. Mbyll librin dhe sytë me zenë shënimin e autorit: “Nuk lejohet shumëfishimi në çdo formë pa lejen me shkrim të autorit” Nëse do ta hasja Arb Elon përballë, do t’i thosha: »Vargjet e tua janë aq autentike dhe të veçanta, sa janë krejtësisht të imunizuara nga plagjiatura, por edhe nëse ndodh kjo, ajo nuk mund të jetë arsye për ta izoluar krijimin. Ti i dhe jetë, dhe tani nuk të përket vetëm ty. 
Lëri vargjet të shkruhen nëpër muret e Facebook-ut dhe në ato të banesave të qytetit, të recitohen në emisione dhe midis të rinjve përmendësh, leri të citohen, sepse në një kohe të ardhme kjo pashmangshmërisht do të ndodhë.«

© Merita Paparisto

*Libri "End(j)e gjendet në Panairin e Librit, te stenda shtëpisë botuese "Aleph".