Tirana si streha e Eunukëve, Kosova dhe fatet e shqiptarisë.

Nga: Grid Rroji

 Grid Rroji

Grid Rroji

Vizita e Edi Ramës në Serbi dhe ajo e Ilir Metës në Athinë, së bashku me deklarimin pro grek të Sali Berishës në Parlament të enjten e kaluar, nxorrën në pah fare qartë natyrën anti-shqiptare të parisë së Tiranës.  Edi Rama shkoi në Beograd dhe Nish me pozën e përfaqësuesit të shqiptarëve duke u përpjekur të minojë agjendën e qeverisë së Kosovës. Ilir Meta, me një delegacion që Pëllumb Xhufi e konsideronte me të drejtë një mishmash jeniçerash, toskësh dhe grekësh, u përpoq të minonte çështjen çame në konsonancë të plotë me agjendën greke. Në aleancë fare të qartë me Metën dhe grupin e tij, Sali Berisha foli në parlament, jo për të kërkuar ndjesë për shitjen e detit Greqisë siç konfirmon Dora Bakojanis, por për të “dekonspiruar” interesat që e shtynë Gjykatën Kushtetuese t’a deklarojë marrëveshjen të paligjshme. Edi Rama e ka hallin tek mbajtja e pushtetit me të gjithë mënyrat. Ilir Meta e ka hallin të thyejë Edi Ramën dhe koalicionin e tij me Shpëtim Idrizin. Sali Berisha e ka hallin të shpëtojë veten dhe familjen. Të dy e kanë hallin të bëjnë qeverinë tjetër bashkë.Të gjithë nuk ndalen përpara asgjëje për t’i arritur këto synime vetjake.

Veprimet e të gjithë këtyre plehrave të kombit shqiptar tregojnë qartë se këta shesin edhe gjakun për para, pushtet e sundim. Ky llum i llumit të popullit tonë që fatkeqësisht n’a drejton, është duke ndjekur një agjendë anti-kombëtare që rrezikon të na zhdukë si komb e si shtet.

Në ndryshim nga Tirana, megjithë defektet e shumta që ka, klasa politike dhe intelektuale në Kosovë u soll me dinjitet dhe e hodhi poshtë me përçmim rolin e babait të kombit që kërkoi të luajë Rama, apo veprimet prej agai horr e tradhtare të dyshes Meta-Berisha.

Hashim Thaçi dhe njerëzit pranë tij e poshtëruan Ramën duke i përmendur se për sa kohë që të kenë aleancën me Amerikën nuk ju duhet Rama që puth Vuqiqin dhe citon Andriqin. Opozita e Vetëvendosjes shkoi edhe një hap më tej duke e këshilluar Ramën të mos bëjë lojën e Serbisë. Edhe shkrimet më djegëse dhe profesionale që analizonin sjelljen anti kombëtare të Berishës dhe Metës pro Greqisë erdhën nga intelektualë jashtë Tiranës. Shkruesit e parisë u paraqitën edhe njëherë si një kor eunukësh të cilët flasin vetëm kur ju cënohen interesat personale. Kësisoj, Tirana është shndërruar në sytë e shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë londineze nga kryeqyteti i shqiptarisë në strehën e eunukëve.

Ka disa fenomene që ja vlen të analizohen në mënyrë krahasimore lidhur me veprimet e eunukëve të Tiranës dhe reagimin e shqiptarëve në Kosovë e Iliridë.

Së pari, paria e Tiranës me veprimet e veta e ka humbur besueshmërinë dhe shkëlqimin që ka patur ndër shqiptarët e Kosovës, Iliridës dhe viseve të tjera. Ajo tanimë shihet si një grup hajnash e kriminelash, eunukësh e jo shqiptarësh që nuk e kanë as moralin e as qasjen e duhur ideologjike për ti prirë çështjes kombëtare shqiptare. Nëse në të kaluarën, paria ka luajtur me arrogancë rolin e të rriturit që i jep mend e dashuri fëmijës, ndërsa shqiptarët jashtë kufijve londinezë e kanë pranuar Shqipërinë gjithsesi si “shtetin e shqiptarëve”, sot parisë i ka rënë cipa e udhëheqësisë. Siç jam shprehur edhe më parë bashkë me kolegët e Bleta Shqiptare, bërthama e kombit shqiptar është zhvendosur nga Tirana në boshtin Prishtinë Shkup.

Shkaku themelor për këtë zhgënjim është sjellja e parisë, arroganca, dyfytyrësia dhe tradhtia që ajo i ka bërë “fëmijëve” të saj jashtë kufijve londinezë. Paria e Tiranës ka luajtur gjithmonë me tre porta: e para ka qenë porta e pushtetit të vet; e dyta porta e ndërkombëtarëve që ja kanë legjitimuar dhe pranuar pushtetin; dhe e treta porta e interesave armike të shqiptarëve përfshi Rusinë, Serbinë, Greqinë e më së fundmi edhe Kinën. Pra, për t’a vazhduar edhe më tej similitudën, ashtu si fëmija zhgënjehet kur e braktis prindi, ashtu edhe shqiptarët jashtë territorit londinez kanë pësuar nga paria braktisje në situata kyçe, tradhti të interesave kombëtare dhe mungesë të dukshme thellësie intelektuale.

Thënë ndryshe, shqiptarët e Kosovës dhe Iliridës kanë konstatuar se në Tiranë nuk ka luanë por ka eunukë  politikë anti shqiptarë e në shërbim të interesave të huaja, që jetojnë me gjak shqiptari. Në Tiranë nuk ka intelektualë por eunukë të thyer e përdorur shumëfish nga paria, të cilët nuk kanë moralin e duhur dhe besueshmërinë për t’i prirë çështjes kombëtare shqiptare.

Më anë tjetër, megjithëse klasa drejtuese në Kosovë e Iliridë janë korruptuar, zvetënuar dhe kanë kopjuar në shumëçka “baballarët” e parisë së Tiranës, mjedisi socio-politik ku veprojnë dhe e kaluara e tyre nuk i lejon t’i shmangen vetëdijes kombëtare. Thënë thjesht, dikush që ka luftuar e ka qenë gati të japë jetën për shqiptarinë, nuk mundet t’a anashkalojë ideologjinë kombëtariste për shkak se do humbisnin legjitimitetin dhe identitetin. Askush nuk ekziston dot pa sensin e identitetit.

Aq më tepër, në kushtet kur edhe opozita në Kosovë lufton dhe përpiqet kundër pushtetit nisur nga pozita kombëtariste, del se në Kosovë e Iliridë ka një vetëdije të thellë se shteti duhet t’i shërbejë kombit dhe shqiptarët janë një komb. Rrethanat e tanishme, për elitat shqiptare jashtë Tiranës janë domosdoshmërisht të përkohshme dhe rruga e pandalshme e tyre është jashtë ndikimit të parisë së Tiranës.
Devijimet që vijnë nga qarqe serbofile apo përdoren për interesa të momentit duke hedhur në treg tezën e “kombit Kosovar”, janë thjesht zhurmë dhe nuk mund të ngjisin në Kosovë. Pra, në këtë aspekt, shoqëria e Kosovës dhe e Iliridës është shumë më e përparuar se Rrethi i Ferrit që ka krijuar paria e Tiranës. Ndaj edhe reagimet kundër saj, si çështja e lojtarëve që zgjodhën Kosovën, po bëhen gjithmonë e më të forta.

Së dyti, Paria e Tiranës e ka shndërruar atë që ishte mirë a keq “shteti i shqiptarëve”, në një konglomerat gjysëm kozmopolit, ku numri i shqiptarëve pakësohet e ku sundojnë grupime të konsoliduara e shumë solidare brenda vetes si vllehët, grekët, serbët, maqedonët, pasardhësit e jeniçerëve e bashibozukëve e gjithëfarësoj grupesh të tjera etnike. Nëse në vitin 1990, nëntëdhjetë e shtatë përqind e popullsisë së Shqipërisë e quanin veten shqiptarë, me censusin e 2011 ky numër ka zbritur në 74%. Me këto ritme prej gjenocidi, Shqipëria do të jetë një shtet multietnik ku shumica do jenë jo shqiptarë!

Më tej, këto grupime që e njehin veten si jo shqiptarë, kanë kapur shtetin dhe e kanë shndërruar atë në një vegël të dobët tërësisht në shërbim të tyre e të interesave të gjithkujt përpos shqiptarëve. Sot, prioritetet që shqetësojnë parinë dhe veglat e saj kozmopolite nuk janë ato që duhet të ishin si psh. zgjidhja e çështjes kombëtare, rrënimi ekonomik, politik dhe shoqëror i shqiptarëve, ikja e tyre masive nga vendi etj. “Problemet” më të diskutuara sot për ta janë të drejtat e cilësdo pakice greke, vllahe a serbe, martesat e homoseksualëve etj.

Në Kosovë, kontrasti është i dukshëm. Përpjekjet për të krijuar një shtet multi-etnik, siç është plani Ahtisaari, nuk gjejnë terren të përshtatshëm sepse shqiptarët e Kosovës nuk luftuan për t’I ikur një shteti multi-etnik për të krijuar një të ri. Ata luftuan për shtetin e tyre, i cili në vetëdijen e tyre do të ishte shteti i shqiptarëve, për shqiptarët dhe prej shqiptarëve. Nëse minoritetet e pranojnë këtë shtet shqiptar, ato kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime ndaj shtetit si gjithkush tjetër. Por asnjëherë ndonjë politikan i Kosovës nuk e imagjinon që shteti të jetë në duart e pakicave siç është në Shqipëri. E aq më pak munden të dalin në popull e të promovojnë faktorizimin kozmopolit të pakicave që nuk e njohin autoritetin e shtetit. Fakt është se megjithë ikjen nga varfëria, shqiptarët janë shumicë mbi 95% në Kosovë.

Më tej, për politikanët dhe intelektualët e Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë kushtëzohen medoemos nga e kaluara e hidhur dhe nga gjenocidet e kryera kundër shqiptarëve. Siç thotë Milazim Krasniqi marrëdhëniet me Serbinë janë në një gjendje lufte të ngrirë nga marrëveshja e Kumanovës. Ndaj dhe lëvizjet e parisë së Tiranës sipartnerë të Serbisë për t’u dukur si udhëheqës të Ballkanit cënojnë drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve, së pari në Kosovë por edhe kudo tjetër.

Pra ndër shqiptarët e Kosovës ka një vetëdije të formuar mirë se shteti dhe kombi janë të lidhura katërcipërisht, dhe se njëri pa tjetrin rrezikon të dështojë a zhduket. Po ashtu, ata e kuptojnë se eunukët e Tiranës nuk e kanë një vetëdije të tillë. Ndaj edhe përditë e më tepër, elita shqiptare në Kosovë dhe Iliridë po e kupton se me eunukët e Tiranës jo vetëm që nuk janë superiorë por janë thjesht mashtruesa e antishqiptarë. Përkundrazi këta janë gati të punojnë me serbët, grekët, rusët, izraelitët dhe me dreqin e të birin kundër shqiptarëve. Ndaj edhe ka rebelim ndaj tyre në Kosovë e më gjerë.

Së treti, grupimet anti-shqiptare në TIranë, punojnë në heshtje por janë tejet solide dhe të bashkuara kur ju cënohen interesat. Mes tyre ka aleanca të ngjizura me anë të pushtetit dhe interesave por edhe me anë të martesave të ndërsjella, të cilat garantojnë secilën palë për besnikërinë finale të tjetrës. Ata i druhen më së shumti një konsolidimi të shqiptarëve sepse kjo do të përkthehej në humbjen e privilegjeve të tyre politike dhe ekonomike. Partitë politike për ta janë thjesht masha që i përdorin për të marrë pjesën më të madhe të tortës. Por ato ndajnë ideologjinë e sundimit me çdo kusht të shqiptarëve, dobësimin dhe deri edhe zhdukjen e tyre si komb, dhe moskonsolidimin e shtetit si strukturë shtrënguese. Në Tiranë kjo përkthehet me shitjen e interesit kombëtar të parit që troket në derë për të ruajtur pozitën dominuese mbi shqiptarët. Sjellja eunuke e Ramës, Metës dhe aq më tepër Berishës nuk duhet të habisë kënd. Ata shqiptarinë e kanë tradhtuar me kohë, dhe e përdorin thjesht si mbulojë tyli për krimet dhe hajninë e vet.

Kurse, në Kosovë e Iliridë, megjithëse drejtuesit politikë kanë edhe ata interesat e tyre korruptive dhe përplasjet janë të forta, nyja që i bashkon të gjithë në sistem është ideja kombëtare. Ideja kombëtare është legjitimuesi i përbashkët që i kufizon veprimet e tyre. Mirëpo, më bjerrjen e shkëlqimit të parisë së Tiranës, përditë e më tepër ata po e refuzojnë rolin primar të parisë dhe po i dalin asaj përkarshi si të barabartë. Kjo e shqetëson pa masë parinë e Tiranës.

Për këtë shkak dhe me këtë synim, paria lufton me të gjitha forcat ideologjinë kombëtariste. Kjo luftë zhvillohet në shumë plane, nga injorimi i politikës së Kosovës dhe Iliridës me shprehje të tipit “ska gjë se do qetësohen”, e deri tek tradhtimi i tyre në favor të interesave serbe, greke, ruse etj.

Më shumë se çdo gjëje, paria i druhet rizgjimit të shqiptarëve brenda territorit dhe ndërgjegjësimit të tyre se politikat e parisë do t’i çojnë drejt zhdukjes dhe skllavërimit. Ata po përpiqen të krijojnë masha kinse kombëtariste të kontrolluara prej tyre, të cilat do të shfryjnë trysninë që ndjejnë nga poshtë.

Në gjykimin tim ka ardhur koha që fatet e shqiptarisë të mos lihen më në dorë të parisë së Tiranës. Shqiptarët duhet të reagojnë ndaj të keqes, t’a refuzojnë me çdo çmim atë dhe promovuesit eunukë të saj në Tiranë. Shembulli duhet të jetë populli shqiptar në Kosovë e Iliridë, i cili ndonëse i varfër dhe i përdorur nga klasa drejtuese, është i gatshëm edhe sot të dalë e të luftojë për shqiptarinë. Vetëm të bashkuar do të mund t’i zgjidhim hallet e problemet dhe të ndërtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve.