As nuk kam harruar, as nuk kam falur!

Nga: Blerim Gashani

Blerim Gashani

Blerim Gashani

Kur e pyetën ish-trajnerin e Chelseat, Avram Grant, se çfarë do të bënte tash kur është shkarkuar nga posti i kryetrajnerit, me gjakftohtësi ishte përgjigjur: “Sivjet nuk do të bëj pushime, sepse ende nuk e kam dërguar djalin tim të tretë për vizitë të monumenteve të Holokaustit!”, duke treguar se dy djemtë e tjerë tashmë i kishte dërguar në vizita disajavëshe të kujtesës historike botërore. Dhe, ky nuk është përjashtim, por është rregull. Edhe pse kanë kaluar gati 70 vjet, hebrenjtë nuk e kanë harruar gjëmën e nazizmit. Pasi që ka një mea culpa dhe një katarsis të thellë nga kombi që e ka shkaktuar, hebrenjtë e kanë falur, por kurrë s’e kanë harruar Holokaustin. Dhe, janë model për t’u përcjellë.

Një mik më ka treguar se ka qenë dëshmitarë fatkeq i një ngjarjejeje të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. I strukur nën gjethet e thara të një lisi, pa asnjë rrugëdalje, duke pritur atë çfarë po i sillte fati, bashkë me disa fshatarë të tjerë ai kishte parë pak dhe dëgjuar shumë atë ditë pranvere të hirtë në një skaj pylli. Forcat serbe i kishin rrethuar civilët dhe kishin filluar të shkrepnin armët e tyre të çdo lloji. Miku im ende e ka në vesh klithjen e një djaloshi 12-13 vjeçar, që e kishin marrë plumbat e parë. Plumbi ia kishte prerë çdo fuqi tjetër, përveç zërit. Dhe, djali, nën një agoni të trishtueshme paska filluar të thërras për ndihmë. Për një ndihmë që s’i erdhi kurrë.

Xhelatët vazhdonin të vrisnin të tjerë aty rreth e përqark dhe djaloshi thërriste. “O babë, o baba jem”, ende buçet në veshët dhe zemrën e mikut tim. Dhe, kishte vazhduar të thërriste ashtu për ndihmë, derisa zëri i tij ishte mekur dhe shpirti i tij i njomë kishte ikur nga kjo botë e trazuar. Kishte pasur një vdekje të tmerrshme dhe edhe pse fëmijë, ekzekutorët nuk i dhanë asnjë ndihmë. Të dehur dhe të etur për gjak shqiptari, e kishin lënë të vdiste ashtu, ngadalë dhe me vuajtje të papërshkrueshme. Ekzekutorët, që janë pjesëtarë të një kombi që po thonë se i plotëson kushtet për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Kanë kaluar vitet. Kosova duket se po i mbyll disa nga plagët e veta. Vazhdojmë të jetojmë dhe të punojmë. Fillojmë të falim dhe, sidomos, të harrojmë. Krejt papritur, e kuptojmë se jo që nuk po na kërkojnë falje, por po përpiqen të vazhdojnë temën e njëjtë. Temë e cila e dimë se çfarë sjell. S’ka mea culpa, s’ka katarsis, s’ka asnjë shenjë pendese. Përkundrazi, punë – duhet thënë sistematike – që të shfrytëzojnë çdo mundësi të minojnë shtetin tonë, edhe ashtu të brishtë. Që ta vazhdojnë dehumanizimin tonë. Dhe, kanë gjetur partnerë të mirë. Në mesin tonë dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në vend që të marrin mësim nga populli gjerman dhe të fillojnë një proces purifikimi dhe çlirimi nga një e keqe universale, shteti dhe kombi serb ende po mundohet që ta shkatërrojë shtetin e Kosovës. Dhe kjo, ma merr mendja, duhet të zgjojë ndërgjegjen tonë të fjetur!

Prandaj, jam i detyruar të deklarohem publikisht për këtë! Ju mund të mendoni se ora ime është ndalur! Ju mund të mendoni se jetoj (sikur shumë njerëz të Ballkan) vetëm me të kaluarën, vetëm me kujtimet! Ju mund të mendoni se kjo qasje nuk është e frytshme! Ju mund të mendoni se kjo e frenon “çështjen” tonë! Ju mund të mendoni se nuk po dal nga vorbulla e çmendisë! Ju mund të mendoni se duhet të falim dhe të harrojmë, me qëllim që të ecim përpara!

Por, po u them se përmes shpirtit të mikut tim, unë ende dëgjoj klithmat e djaloshit për ndihmë. Thellë në shpirtin tim unë ende dëgjoj grahmat e tij të fundit. Sytë e tij të pashpresë ende më (na) shikojnë. Pamja e një djaloshi 12 vjeçar që vdes ngadalë dhe dhunshëm më mbështillet me fotografinë e kandidaturave të reja për integrime evropiane. Dhe s’mund të mos klith me sa zë që kam: unë as nuk kam harruar as nuk kam falur!

Ende jo!