Poezi nga Jatru

Nga: Ardita Jatru

E çmendura e lagjes
tërheq karrocën pas vetes.
Ndalon 
dhe futet e tëra në kazan të plehrave.

Gërryen brenda 
dhe përsërit me zë të lartë:
Gjeta një zemër,
gjeta një sy,
një krah.
Pastaj u kthehet kalimtarëve aty pari,
Mos dini të kujt janë?
Të tuat, i thotë njëri,
mortja që s'të ha!

Mbushet karroca
me zemra,
sy 
dhe krahë.

E tërheq pas vetes
dhe niset për të shitur në pazar
shpirtin që hodhëm dje në plehra.