Gra të bukura

Nga: Anita Zela

Afrikani që mblidhte karrocat e shërbimit në marketin e madh të lagjes time ka ardhur në këtë qytet për mua. Nuk e dija këtë, as nuk kisha për ta ditur nëse nuk do ndaloja t’i jepja 10 dollarë një të dielë para më shumë se tre javësh. 
Sot piva kafen e dytë me të. Atë ditë, që e pashë për herë të parë ishte minus 14 gradë Celsius në drekë dhe si zakonisht të dielave marketi gëlon nga blerësit. E vura re që kur lashë makinën. Me atë trupin e gjatë dhe vetëm me kocka herë pas here ulte kokën dhe fuste gojën në jakën e ngritur të xhupit të vjetër vishnje. Nuk kishte kapele. As shall. Vetëm një palë dorashka plastike kuzhine të verdha. Askush nuk ecte ngadalë si ai nëpër sheshparkimin e madh. Të gjithë nxitonin t’i fshiheshin atij të ftohti tmerr, ndërsa ai vinte rrotull duke mbledhur karrocat nga 4-5 në çdo rrugë e i dërgonte në vendin e caktuar për to.
Megjithëse m’u dhimbs tek e shihja aty edhe pse nuk e njihja, nxitova të futem brenda. Kur u ktheva ishte në këmbë duke u përpjekur të ndiste një cigare fshehur mbas njërës prej kolonave të strehës. Ndalova. Nxora 10 dollarë nga portofoli e ia zgjata. Atëherë më shikoi në sy. Sytë e zinj brenda gropave të thella mu duk sikur më vunë në shpinë gjithe fajin e qiellit për atë dimër. U ndjeva në siklet, se di pse, dhe nxitova t’i them:
- Bli një kapuç në dollar store, mbase dhe një shall. Dimri sapo ka filluar. 
I mori paratë dhe u nis të shtynte karrocën time plot. 
- Jo s’ka nevojë, - i thashë, por ndërkohë ai ishte nisur drejt makinës. 
Eca pas tij. Ishte shumë ftohtë për të menduar se ka ende njerëz që duan ta meritojnë atë që marrin. 
Me ndihmoi ti vija kutitë e çantat në bagazh, pastaj tërhoqi karrocën dhe iku drejt një tjetre. Njësoj ngadalë. E ndoqa me sy një çast dhe ika. 
Që nga ajo ditë e kam parë çdo herë që kam qenë në market. Po me atë xhup duke ecur gadalë, por vuri një shall e një kapuç të zi. I kishte marrë që herën e dytë që u ndeshëm dhe, edhe pse unë i buzëqesha sa dola nga makina, ai vetëm më shikoi me po ata sy të zinj si dy puse që nuk ju dallon dot ujin por vetëm diçka të zezë në fund. Kur dola ishte përsëri në këmbë pranë kollonës e menjëherë më mori karrocën. I sistemoi të gjitha brenda dhe u nis të ikte. Nxora përsëri 10 dollarë. Ngriti vetëm njërën dorë në një gjest për t’më ndaluar, por unë ia futa ne xhep. 
Përsëri nuk foli asnjë fjalë. As faleminderit. S’kisha nevojë të më thoshte. Ai shikim ishte më shumë. Ashtu si herën e parë, gjithë rrugën në kthim më dukej sikur sytë e tij me ndiqnin nga diku e më detyronin të mallkoja dimrin, fatin, deri dhe nevojën për të pasur një punonjës për karrocat jashtë marketeve. Kështu edhe të dielën tjetër. E njëjta gjë. Unë i buzëqesha sapo lashë makinën. Ai më shikoi. Pastaj unë dola me karrocën plot dhe ai e dërgoi tek makina. I dhashë 10 dollarët dhe s’më tha asgjë. Nuk ia kisha dëgjuar asnjëherë zërin. S’e dija as edhe në mund të fliste? S’e dija as nëse kishte ndonjë rrobë tjetër veç atij xhupi dhe atyre xhinseve? Ku flinte? Të gjitha po i mendoja rrugës në kthim duke ndjerë sikur më shihte nga diku. Më gërryente mendimi që s’kishte folur asnjëherë. Mbase nuk fliste fare, ishte memec. Ose ndoshta nuk e dinte gjuhën. Kishte dhe një gjë tjetër. Me gjithë pamjen e tij të mjerë, më dukej simpatik e nuk më trembte. Mua në përgjithësi më trembin meshkujt që duken si të pastrehë, sidomos afrikanët, por s’e di pse ai s’më trembte. Ndoshta për faktin që ai punonte, sado që besoj kjo është puna që paguhet më pak këtu, ai kishte një punë. 
Të mërkurën mendova t’i flas më gjatë. Ta pyes diçka. Ju afrova vetë kolonës ku më priste dhe i thashë:
- Unë jam Sofi, - duke i zgjatur dorën. 
Ai në fillim më shikoi pastaj hoqi ngadalë dorashkën plastike e më në fund ma zgjati dorën e tij të madhe e të eshtërt dhe më shtrëngoi duke thënë me zë të ngjirur:
- Azis. Si dhashë rëndësi faktit që nuk tha as gëzohem por vazhdova.
- Nga je ti Azis?
Nuk foli. U nis me karrocën drejt makinës dhe unë e ndoqa. Ndihesha pak e mërzitur që i isha prezantuar. Duke nxjerrë 10 dollarët nga çanta, nga inati desha ta provoj përsëri.
- Të pyeta nga je? 
Më shikoi përsëri. Kishte dhe diçka tjetër në shikimin e tij përveçse që më bënte të ndihesha fajtore pa shkak. Më zhvishte mendimet. Sikur më njihte shumë thellë. Sikur s’mundja të fshihja asgjë. Rezistova duke e parë drejt pastaj gjeta të shtyp çelsin e makinës për të hapur bagazhin. 
Nuk u përgjigj domethënë. Aty vendosa të pi kafen e parë me të. 
- Në çfarë ore e le zakonisht punën Azis. 
Ngriti katër gishta duke futur një kuti të madhe kroasantesh. 
- Okay,- bëra unë dhe pasi i futa në xhep paratë hyra në makinë. 
Këtë herë në kthim sytë e tij më digjnin mbi ballë e brenda kokës të kuptonin pse doja me çdo kusht ta detyroja t’më tregonte për veten. Por…ndihesha më pak fajtore për xhupin e tij të vjetër. 
E prita të premten pa zbritur fare nga makina edhe pse kur doli nga marketi nuk kishte asgjë që tregonte se e dinte që isha aty për të. Do shihja ç’drejtim do merrte e pastaj do i shkoja afër për t’i folur. Erdhi drejt makinës time… ula xhamin.
- Desha vetëm të pijmë një kafe, - i thashë.
Hyri pa folur pas meje. Në një fraksion sekonde më shkoi në mend po sikur të ishte i rrezikshëm? Kudo ka maniakë, hajdutë, të çmendur. Vedosa të ndalojmë diku afër dhe ktheva drejt Starbuksit vetëm 3 minuta më vonë. Zbriti para meje pa folur përsëri dhe më priti të hyj e para. 
- Si e pi kafen. 
- Të vogël,- tha ai. Fjala e dytë. 
Pritëm t’i merrnim afër njëri- tjetrit si të ishim shokë. Vajza e shërbimit e studioi disa herë pallton time kashmir dhe xhupin e tij, por kjo vetëm më solli një të qeshur gati për të shpërthyer në gojë. 
Si unë edhe ai i shtiu vetëm pak qumësht dhe u ulëm. Gjithnjë zgjedh vendet afër dritareve por këtë herë e zgjodhi ai. Hoqa pallton ndërsa ai qëndroi me xhup dhe me kokën kthyer në anën tjetër ndërkohë që unë rregullohesha për t’ju ulur përballë. 
- A do më tregosh nga je Azis?
- Kenia.
- Sa vite ke që ke ardhur? - vazhdova unë.
- Dy, - bëri ai.
- Ke familje në Kenia?
- Po.
- Fëmijë?
- Prindër.
- Ke dy vjet pa i parë?
- Pesë. 
- Pse ku ishe më parë?
- Europë. 
- Ku në europë?
Nuk u përgjigj por më shikoi. 
- Më fal, - bëra unë padashje dhe ktheva kafen. 
Dora e tij me gishtat e gjatë e të zinj kishte mbetur mbi tavolinë sikur ta kishte harruar aty. Më shikonte në sy sa herë kthente kafen e pastaj shikonte jashtë. Doja të dija më shumë, dukej se s’donte të përgjigjej. Atëherë zgjodha një gjë tjetër. 
- Nga Europa më pëlqen shumë Italia. Kam qënë në disa vende por Italia më pëlqen shumë për njerëzit. Të qeshur e të dashur me të gjithë. 
Dhe vazhdova të flas… I tregova për Kaprin, për restorantet, për Milanon, Venecian, për …sikur sapo isha kthyer nga pushimet europiane. Kisha qenë dhjetë vjet më parë. Më dëgjoi e s’bëri asnjë pyetje. I mbaruam kafet. Isha dhe më e mërzitur se më parë. 
- Mund të të ndihmoj me ndonjë gjë? - e pyeta duke dalë.
Bëri jo me kokë dhe më zgjati dorën. 
- Nuk dëshiron të të çoj diku? - u habita edhe më shumë. Bëri përsëri jo me kokë dhe më hapi derën e makinës. 
- Kam qënë në Itali, - tha duke bërë një hap pas dhe u kthye e iku. 
Kaloi rrugën duke iu drejtur stacionit të autobuzit. Kalova përpara tij e nuk e ktheva më kokën.Një javë nuk shkova në atë market. 
Shkova sot. Ishte përsëri shumë ftohtë. Azisi nuk e kishte as kapuçin e as shallin. Ulte ndonjëherë gojën në jakën e xhupit e ecte ngadalë mes makinave duke mbledhur karrocat. E harrova inatin e të gjithë javës me veten. Zbrita dhe iu afrova. Ndaloi me disa karroca para vetes dhe m’u duk sikur ia pashë një buzëqeshje në cep të buzëve. Vetëm m’u duk.
- Më thuaj Azis, a ka ndonjë gjë që mund të bëj për ty? 
- Po, - tha, pa m’i ndarë sytë. Prita. - Të më presësh një biletë për në Kenia.
Mbeta. Një biletë për atje duhet të kushtonte goxha para. Kisha menduar t’i blija rroba, xhup shall, çisme, madje një herë kisha menduar edhe të merrja nja dy batanije në shtëpi e t’ia dërgoja por… 
- Më sill pasaportën, - i thashë. 
Vetë e kisha pyetur. Madje për të dytën herë. Mbase rrogën ua dërgonte prindërve atje, mbase kishte dhe fëmijë edhe pse s’më kishte treguar, mbase kishte edhe ndonjë të sëmurë. S’do më gjente gjë për një biletë. U nisa drejt marketit kur ai e nxori pasaportën nga nje xhep brenda xhupit e ma zgjati. E shikova në dy puset e syve. Dukej shumë i vendosur.
- Për kur e do, - i thashë. 
- Sa më parë, - tha ai dhe i shtyu karrocat drejt vendit të tyre ndërsa unë hyra përsëri në makinë. 
Në fillim më befasoi pasaporta. Ai kishte lindur në USA dhe ishte qytetar amerikan. Kishte vula nga aeroporte të ndryshme në të gjithë botën. Nuk doja të kuptoja më shumë. Sigurisht që kishte një arsye por ç’më duhej më? 
Kisha nevojë t’ia bëja vetes tani, jo atij. Sepse nuk doja ta harroja. Sa më shumë t’më digjte aq më shumë do e ndieja. Nga telefoni hyra në fluturimet për Nairobi. Biletat për pas dy ditësh kushtonin 1400 dollarë. E kërkova me sy. Kishte ndaluar tek kollona e më shihte duke pirë një cigare. Ia dallova që aty si lexoi brenda kokës time. E bëra biletën, në një fletë mbajta shënim numrin e fluturimit dhe oraret. Kishte filluar një stuhi dëbore. 
Ia zgjata pa folur të dyja. I mori pa m’i ndarë sytë. Ndejtëm pak në këmbë përballë njëri- tjetrit dhe u ktheva. Nuk doja të bleja më asgjë.
- A mund të pimë një kafe? Më foli pas shpinës.
- Po të pres në makinë, - i thashë pa e kthyer kokën. 
U vonua më shumë se 15 minuta. Gjithë kohën më qëndruan mbi ballë sytë e tij tallës, por nuk doja të ikja. Duhet ta lejoja der në fund.
Asnjëri nuk foli derisa u ulëm në tavolinën e Starbuksit. Pasi më shikoi gjatë pa e kthyer kafen vendosi t’më tregojë. 
- Kam ndejtur gjashtë muaj në Itali. Po aq në Francë, po aq në Spanjë. Kam ndejtur një vit në Egjipt, dhe kam ndejtur vetëm dy muaj në Portugali e Angli. Amerikën e kam parë pothuajse të gjithë. Në këtë qytet erdha përpara një muaji nga ti. 
- Nga unë? Padashje më doli një klithmë.
- Po. Të pashë një natë në rrugë përpara Grand Central në qytet. Më shikove drejt në sy dhe të ndoqa. Ishe… je shumë e bukur. Fati më ka ndihmuar të njoh gra shumë të bukura. Erdha me trenin që erdhe ti. Tani është koha të shkoj. 
Isha mbështetur pas. Një çast mendova të ngrihem e të iki. 
- Nga e dije se do të ndimoja?
- Sepse e kanë bërë të gjitha para teje. 
Ndalova para derës së makinës një çast pastaj e ktheva kokën. Mbante gojën të futur në jakën e xhupit duke më shikuar. M’i lexoi dhe një herë mendimet….