Çehovi në ushtri

Nga: Gramos Xhaferi

Ate vere kisha hedhur shtat dhe te afermit me thoshin se isha bere 'goxha djale' krahasuar me ate 'pinxho' qe kisha qene. Dhe vertet, po me dukej vetja i hijshem, aq sa, si shume adoleshente bukuroshe, me ngertheu deri diku ndjesia e narcizit, ashtu qe humbisja kohe perpara nje pasqyre te vogel tualeti ne forme gjysmeharku duke i kthyer floket sa majtas e djathtas, apo duke luajtur me mimiken: here i ashper e i mrrolur, here i qeshur e sarkastik. Kisha pyetur njehere gjyshin nga nena, Halilin (ah, sa e doja!) se, nese eshte me mire qe nje burre te jete nurzi, apo i qeshur e shakaxhi.
- Ate nurziun, kur e shohin miq e shoke, lirojne gazrat me potere, kurse ai qesharaku eshte si Pupi (qeni) qe kemi lidhur prapa shtepise. Burrit i ka hije te jete i qete, i respektuar e me namuz. Po ti, si shume je pispillosur, or djale! Dukesh si vic i lepire...
Per pak dite do te filloja vitin e trete te gjimnazit, ashtu qe e gjora nene me bleu per peseqind leke te vjetra (sa pesembedhjete dite pune sfilitese), nje kemishe me menge te shkurtra, te perdorur, ne ngjyre bojeqielli te hapur, si dhe me qepi nje pale pantallona dok te nje kusheri, per njeqind leke. Sa per sandale, me duhej te prisja. Mire i kisha, he per he, te vjetrat, te grisura te cepat. I kisha enderr nje pale kepuce! Perfytyroja se si do t'i nxirrja kembet jashte bankes e do t'i mblidhja serish pa u turperuar, si me ato sandale te shqyera, te cilat perpiqesha t'i mbuloja me fundet e pantallonave, se si pra, me kepucet e reja, mund te pengoja lehte e me shaka ndonje shok, apo te qendroja drejt, duke folur me ndonje shok o shoqe, me njeren kembe te thyer paksa, gjithe elegance: 'Te pelqen Cehovi?' 'Oh, eshte i madh, gjeni!' Kushtonin te uruarat kepuce: Shtateqind leke - me te lirat, me lekure te ashper derri.
Ato dy-tri vite kishte patur plot ndodhi: Pak muaj me pare, babai ishte liruar nga burgu i gjate, xhaxhai ishte liruar pak me pare, djali i xhaxhait tjeter ishte arratisur me not ne Korfuz, teksa kryente ushtrine ne Sarande dhe xhaxhin tim te mire, burre i ve me gjashte femije, te rritur e te parritur, e kishin internuar per se dyti mes malesh, ku shihje vetem dy ore diell, dy kusherinj te afert nga mbiemri dhe daja ishin arrestuar per agjitacion e propagande, po ashtu edhe burri i halles..., burri i tezes ishte arratisur ne Amerike...
E prisja me deshire e kersheri fillimin e shkolles. Pasioni per te mesuar me kishte bere egoist: Duhej te isha patjeter i pari i klases, vecanerisht ne lendet shkencore: Kujtoj se si i zgjidhja i pari problemat me ato kombinime te sterholla ne gjeometri, ekuacionet algjebrike, se si ciceroja mbi rrezatimin ne fizike, mbi formulat e ngaterruara te kimise organike, mbi magjine e adn-se ne biologji...
Sa per letersine...,ah, nuk i kisha mire punet! Ajo cka na detyronin te mesonim nga Agolli apo Kadare, me ngjante me nje vajze vertet terheqese, porse e lige, prostitute e mjere, e ndotur dhe e perdorur, qe ta futnin me zor ne shtrat. Pa permendur shkrimtare e poete partizane, si Musaraj, ku neuronet t'i bllokonin teresisht qelizat e perceptimit. Per moshen dhe mundesite, kisha lexuar mjaft nga 'letersia e ndaluar' franceze dhe ajo ruse, kryesisht e shek. te XIX, kisha lexuar dicka nga Drajzeri, Dikensi e Gete, te gjitha keto, libra te botuara para viteve '60. Me dy o tre shoke te mite qe ishin 'si une', perbuznim gjithcka dhe gjithkend qe kritika letrare komuniste e levdonte, madje edhe prozen poetike te Gorkit. Lexonim me endje shkrimtarin e madh komunist, Shollohov, vetem pse ishte 'i ndaluar', kerkonim aty-ketu ndonje varg nga Jevtushenko, qemtonim proze te pavlere te K. Resulit, vetem pse ishte shpallur 'armik' i pushtetit...
Ne njeren nga dhomat me dritare te larta te shtepise se vjeter e te bukur te shokut tim, V..., lexonim e rilexonim novelat e Cehovit, na mrekullonte proza e tij, qe dramat e medha te jetes i gjente te ngjarjet e thjeshta, personazhe mjeshterisht te skalitur: batakcinj te pandreqshem, hipokrite te hatashem, zoterinj bujare, por te pashprese, si doktor Dimov. Veshtronim foton e shkrimtarit per te dalluar ne pamjen, veshtrimin e mprehte prapa syzeve 'pinsenez', ate 'dicka' qe e dallonte si gjeni i vezhgimit te skutave te shpirtit njerezor...
Sa me pelqente te kisha vec nje dhome si ajo e shokut tim! E perfytyroja veten te mbyllur brenda, ne qetesi te plote e i rrethuar nga shume libra, ku te lexoja pa u lodhur A. Fransin, Mopasanin, Dodene e Floberin, pastaj Gogolin, Turgenievin e Pushkinin, per t'u degdisur me pas te shkrimtaret amerikane apo angleze...Patjeter edhe Cehovin. Perfytyroja sikur te binte debore, shume debore, nje meter, dy, tre, derisa te mbulonte e te ngrinte gjithcka...E kisha patur nje shtepi te tille ne qytet, nga ku na perzune me dhune kur isha tete vjec. E kishte patur edhe im ate nje me te bukur, mbi nje koder te praruar me peme, me pamje nga deti, por ia kishin sekuestruar komunistet, e kishin prishur dhe guret e skalitur ua kishin dhuruar me m3 banoreve, qe duartrokisnin rrenimin e 'armikut te popullit'. Tashme kisha nje perdhese, pjeserisht e mbuluar me flete llamarine te valezuar, qe, kur binte shi, bente 'dam-bara-dam'...
Diten e pare te shkolles, ndersa prisja te fillonte mesimi, na lajmeruan se do te shkonim per nje muaj ne ate qe quhej 'stervitje ushtarake', apo 'zbor'. Vesha rroba te gjera ushtarake ne ngjyre te gjelber, si dordolec misri, kapelen me yll te kuq dhe...fill e ne nje repart ushtarak, rreze kodrave, jashte qytetit. Atje na dhane pushke druri, luge te shkurter xhepi, carcafe e jastek dhe nga nje kellef dysheku, qe i mbushem me kashte ne ca mullare aty afer...
Nuk e vlen te thur fjale e fjali ne ndodhi krejt pa vlere: Se si ngriheshim heret me alarmin e borise, se si laheshim, se si hanim mengjesin mes britmash, pasi shume nga studentet i vidhnin copen e bukes njeri-tjetrit, se si benim rreshtore, marrshim, vrap, gjimnastike, kapercim pengesash...Rraskapitje, merzi deri ne neveri.
Nje te diel, qe ishte pushim, isha mbeshtetur mbi bar, nje vend te mbrojtur nga veshtrimet e te tjereve dhe po lexoja.
- C'ben ti aty? Ishte nje nga oficeret e stervitjes. Kishte buze te shemtuara, te zgjatura perpara, si dy petulla njera mbi tjetren dhe kapaket e syve te enjtur e te skuqur. Dukej se i kruheshin, ngaqe i perplaste vazhdimisht. U ngrita dhe ndenja 'gatitu'.
- Asgje...Po lexoj.
- C'liber eshte?
- '10 novela'. Autori eshte Anton Cehov.
- C'kerkon Cehovi ne ushtri? E?
- Eshte shkrimtar qe ne e studiojme ne shkolle...
- Ketu eshte repart ushtarak. Ketu mesohet arti luftarak, veprat e udheheqesit dhe te klasikeve te marksizmit...Shko ne librarine e repartit, merr ndonje syresh dhe lexoje!
- Cehovi ne ushtri!- shtoi duke tundur kryet, pasi e shfletoi me nje te kaluar te shpejte.
Ma mori librin.
Naten tjeter, ndersa flija, me shkundi shoku im, V..., qe flinte nje shtrat me tej.
- C'eshte?
- U cmende? Po flet ne gjume! Sapo the 'O Zot i madh!' Hap syte se na vure flaken!
Nuk me zuri me gjumi.
Disa shtreter me tutje, disa nxenes, te mbuluar me rroba te bardha si fantazma dhe qirinj te ndezur ne duar, po trembnin Markon, cifutin. Ai ishte ndryshe nga ata: ishte i sjellshem, i zgjuar e simpatik.
Diten e fundit, para se te ktheheshim ne shkolle, beme qitje me kallashnikove.
Prane rrinte mesuesi-komandant, qe siguronte se arma duhej te ishte vetem ne kahjen e objektivit.
Me levizjet e shpejta te gishtit tregues, duhej t'i ndaje te shkrehurat dy e nga dy. Ishin tete fisheke.
Nuk munda. U shkrehen te tete njeheresh, ca ne shenje e ca jashte. Sikur me ngriu gishti.
- Harram buka e ushtrise! - therriste oficeri me buzet si petull.
Ishte viti 1975.