Në Autobus !

Nga: Ervin Nezha .

Autobusi ndalet paralel me platformën e vjeter te stacionit . Hapen portat dhe njerëzit vërshojnë brenda. Një vajzë flokëkuqe, e cila ngjan si personazh i një romani të Walter Scott, shmang poteren që shkakton turma dhe zë vend e vetme në sediljen e fundit. Kridhet aty duke u kolovitur para -mbrapa, derisa mjeti lëshon një zhurmë shurdhuese dhe niset. Në ndalesën e radhës qe përkon me mbërritjen në stacionin tjetër, hipën një djalosh. Ai ulet pranë saj, pasi brenda autobusit nuk ka vend tjetër të lirë. Një gonxhe aq e freskët sa ajo, të mahnit me bukurinë shperthyese . Sytë e tij fiksohen mbi dekoltenë fare të hapur, që i nxjerr vajzës gjinjte dhe lëkurën e bardhë te kraharorit në pah. Ajo ndjen vështrimin zhbirues që bie mbi të, por nuk bën asnjë lëvizje për ta shmangur. I panjohuri i pëlqen, i duket i fortë pasi ka shpatulla të gjera. Të dy bluajnë në mendje të njëjtën gjë, të gjejnë një shkak, që do të mjaftonte për të nisur një bisedë. Bie zilja e celularit të saj. Ajo përgjigjet me zë të butë, ndërsa ai mban vesh të mësojë qoftë edhe një detaj të vetëm që do t’i mjaftonte për të çelur bisedën. Nga përgjigjet e para, merr vesh se ajo është e vendosur për të nisur nje jete te re, një udhë pa kthim, pasi si duket , drama qe ka pesuar ne dashuri eshte e madhe. Telefonata e shkurtër përfundon shpejt dhe ajo lëshohet e dëshpëruar mbi sedilje. Të dy shkëmbejnë një vështrim përkëdhelës sy më sy. Ajo i buzëqesh lehtë, pasi e di se dhëmbët e bardhë kanë fuqi të joshin këdo. Mirëpo ai ende e ndien të vështirë t’i thotë një fjalë....Heshtje... Zilja e celularit të saj dëgjohet sërish. Ka një tjetër telefonatë për të dhe djaloshi gatitet të mësojë diçka më shumë që do t’i mundësojë të fillojë bisedën e shumëdëshiruar. Këtë radhë, zëri i saj është më serioz se herën e parë. Pejzat e tij kumbojnë më fort. I hakërrehet telefonuesit, (i cili sipas të gjitha gjasave duhet të jete ish i dashuri), duke i bërë me dije, që tashmë vendimi i saj është i prerë, ajo po ikën përgjithmonë dhe ai duhej të mësohet pa të. Telefonata e shkurtër përfundon sërish. Mbyll telefonin me force, kridhet në sedilje dhe një pike loti i kulluar i rrëshket në sy. Djaloshi që ndodhet ulur përbri, ndjen keqardhje, por dëshpërimi i saj akoma nuk e bind për të çelur bisedën. Ai stepet. Mjaftohet duke bërë një gjest keqardhjeje në drejtim të saj. Ajo mbyll sytë lehtë dhe mundohet të buzeqeshë, për t’i thënë se gjithçka është në rregull.... Heshtje .... Zilja e celularit bie sërish. Durimi i saj, tanimë ka marrë fund. Ndryshe nga dy herët e para, toni i zërit është i ashpër dhe mllefin ia shfryn telefonuesit, pa e kursyer aspak. E quan të poshtër, burracak dhe maskara, që nuk e ka merituar asnjë ditë dashurinë e pastër . 
... Pastaj heshtje...heshtje... Telefonata e tretë përfundon ne menyre te rrufeshme , si dy të parat. Ajo kridhet sërish mbi sedilje dhe fillon të qajë me ngashërim. Nën vete është e bindur se këtë herë do dëgjojë zërin ngushëllues të të panjohurit . Për habinë e saj bashkeudhëtari sërish nuk nxjerr asnjë fjalë, sikur ta ketë zemrën prej guri dhe ajo fillon të ndjejë përbuzje edhe për të. Autobusi ndalet në stacionin e radhës. Djaloshi ngrihet, ndjek korridorin e ngushtë të formuar nga dy rreshtat e sediljeve dhe zbret, pa e kthyer kokën asnjëhërë pas.Ky stacion eshte i fundit per te . Dikush tjetër, që sapo ka hipur, i qëllon të zërë vendin e tij. Ky, ashtu si i pari, sefte vështrimin e qëndron mbi dekoltenë e saj të hapur , pastaj i fal një buzëqeshje, pa e ditur se zilja e një celulari, është bërë gati të bjerë sërish! 
Pasdite , 13 Shkurt , 2019