Si ta spjegojme gjendjen e marrëzisë kolektive? Shkaqet dhe manipulimet.

Nga: Dr. VALBONA GJONI KARANXHA

Së fundmi duket që çdo ngjarje që mban nuancë politike ne Shqiperi kthehet në marrëzi kolektive. Në fakt, përpara dy tre vjetësh, ishin krimet e rëndomta dhe ato të pasionit që ktheheshin në histeri kolektive ndaj “të pandehurve” të cilëve i jepej gjykimi në rrjetet sociale pa pasur nevojë të dilnin në gjyq. Por kjo zhvendosje e marrëzisë kolektive nuk është një rastësi, por një taktikë që përdoret për të ndarë dhe për të krijuar një hendek në shoqërinë shqiptare me anë të krijimit të një revolte kolektive për të parëndësishmen ose për një ngjarje ex-post-facto, kthimi në të cilën është jo vëtëm i pavlefshëm por mjaft përçarës. Situata sot është vazhdim i luftës së papajtueshme të klasave si një herë e një kohë me të njëjtin intensitet – do thosha- duke iu referuar ngjarjeve te fundit politike.

Trendet shoqërore e kanë bërë shumë më të parashikueshme në kohët tona udhën që merr marrëzia kolektive. Çdo gjë në fakt është e mirë-rregulluar nga klasa ose shtresa dominuese. Marrëzia kolektive është shenjë dëshpërimi e masave, dhe masat në dëshpërim janë shumë më të lehta të manipulohen se sa një shoqëri e konsoliduar ekonomikisht dhe psikologjikisht. Dhe si rrejdhim, parashikimi është ngandonjëherë i saktë, brënda kontureve të sjelljes shoqërore, sidomos asaj në formë grupi ose kolektive.

Çdo e keqe në Shqipëri sot fillon nga media partiake, dhe ajo që paguhet nga klasa sunduese. Media, në mënyrë të papërgjegjshme hedh popullin me anë të mjeteve të difuzionit në një konflikt fiktiv për arsye nga më të ndryshmet, shumë nga të cilat janë për të denigruar një individ, grup individësh, apo ide në kundërshtim me planin afatgjatë të Parisë për të sunduar vendin. Pra kornizimi i marrëzisë kolektive në Shqipëri bëhet të në njëjtën mënyrë siç bëhet në shoqëritë e tjera ku ka varfëri ekonomike dhe shpirtërore.

Në vazhdim, marrëzia është në ndihmë të veprimeve politike ashtu si i interesojnë elitës sunduese, dhe merr, në rrjedhën e ngjarjeve atë formë që do ajo. Në rastin konkret, gurin e hedhin analistët duke dalë me një ide kontraversiale e cila hidhet për të ndezur debatin. Grupi i interesuar për debat kundërshton idenë, dhe përpara se ta kuptojmë në vendet ku ndodh forumi politik , pra rrjetet sociale, kemi një histeri kolektive e cila ka për qëllim çdo gjë përveçse politikën bashkuese.

Marrëzia dhe varfëria janë shoqe të pandara. Shenja e parë e marrëzisë kolektive është deprivimi i popullsisë nga esencialet e jetës. Dikush që jeton në mjerim dhe që mezi siguron bukën në baza ditore, do t’ia vë fajin dikujt për dështimet në jetë. Mungesa e mundësive për punë, mungesa e mundësive për të fituar jetën në mënyrë të ndershme në Shqipëri – këtu po i referohem 4-5 vjetëve të fundit- mundëson një manipulim të jashtëzakonshëm në një popullsi që në vënd që të jetë e angazhuar në mardhenie pune, kalon kohën nëpër kafene dhe vende të tjera argëtimi, si mungesë e alternativës së punës. Në këtë mënyrë, kur një grup ndihet i deprivuar nga mundësitë për të siguruar jetën dhe mbajtur familjen është i predispozuar të fajsoj dikë.

Por këtu fillon edhe loja e Parisë e cila duke e ditur shumë qartë se është fajtore për falimentimin e shtetit, atëherë nuk i leverdis që populli të fajsojë atë për dështimet, por duke çorjentuar atë, atëherë krijon konflikte të paqëna, ose i therret ngjarjeve nga e kaluara siç është konflikti i fundit ballist – komunist – zogist etj. Parisë, i duhen lajthitjet nga realiteti për të mbyllur ç’do lloj fryme që ngrihet kundër egzistencës së saj si klasë sunduese. Nuk është e vështirë të shihet hendeku ekonomik që ndan të vobektët – kontigjentin kryersor të marrëzisë kolektive- nga paria sunduese, klanet dhe rrethi i tyre familjar. Kontrasti është mjaftë i qartë. Dhe kur njerzit hidhen në marrzi kolektive, atëherë është arritur qëllimi i arratisjes nga jeta e përditshme dhe problemet e panumërta.

Por cilat janë kushtet dhe kultura jonë shoqërore për të krijuar një ambjent të përshtatshëm për të hedhur në treg ide të marrëzisë kolektive. Ne i kemi krijuar kushte të jashtëzakonshme marrëzisë kolektive, sepse në këto 25 vjet- këtu nuk po fus kulturën socio-komuniste sepse ishte e huazur ose e imponuar- kemi krijuar konstrukte kulturore unikale për vetë vendin. Në këto konstrukte kulturore hynë metaliteti i sëmurë, imoraliteti, lidhja mbas sipërfaqsores, lidhja mbas asaj që vjen nga jashtë, vaniteti etj. Në këtë terren, ku është pothuasje e pamundur të identifikohet nje kulturë e përgjithshme, ajo që identifikohet është një mahnitje mbas pasurimit me çdo kusht, dhe duke qënë se shanset për të jetuar me dinjitet janë zero – në kushte normale- atëherë marrezia kolektive kap të gjithë vëndin ashtu siç është kultivimi dhe trafikimi i marijuanës për të siguruar jetesën; jeta e natës dhe dëfrimet e shthurura tek të rinjtë.

Por ajo që është më problematike janë llojet e marrëzisë dhe prejardhjet e tyre “ideologjike”. Dhe kjo është lojë e grupeve politike që luhet në kurriz të popullit. Tani në prag të zgjedhjeve, marrëzia kolektive do filloj të intensifikohet më shumë me skandalet e përditshme, një pas një, sepse asnjë nga këto grupe politike nuk ka asgjë për të ofruar përveçse denigrimin ndaj njërit tjetrit dhe klasës që ata përfaqsojnë, me lloj lloj trillimesh ideologjike, të majta të djathta të qëndrës etj. Ajo që është e dukshme dhe dhimshme është se këta kanë 25 vjet që kanë krijuar kushte optimale për marrëzi kolektive, duke filluar që nga shteti, strukturat më të larta si ajo presidenciale, gjykatat, parlamenti dhe qeveria. Çdo njëri nga këta është në luftë për mbijetesë në politikë dhe nuk kursen as kundërshtarët, as popullin i cili përdoret në baza ditore per të përmbushur qëllimet dhe interesat e tyre.