Dyer

Nga: Ervin Nezha

Sytë mezi i lëvizi. Ata duket se kanë marrë një ngjyrë të kuqerremtë dhe puliten të kapin ndonjë kujtim të largët, duke ia mjegulluar të tashmen. Ai mundohet edhe njëherë të depërtojë përtej atij veli të dendur mjegulle, në mënyrë që të rikthejë qoftë edhe për një çast kujtesën e fshirë, mirëpo nuk ia del dot. Imazhi i fundëm që i ndërmendet është pulitja e syve, para se të zgjohej nga gjumi. Asnjë gjurmë apo shenjë tjetër. 
Tërë kohën qëndron i ngulmët në shtrat dhe nuk merr guximin të lëvizë, sepse përndryshe mendon se mund të fusë veten në telashe, të cilat për momentin mendja e tij mundet vetëm t’i perceptojë. Teksa ndodhet gjysmë i mbuluar mbi shtratin e rehatshëm, mendon se sa të lehtë do ta kishte sikur të vinte dikush për ta ndihmuar. Por dhoma është e zbrazët dhe askush nuk di asgjë për të. 
Le ta zëmë se dikush e di, - gjykon ai me vete, - mbase(personi ) nuk e di se ku ndodhem, po edhe sikur ta dinte se ku ndodhem, unë nuk gjej asnjë arsye përse duhet të vijë për të më ndihmuar. 
I shkrepi një ide e mirë. U ngrit nga shtrati dhe zuri të vërtitet nëpër dhomë. Fare rastesisht zbulon një dritare të mbuluar me perde. Ajo duket një mundësi e mirë për të lypur ndihmë. Kështu bën, lëviz perden dhe kurioz hedh vështrimin jashtë. Përtej ndodhet një dhomë tjetër, identike me të tijën, ku duket se nuk qëndron njeri . 
Dëgjohen tik- taket e sahatit të murit. Ai nuk mund t’i lexojë dot akrepat e orës, por është i vetëdijshëm se koha rrjedh me te njejtin ritem edhe brenda atyre mureve. Nuk dëshiron të qëndrojë më asnjë minute aty. Mendimi për të ndihmuar veten kthehet në një sëmundje te dobishme. 
Çdo lëvizje që ndodh brenda dhomës, për të, është një eksperiment që kryhet për herë të parë dhe kjo ia vështirëson saktësinë dhe rendin e veprimeve. Njeriu e humbet fillin pasi nuk shpjegon dot asnjërin prej veprimeve të veta, me veprime që kanë ndodhur në të shkuarën e as me to që do të duhet të ndodhnin në të ardhmen. Ç’ grackë e llahtarshme! 
Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, deri në momentin, kur për herë të parë ai vë re dorezën e bravës. Kështu dora rrëshket mbi dorezë dhe veprimi kryhet sa hap e mbyll sytë. E jashtëzakonshme është gjatësia e korridorit që shfaqet para tij, aq sa ai nuk është fort i sigurt nëse ka bërë mirë që e ka çelur derën apo jo. Mirëpo, nuk dëshiron kurrsesi të tërhiqet pas. Ecën rrotull në korridorin e hapur pambarimisht: ecën hërë sipër e herë poshtë, pastaj lëviz djathtas e më pas bën për nga e majta. Kudo vëren dyer ngjyrë kafe. Pendohet . Vendos të kthehet pas, në dhomën e tij, por kujtesa e tij e ripërtërirë pjesërisht nuk mund ta ndihmojë sa duhet. Kështu që ai duhet të vërtitet nëpër korridore, të vrasë vështrimet lart në tavan ose të shtriqet barkasi në dysheme. Vendos të çelë dyert e dhomave me radhë. Dhoma e parë që hapet është e njëjtë me dhomën në të cilen pak më pare ka fjetur. Edhe e dyta është kopje e dy të parave, e treta, e katërta, kështu me radhë… 
Ndërtesa e pazakontë duhet të jetë një spital, një burg, një konvikt… çdo lloj labirinti që ia arrin qëllimit të privojë njeriun nga liria. Një ndjesi ankthi sikur një mallkim duket se është kurdisur enkas kundra tij. Nuk mund të jetë kaq keq puna ime, mendon. 
Vazhdon udhën nëpër korridore ashtu si herën e parë, herë duke u endur sipër e herë poshtë, herë majtas e herë djathtas. Sa më tepër që bën përpara ndien kotësinë e përpjekjeve të tij. Rend me tërbim drejt daljes megjithëse e di mirë se nuk do vonojë çasti që të rikthehet prapë aty nga ku u nis. Më në fund dallon hyrjen kryesore, nëpër të çarat e së ciles pulësojnë që jashtë rrezet e diellit. Sheh për çudi se nuk e ka punën aq keq sa kujtoi që në fillim e me gjasë do të kujtojë më vonë, kur të rikthehet në dhomën e tij. Gabimi themelor i gjumit të thellë e ndjek nga pas si hije...