Dervishi

Nga: Armanda Hysa 
Zhurma e rrotave të qerreve nisi të bëhej aq e fortë, saqë as baba Hasani nuk mbeti pa u zgjuar, megjithëse njihej për gjumin e tij të thellë, që zor ta shqetësonte ndonjë element i jashtëm. Tuxharët i thoshin se është gjumë, ndërsa babai i kundërshtonte ethshëm: nuk është tamam gjumë, më shumë përqëndrim për të pasur ëndrra vizionesh. Në një nga këto ëndrra kish parë Gyl Babanë, që i thoshte të shkojë në dheun e largët të Iskander shehrit, të gjejë varrin e përmbytur të Shejh Aliut e ta mbjellë me trëndafila rozë me aromën më të mirë.. kështu Baba Hasani kish marrë karvanin nga Isfahani për në Stamboll. Gyl Babai i dilte vazhdimisht në ëndërr dhe përsëriste të njëjtat fjalë, megjithëse i ishte afruar Stambollit e do duhej t'i tregonte vendin tashmë. Si arriti në lagjen Iskanderie u vendos në një han në pritje të vizionit të ardhshëm. Ai nuk e dinte kush ishte Shejh Aliu, Gyl Babai nuk i kishte shpërfaqur detaje. Kur ja, pa e zënë fare gjumi, pa Gyl Babain të qëndronte i heshtur dhe i trishtuar para tij, i ulur këmbëkryq.
"Të Zotit jemi dhe te ai do kthehemi" - i tha. "Varri i Shejh Aliut lëshon dritë, shpirti i tij kënaqet në lulishtat e Xhennetit. Por kockat e tij po notojnë në ujë. Njerëzit nuk mund t'ia vizitojnë më varrin. Aliu nuk u jep dot selam evlijave kur kalojnë pranë, e nuk e merr dot selamin e tyre. Ujë lumi, shumë ujë lumi."
Baba Hasani e kuptoi se kishte ngatërruar Iskanderie dhe u habit si ishte treguar aq budalla. Gyl babai kishte folur për shehër e jo për lagje. Të nesërmen vendosi të pyeste kryekadiun. Ai e sqaroi që ky shehër ndodhej shumë larg prej Stambollit, duhej të kalonte Greqinë, të hynte në Shqipëri, të kalonte Elbasanin e Tiranën dhe në veri-perëndim të tyre do e gjente më në fund qytetin e bukur të Shkodrës, mes detit, lumit e liqenit.
Dil në pazar, i tha kadiu, e pyet se si mund të shkosh atje. U kthye në han dhe vendosi të konsultohej me hanxhiun. Ai mblodhi do tregtarë që po pushonin aty dhe Zoti e deshi që njëri prej tyre të nisej pas dy ditësh për Saraj-Bosnje. Do qëndronin ca ditë në Selanik, pastaj në Ohër, pastaj në Berat e më në fund në Shkodër. Pastaj karvani do vazhdonte më tej, kurse ai do priste t'i shfaqej Gyl babai.
Rrotat e qerres e zgjonin vazhdimisht kur kalonte nëpër malet e kodrat e arnautëve.
Jeta ishte tepër e vështirë për Baba Hasanin dhe dervishët e tjerë hurufi që kishin mbetur në Iran. Ata numëroheshin me kokrra dhe të tërë kishin menduar të zhvendoseshin në Anadoll, ku bektashinjtë i kishin pranuar në gjirin e tyre dhe do të kishin shumë më tepër liri. Në rrugëgimin e tij shpirtëror drejt perfeksionit Hasanin e kishte udhëhequr gjithnjë Gyl Babai, varri i të cilit ndodhej thellë më Evropë. Ai kishte vendosur mos të lëvizte prej Isfahanit nëse Gyl Babai nuk i jepte ndonjë shenjë. E tani këtë kërkesë të tij Hasani e shihte si shenjën e pritur.
Rrugës kishte parë shumë qytete të bukura, e megjithatë Berati, i vendosur mes malit, kodrës dhe lumit, e magjepsi. Nëse nuk merrte shenja të tjera pasi të kryente atë mision, Hasan babai mendoi të vendosej përfundimisht në Berat. 
Kur arritën në Elbasan atij iu shfaq Gyl Babai që fluturonte i lumtur përqark namazgjasë.
- Hajde me mua, i tha, te teqja bektashie. Sot ka ziqër aty.
Në teqe atë pasdite baba Hasanin do ta priste Shejh Isufi. Sa hyri brenda freskia dhe aroma e luleve të mandarinave i dhanë mornica. Mushkëritë iu mbushën me ajër të pastër e me qetësinë e kohës që ay dukej sikur kishte mbetur pezull. 
Selamu alejkym, - i tha Shejhu, e mirësenaerdhe. Ç'e mirë të pruri nga ne?
Baba Hasani i tregoi mbi gjendjen në atdheun e vet si dhe për vizitat e Gyl Babait e porosinë e tij për të shkuar në Shkodër.
Shejhu nisi të dridhej nga emocionet, poezitë e Nesimit e Gyl Babait e kishin mahnitur dhe zhytur thellë në kuptimet mistike të shkronjave dhe Esmai Husna- Emrave të Zotit. E njeriu që kishte para udhëhiqej prej Gyl Babait dora vetë. Gjithnjë kishte shpresuar se ndonjë nga evlijatë do i shfaqej dikur, megjithatë edhe fakti që po takonte dikë, i cili rrugëtimin e vet drejt Të Dashurit po e bënte duke u drejtuar prej një evliaje të tillë, e bënte të digjej nga kënaqësia. Baba Isufi përhumbej mes lotëve kur lexonte Kuran. Gjatë ziqrit zjalrri i ashkut i jepte një etje që nuk kish ujë ta shuante. E pyeti nëse dinte gjë për Shejh Aliun. Baba Hasani u përgjigj se Gyl Babai nuk i kish treguar më tepër.
- Shejh Aliu ishte nga Konia. - nisi t'i tregonte. -- Para 160 vjetësh ai erdhi prej andej e u vendos në Shkodër. Solli shumë dorëshkrime e pari disa nxënës. Pastaj nxënësit e tij shkuan një pjesë në Gjirokastër e një pjesë në vende të tjera të Perandorisë, por në Shkodër nuk mbeti më kush pas vdekjes së tij. Hurifitë nuk zunë vend kërkundi nga këto anë, vetëm një pjesë e ne bektashive i vazhduam ca tradita të tyre edhe u ruajtëm disa dorëshkrime. Zoti me të madh të vet të ka caktuar t'ia bësh prap varrin si duhet. Kushedi edhe ndonjë gjë tjetër që nuk e dimë ende.
Bisedën e vazhduan duke diskutuar mbi disa poezi të Gyl babait, ndërkohë që rishtarët u shërbenin çaj. Pasi falën dhe akshamin në xhami, u kthuen në teqe për ziqër. Plot 50 burra ishin bërë bashkë në gjysëm rreth.
Në fillim Hu Allah dëgjohej si një buçimë e mbytur, që sukej se do shpërthente si vullkan me shtimin e lëkundjeve, rritjen e volumit të zërit dhe mbylljen e syve. Ashtu krah për krah, burrat nuk ishin më në tokë. Kënga e tyre, me sy hapur apo mbyllur, i kishte ngritur nëpër qiej që vetëm ata i shihnin, si atëherë, para krijimkt, në parapërjetësi, kur bijtë e Ademit dëshmonin Njëshmërinë e qenies ashku i mbjellë në zemra për të parëdritën, i digjte nefset e tyre, i shkrinte me njëri-tjetrin, ua zhdukte format e jetës së kotë, i vdiste pa vdekur ende, në aro minuta që brenda tyre dukeshin përjetësi më vete. Një ziqër i tillë nuk përsëritej çdo javë. Shejh Isufi ndjeu i tëri praninë e Gyl Babait. Trupat e ashikëve shkëlqenin si ar.
Sublime. Absolutisht sublime. Shejh Isufi kujtoi marrosjen e Mexhnunit për Lejlën dhe më në fund e ndjeu marrëzinë e Ashikut, marrëzi e verbër e pakushte, dorëzim total, si në këtë ziqër, e i tha Baba Hasanit se një nga misionet e tij paska qenë edhe ky, që myhypët e asaj teqeje ta ndjenin tërësisht atë për të cilën ishin përpjekur kaq kohë: përhumbjen në zjarrin e Dashurisë Hyjnore.

Të nesërmen e ziqrit karvani i Sarajevës u nis që herët, por Baba Hasani vendosi të rrinte ca ditë më shumë në Elbasan, te teqeja e Shejh Isufit. Sigurisht që Elbasani nuk kish të krahasuar me Isfahanin, por kishte diçka në qetësinë e drekës, në muret e avllive me pjergulla, në hijet e fteskëta që sikur e mbanin pezull. Ndërsa poezitë e këtyre njerëzve, oh, ato qenë njësoj si në Persi, si të mos i ndante gjithë ajo hapësirë në mes. Pastaj në Tiranë do kënaqej edhe më shumë kur do dëgjonte se themeluesi i saj Sulejman Pasha kishte luftuar bash në Persi. Sa e madhe është bota! E sa e vogël njëkohësisht!
Për Shkodër u nis pas tre javësh. Rruga Tiranë Shkodër nuk i la ndonjë përshtypje të veçantë, deri në momentin kur kodra me kalanë nisën të duken. Kishte pak ngjashmëri me Beratin, por shtëpitë dukeshin më të mëdha, më me hapësirë. U vendos te hani i Ali Tiranës, e në pritje të shfaqes së Gyl Babait, vendosi të pyesë se kur kishte ndodhur pëmbytja e fundit.
Pazari i Shkodrës gumëzhinte atë ditë. Në skelën e peshkur ishin grumbulluar shumë njerëz. Pas peshkimit tregtarët kishin ardhur aty e jepnin ofertat e tyre në një gjuhë që Baba Hasani nuk e kuptonte. Peshku shitej në ankand. Një imam kaloi aty pranë dhe e vuri re që Hasani nuk ishte shqiptar. E ftoi në xhami të shtroheshin në bisedë. Kur mori vesh që babai po rrinte në han, imami u vu në siklet.
- Një shejh i nderuar si ti nuk mund të qëndrojë në një han. Që tani je mysafiri im - i tha imami. Shtëpia e imamit e mahniti Baba Hasanin, kishte një bibliotekë të jashtzakonshme, me qindra libra e dorëshkrime. Në një moment ai pyeti veten mos duhej vendosur aty, e jo në Berat a Elbasan, si kishte menduar më parë. Për këtë vendosi të priste shenjën e radhës nga Gyl Babai. Shegertët kishin sjellë në shtëpi ushqimin special për mikun, gjellët e ndryshme me mish, zarzavate e peshk e bënë të mendonte se edhe pjesa e panjohur e botës së tij gatuante po aq mirë sa persët e turqit. Kjo pjesë e panjohur e botës së tij, ia ngrohte shpirtin me mikpritjen dhe zemërbardhësinë e saj. Ai dhe hoxha kishin disa dallime sa i përket mistikës dhe imamëve, por këto dallime nuk e bënin të ndjehej në rrezik persekutimi, si i kishte ndodhur në vendin e tij.
Një mbrëmje iu shfaq Gyl Babai që nuk i foli asnjë fjalë. Kjo nuk ishte shenjë e mirë. Donte të thoshte pra se Baba Hasani ishte rehatuar më tepër se duhej, e po harronte arsyen pse kishte ardhur. Miqtë shkodranë i tregonin për përmbytjet e ndryshme si dhe zjarret që pasonin ato. Zjarri i fundit kishte qenë i tillë që banorët e lagjes afër pazarit kishin nisur të zhvendoseshin përfundimisht në qytet. Si mund ta gjente atëherë se ku ishte varri i Shejh Aliut?
Hoxha i dha një ide: duhej të shihnin afër xhamisë së Plumbit. Atë natë, pasi u shtri për të fjetur, Gyl Babai iu shfaq në ëndërr. "Je pranë", i tha dhe në një vizion, si të shihte një pikturë, i tregoi vendin ku duhej të kërkonte. Të nesërmen hoxha pajtoi disa muratorë dhe nisën gërmimet në një pjesë pranë xhamisë së plumbit, ku uji arrinte deri në brez. Më në fund lopata cakiti një gur. Ishte pikërisht guri i varrit të Shejh Aliut. Me kujdes të madh arritën t'i mblidhnin kockat e tij si dhe një tub.
Baba Hasani e hapi atë dhe ç'të shihte: ai ishte dorëshkrimi i Shejh Aliut me poezi dhe me reflektime të tij mbi mistikën, universin dhe shenjat hyjnore - numra e shkronja - në trupin e njeriut. Frymëzimi i Shejh Aliut kishte ardhur pikërisht nga Gyl Babai. Ishte shkruar në Rus, lagjen e Shkodrës, në vitin 1707
Tyrben shejhut ia bënë në faqe të kodrës, poshtë kalasë, që të mos rrezikonte më nga përmbytjet. Ndërsa dorëshkrimin Baba Hasani ndjeu se duhej ta merrte me vete. I mbollën dhe trëndafila rozë. Baba Hasani u kërkoi në fund miqve që ta linin vetëm te tyrbja. Recitoi tre herë Suren Jasin. Gyl Babai iu shfaq kësaj here me dikë tjetër. Ishte shejh Aliu që rrezatonte dritë rreth vetes. Gyl babai i tha: 
Tani Hasan, drejt e në Gjirokastër. Aty të çosh dorëshkrimin, që nuk do dergjet më i vetëm në varr, por do rrijë krah shkrimeve të baballarëve të tjerë bektashi-hurufi. Të rrinë aty, për ashikët që duan të notojnë në oqeanin pa breg të dijes e dashurisë. E ti, baba Hasan, e di vetë rrugën tashmë. Nëse ti arrin ti bësh kuptimet e tyre realitetin tënd të vetëm, do kesh vizita të tjera që në këtë jetë.