E diela e parë pa të ! (tregim)

Nga: Ervin Nezha

Tërë mbrëmjen qëndrova në shtëpi. Seç ndjehet një trishtim brenda këtyre mureve. Ajri rrallohet, zbrazëtia rritet dhe bëhet mbytëse. Vendos të bie të fle, pasi nuk kam asgjë tjetër për të bërë. Jam shtrirë në të njëjtin shtrat ku para disa ditësh vdiq Anxhelika, ime shoqe, mbi të njëjtën hapësirë të zbrazët ku frymoi për herë të fundit ajo. Fotografia e saj vazhdon të qëndrojë e varur në murin përballë shtratit dhe mua më duket sikur ajo tërë kohën rri vështron nga unë, ndaj për t’u ndier i qetë, vendos të fik dritën e dhomës. Një rreze hëne që futet tinëz nga dritarja, bie mbi kornizën e lustruar të fotografisë , përthyen dritën e saj mbi shtrat, duke formuar hijen e një njeriu të vdekur që qëndron I shtrirë pranë meje. Më duket se është ajo. Ndiej frymarrjen e lehtë te saj, që thith ajrin shumë pranë hundëve të mia. Kontrolloj hapsëirën me dorë, por vendi është bosh, aty nuk qëndron njeri.Dridhem I teri . Mendimet trazohen , rreshqasin, behen te gjalla. Mendoj imazhin e saj me vello të bardhë ditën e dasmës. Sa e lumtur dukej! Një flutur i qëndroi mbi supet e zbuluara nga velloja. Ajo e mori në duar dhe e lëshoi me kujdes mbi lastarin e një trëndafili të egër. Pastaj thithi ajrin e mbushur me aroma te perziera lulesh. Ndiej keqardhje që ajo nuk do të shikojë më lindjen e atyre agimeve të freskëta, kur era lëkundet brinjave të mbjella me grurë, duke sjellë me vete aromën e kallëzave të bakërta përzier me amomen shpotitese te rrëshirës së pishave. Dua të dremis pak mirpo gjumi nuk po më qaset. Ndjeva se aty nga mesnata qielli u ngrys dhe filloi shi. Pas shiut ia dha një puhi e lehtë ere, që pastroi qiellin dhe solli një mëngjes pranveror. Një rreze e verdhë dielli ndriçoi udhët e lagura. Dola nga shtëpija, jasht bënte ngrohtë dhe fëmijët që luanin mbushnin oborret me thirrjet e tyre. Dëgjoj hapat e mi që shkelin mbi pllakat e thyera të trotuarit. Zhurma e tyre ritmike qëndron pezull duke u përzier me thirrjet e fëmijve. Qëndra e qytezës ku dua të vete ndodhet dy rrugica më lart; kthej udhën për andej dhe nxitoj hapin. Shikoj siluetën e një gruaje në krye te udhës, e cila u zhduk aty për aty sikur të mos kishte qenë. E ndjek i hutuar me sy, por ajo tretet në fund të udhës. Ndoshta ishte mirazh, i krijuar nga reflektimi i rrezeve të diellit mbi asfaltin e lagur. Ose ndoshta e kam nga pagjumësia, nuk di ta them. Vazhdoj sërisht udhën, ndjek bulevardin për të arritur në qendër. Udha nga të dy krahët është e zbrazët dhe ajrin e çan vetëm zhurma e ndonjë makine që kalon tek-tuk. Në kryqëzimin e radhës gruaja ia beh sërish, këtë herë në kokë mban një shami mëndafshi, mirpo unë e dalloj nga e ecura që është ajo. I ngul sytë dhe e vështroj gjatë, derisa ndjej lëvizjen e autobusit urban që afrohet në drejtim të saj. Ajo vazhdon të qëndrojë në mes të udhës duke më vështruar gjithashtu, pa e ndier rrezikun që i kanoset. Urbani afrohet gjithnjë e më tepër me shpejtësi, dhe aksidenti duket i pashmangshëm. Alarmohem i tëri, i bëj me gjeste shoferit të frenojë. Pasagjerët, brenda autobusit, qeshin me fytyra të stampuara pas dritareve me gjestet e mia pa kuptim. Qesh edhe shoferi pa e prishur terezinë. Imazhi i gruas tretet sërish dhe urbani kalon qetësisht. 
-“Kam nevojë për një kafe që të mbledh veten”, i them vetes. Bari ku ulem të dielave për të pire kafenë nuk është larg. Ndërmendem që sot është e dielë dhe vendos të vete atje. Më pëlqen shumë ai vend. Është një lokal i thjeshtë me dritare nga rruga. Futem brenda, vendosem drejt për të krijuar një çast meditimi dhe vështrimin e mbaj të hedhur jashtë. Dëgjoj zërin e kamarierit që kërkon të marrë porosinë, por unë jam aq i përhumbur në mendime, sa fjalën “kafe” e shqiptoj krejt mekanikisht. Rrufis lëngun pa shije, ngrij shikimin, përtej xhamit të lokalit më ravijëzohet sërish imazhi i gruas me shami. E hetoj me habi. Ajo bëhet gati të flasë. Zëri i saj duket si një përzierje pejzash dhe sytë e saj të trishtuar, janë sytë e qindra të vdekshmëve që zvarriten ne kete qytet. Të gjithë bashkë, ata bëhen shumë dhe më vështrojnë kërcënueshëm, sikur unë të jem fajtori që u thava gëzimin. Ajo zgjat doren mbi xham dhe nje pike loti I shket mbi faqe.

Në fillim tronditem, por e mbledh veten shpejt. Fërkoj sytë, imazhi i saj ka avulluar sërish. 
Gjysma e filxhanit të kafesë qëndron e mbushur, por mua s'më pihet asnjë gllënkë, e kam gojën helm. Vë kapelen mbi kokë dhe dal. Jashtë mjegulla mbështjell udhët, koha është prishur, bie nje shi i imët vjeshte. Filloj sërish të dëgjoj zhurmën e hapave të mi mbi trotuar, veç kësaj here pa ritëm, pa forcë, shpenguar. Ato formojnë një kakofoni të çrregullt, sepse hidhen kuturu, pa asnjë qëllim. Është e diela e parë pa Anxheliken, jam fill i vetëm dhe askush nuk më pret askund.

27 dhjetor 2017