Çakmaku.

Nga: Armanda Hysa

Çakmaku... ku e kam lënë çakmakun? - kjo qe gjëja e parë që i erdhi ndërmend porsa zgjati dorën, ashtu, përgjumshëm, me një sy hapur e tjetrin mbyllur, drejt komodinës ku ndodhej paqeta e cigares. Meti e niste ditën gjithnjë me duhan, por normalisht këtë e bënte pasi zgjohej, pasi i hidhte një grusht ujë syve, pasi vinte xhezven e kafes mbi sobë. Ndërsa tani, përveç një dëshire të marrë për duhan, nuk po kishte asgjë të qartë në kokë. Ishte ende errët jasht. Ora tregonte 5:00. Zakonisht ai zgjohej ne 6:30. Dua një cigare. Çfarë do bëj deri sa të më shkojë ora për t'u bërë gati për punë? Papritur gjunjët iu prenë në atë masë, sa po të mos qe shtrirë, patjetër që do qe rrëzuar. Po cfarë pune? Harron ai që vetëm dje e kishin pushuar? Pa punë dhe vetëm. Vetëm dhe i papunë. Vetëm dhe, ... oh shyqyr të paktën, që nuk kam frymë të tjera për të mbajtur - mendoi ndërsa i erdhi të qajë për shokun me të njëjtin fat, që ka tre fëmijë dhe gruan po ashtu papunë. Po edhe ai, vetë nuk donte ta nxirrte gruan në punë, jo po të rrisi kalamajtë, jo po të gatuajë... e vërteta është thjesht se ishte xheloz. Gratë që punonin kur burrrat merrnin rrogë të mirë ishin kurva, sipas tij. Se ato nuk donin të dinin për burrat, u thoshin, epo, bëje vetë darkën gati, e po ha ç'të gjesh sot se nuk gatova, nuk më doli koha... e vinin nga puna me vonesë, normal, për të dalë kafeneve me shoqet, duke pirë duhan e duke parë burrat e botës. Jo jo, thoshte, gruaja ime është e mirë, por të prish shoqëria. E kështu, në moshë 50 vjeçare, me tre fëmijë adoleshentë dhe me grua që nuk kishte punuar një ditë, edhe ai vetë, shoku i tij pra, kishte mbetur i papunë... gjithë këto gjëra për të menduar, më duhet një cigare, thosh me vete ndërsa dora i kërkonte nëpër komodinë çakmakun. Po ku e kam lënë atë dreq?
E pastaj, si i kish mësuar fëmijët shoku i tij, me tërë të mirat. Vërtetë i binte bretku si furnitor birrash, 12 orë punë çdo ditë, ama fitonte e merrte shpërblime përveç rrogës. I dilte më mirë sesa mua si ekonomist. Nejse, po unë çfarë do bëj sot? Pyeste veten. Se dje e lashë të mendoj sot, por nuk po e gjej këtë dreq çakmaku. Ashtu, pak nervoz e pak i mpirë nga mendimet e gjata që e prisnin për t'u tjerrë e rrahur tërë ditën, u çua, u vesh, e doli, me shpresën se në lokalin e rrugicës vërdallë, 24 orësh, do të gjente më në fund çakmak. 
Nuk qe e thënë. Lokali 24 orësh ishte mbyllur. Njësoj si farmacia 24 orëshe te qoshku i Partizanit të panjohur. Sa herë i qe dashur ndonje ilaç pas orës tre të natës, aq herë e kishte gjetur mbyllur atë të bekuar. A e dinë pronarët vallë që punonjësit e tyre të turnit të tretë ia mbathnin në shtëpi e ia këpusnin gjumit? Apo ndoshta të tillët nuk ekzistonin, pronarët mbanin me orë të zgjatura pas mesnate ndoshta punonjësit e turnit të dytë, e meqë ata rrinin der, të themi, nga ora dy, pronarët e quanin këtë 24 orësh... se kë do linte mendja të pinte kafe apo të sëmurej pas orës dy të natës??? Lëre më të mbetej pa çakmak... ai që e bënte një gafë të tillë nuk qe duhanpirës profesionist... Po pra, një duhënpirës profesionist, nuk mund t'ia lejonte vetes që nga hutia e një ngjarjeje të tillë, si të mbetesh i papunë, të harronte çakmakun në lokal një mbrëmje më parë... Jo jo, i thoshte vetes, gabim e ke, një duhanpirës profesionist, bën pikërisht këtë, humb çakmakë e vjedh çakmakë, të paktën në këtë fushë nuk ma ha qeni shkopin.
Ora po shkonte 6. Miku ynë i papunë mori të shëtiste kuturu nëpër qytet. Kaloi zonën e 9 katësheve dhe mori për nga sheshi Skënderbe. Që kur u bë ky shesh ai kishte pasur një si rezistencë të brendëshme të kalonte aty. E thërrisnin me të madhe si sheshin më të gjelbëruar të Evropës, ndërsa ajo hapësirë gjigande pllakash të tmerronte në foto, dukej si një tepsi katrore shkretëtire gurore, ku mund të të binte dielli në çaçkë gjatë verës e të të kallkanoste era gjatë dimrit. Por inatin më të madh e kishte tek dy gjëra. E para, që ishte e qartë se shëtitjet e njerëzve në shesh do propagandoheshin nga qeveria si në artin e realizmit socialist, shqiptarët e lumtur që shëtisin në atdheun e lumtur socialist. Po aq e qartë ishte se ky shesh do kishte një mbingarkesë aktivitetesh të financuara nga partia, ashtu, më fal, Bashkia, me të njëjtën frymë neroniane, ne ju japim spektakle, pa për të tjerat kush pyet? Arsyeja tjetër kishte të bënte me trafikun. Meti nuk i jepte makinës, por e acaronte pa masë kur autobuzi ngecte në trafikun e unazës së vogël, çdo ditë, e ky problem nuk dukej të kishte zgjidhje njëherë për njëherë.
Pasi kaloi 15 katëshin Meti deshi të kalojë rrugën për tek lokalet aty pranë, por i bënë përshtypje shkurret prapa muzeut. Një shkurre, një pemë, ndaj i dilte llogaria ndryshe kryetarit të Bashkisë, mirëpo ajo që i bëri përshtypje ishte rrëmuja e tyre e organizuar, do me thënë ishin mbjellur rrëmujë, por me gjasme. Midis tyre kishte pak dritë. Vend takimi perfekt për dashnorët. Tashmë flirtet Meti i kishte vetëm me gra të martuara. Nuk ishte nga ata që e bënin me qëllim, apo që besonte në shprehjen tepër bajate se gratë e martuara janë më të mira në seks se kanë eksperiencë, apo se hidheshin në marrëdhënie jasht martese për shkak se burrat nuk u përmbushnin oreksin seksual, që, demek atyre sa vinte e u shtohej me vitet, apo se fshehtësia dhe adrenalina nga një veprim i ndaluar që mund t'u rrezikonte dhe jetën i bënin eksplozive në seks. Nga eksperienca e 10 viteve të fundit në fakt i kishte rezultuar krejt ndryshe. Gratë që kishte pasur dashnore, kishin qenë të lodhura nga jeta, nga puna jasht e brenda shtëpisë, nga barra e përgjegjësive si dhe nga seksi periodik, i përditshëm ose ndoca më pak se i përditshëm. Asnjëra prej tyre nuk qe lidhur me të për seks, por për pak relaksim, për një mbështetje koke në një sup, për një dorë mbi kokë, e për ca momente puthjesh romantike. Ndërsa eksploronte shkurret, dëshira për dashnoren më të fundit po vinte duke iu rritur avash avash. Ajo mezi dilte në takim pikërisht sepse nuk donte ta shihte kush në lokal duke pirë kafe me një burrë të panjohur, apo duke shkuar nga Liqeni, pasi një grua, që nuk i përkiste shtresës së grave që shëtisin me qen e bëjnë vrap nga liqeni më së shumti për të treguar se çfarë firme e kanë kostumin sportiv, kuptohej pra pse po dilte andej.
Skena puthjesh pasionante e përqafimesh ia pushtuan mendien të tërën Metit tonë, e dëshira për cigare po i bëhej e papërballueshmë: dy të rrahme durohen, dy dëshira të forta, jo. Ndaj nuk e zgjati, por mori për nga Stacioni i Trenit, me shpresën se tashmë, pas gjashtës, do ketë dalë ndonjë ambulant me koli cigaresh e çakmak, që shpresonte se mund të gjente të tillë kalimtarë të krisur, si Meti, që dëshpërimisht kërkojnë çakmakë nëpër Tiranë, të paktën deri nga ora 9, kur policia bashkiake dilte rrugëve për të luftuar këta faqezinj që i prishnin imazhin e pasur e të lumtur Kryeqytetit tonë kryesocialist.
Shokët e tij kishin vrarë mendjen gjatë pse Meti këtë dekadë kish pasur vetëm gra të martuara, dikush madje kish dyshuar për ndonjë magji. Ai u thoshte se qe shumë më e thjeshtë: KU t'i gjente gratë e pamartuara e njëkohësisht të moshave 40 deri në 50 vjeç? Nuk ka. Shqiptari mund të qahet se i mbeti vajza në shtëpi deri në të tridhjetat, por ama pas kësaj moshe, kush me dashuri, kush që mos mbetet pa fëmijë, të tëra martohen. Fakti që nuk kish dashur kurrë vetë të martohet e bënte edhe më të lehtë këtë zgjedhje: gratë e martuara NUK të mbesin në derë. Këto momente, kur po përjetonte minutat e para të ditës së parë të papunësisë pas 30 vjetësh ai mendoi edhe një tjetër ndryshim radikal mes gruas apo të dashurës beqareshë dhe dashnores së martuar: e para do qante për vete (si mbete kështu, me çfarë do jetojmë, ku gjendet punë tjetër në këtë moshë) kurse kjo e dyta, kjo do qajë për të. Njerëzit ndoshta dashurohen thellësisht kur nuk u varet ekzistenca nga njëri-tjetri. Aty ngriu. Për herë të parë, krejt pa dashur e pa menduar, ai i kish zënë vetes në gojë togfjalëshin "dashurohen thellësisht". Aty iu duk sikur ia kapi fytyrën asaj ndër duar, edhe e puthi në ballë, pastaj e përqafoi. Sa duket kjo lidhje nuk kish për të mbaruar aq kollaj, ishte tepër e qartë dhe e qetë për të pasur keqkuptime, dhe ata nuk kishin kurrfarë pritshmërie për të ndenjur bashkë, në sensin që ajo të ndahej e të rrinte me Metin. Kjo ndjenjë dashurie e thellë sa duket veteëm se do u ndihmonte atyre për t'u ndjerë mirë në kohë të pashpresa, siç ishte muzgu i sapo nisur në jetën e Metit. Kishte dalë tashme në unazë. Aty, së bashku me qetësinë dhe sigurinë që i dhanë mendimet e fundit, gjeti hapur edhe një kafene eurollotoje, sigurisht bashkë me dhuratën më të çmuar të ditës: - me një çakmak.