Alternativa që mungon.

Nga: Ardian Vehbiu

Sikur kjo qeveri të kish qenë statujë, do ta kishin rrëzuar tashmë nga piedestali: kështu po më duket atmosfera e tanishme rreth Ramës dhe ekipit të tij, pa harruar edhe automatët e kartonave dhe gojëndyrët në parlament.

I dëgjon të buçasin thirrjet: RAMA IK! Njëlloj si pak vjet më parë, BERISHA IK! Dhe akoma më parë: NANO IK!

Kjo farë politike kinse revolucionare organizohet rreth idesë së rrëzimit. Në fakt, opozitës së Bashës dhe e Berishës prej kohësh nuk i kanë mbetur ide politike të tjera, veç kësaj të “ikjes”.

Pakkush po përpiqet të argumentojë se nuk ka kuptim të kërkosh ikjen, në politikë, pa e pasur një alternativë të paktën në trajtë projekti.

Dhe pavarësisht se M. Nano thotë se kushdo mund të qeverisë sot më mirë se Rama dhe ekipi i tij, unë kam frikë se alternativa e sotme – SHQUPI – mbetet hë për hë e vetmja praktike; dhe ashtu mjafton për të provuar pse thirrja për rrëzime, dritëshkurtër dhe e frymëzuar nga emocioni, jo nga arsyeja, është thirrje për ta lënë sistemin të paprekur.

E kam thënë, së bashku me të tjerë, dhe po e them sërish: pala e sotme në pushtet, si Edi Rama, si aleancë PS & LSI dhe si shumicë në parlament, e ka humbur besueshmërinë te publiku – dhe duke u perceptuar tani si një klikë arrogantësh dhe të papërgjegjshmish, që nuk duan të drejtojnë vendin, por vetëm ta përdorin pushtetin për gjithfarë qëllimesh pa lidhje me mandatin që u është dhënë nga zgjedhësit.

Nuk jam në gjendje të them sa i bazuar është ky perceptim; por veç di të them se duhet të jesh krejtësisht i paaftë, në marrëdhëniet me publikun, që ta humbësh besueshmërinë në një kohë kur përballë ke, si opozitë, figura të djegura si Berisha dhe Basha. Për ta thënë ndryshe: asgjë nuk i bëri më dëm pushtetit të tanishëm, se mungesa e një opozite parimore dhe korrekte në parlament.

Dhe, pavarësisht nga shkaqet e kësaj katastrofe, është momenti që, ky zemërim i përgjithshëm i shoqërisë civile dhe i qytetarëve ndaj qeverisë të fillojë të kanalizohet, duke u shndërruar nga impuls fëminor për të rrëzuar statuja në përpjekje për organizimin e një force të re politike.

Dhe duke parë sa i ndjeshëm është sot qytetari, anembanë Shqipërisë, për çështje të mjedisit, të pastërtisë, të ushqimit dhe të shëndetit, kjo forcë e re politike mund dhe duhet të organizohet në trajtën e një lëvizjeje me bazë ekologjike, ose që i jep përparësi mjedisit dhe mirëqenies së qytetarit.

Kjo lëvizje mund të mishërojë të gjitha ato dëshira, kërkesa dhe aspirata, që sot duket se gjejnë mbështetjen e një mase të madhe qytetarësh – që nga ndalimi i importit të plehrave te nevoja e ngutshme për pastrim të qyteteve dhe të krejt Shqipërisë nga plehrat, nëpërmjet riciklimit; dhe pastaj te ri-orientimi i ekonomisë së vendit ndaj industrisë ushqimore, bujqësisë biologjike dhe turizmit të së gjitha llojeve – duke refuzuar dhe anuluar të gjitha projektet gjigante që rrënojnë gjeografinë dhe peizazhin duke betonuar dhe shpyllëzuar dhe shpronësuar, teksa helmojnë ajrin ujin dhe dheun; dhe duke luftuar pastaj për de-centralizim të mëtejshëm, përfshi këtu edhe de-centralizimin fiskal.

Nëse do të ketë referendum për ligjin e plehrave, kjo lëvizje e re mund ta përdorë referendumin si platformë testimi dhe si amplifikator, gjithë duke mbajtur larg vetes politikën e vjetër, përçuese të logjikës së rrëzimit dhe të revanshit, që me siguri do të përpiqet t’i hipi atij kali, sa kohë që shpreson se ashtu mund të kthehet në pushtet.

Rama, si kryeministër dhe frymëzues i politikave të sotme, së bashku me aleatin e tij Metën, kanë doemos përgjegjësi në dështimet politike të njëpasnjëshme; por edhe këto përgjegjësi të tyre duhen parë jo aq si defekte personalitetesh ose vese, sa si efekte anësore të pashmangshme të një sistemi politik të korruptuar – partitokracisë – i cili rregullisht sjell në krye të punëve njerëz që bëjnë dëme; dhe që pastaj qytetarët duan “t’i rrëzojnë.”

Pa çka se atje i kanë ngjitur vetë, me votën e tyre.

Mediat mercenare mund të vazhdojnë me thirrjet IK, IK, IK, ndoshta nga të njëjtat korda vokale prej nga vinin edhe dje e pardje; përqendrimi te defektet në personalitetin e Ramës dhe të së vetëve mund të sjellë më shumë klikime dhe ho-ho-ho-ra; por mendjet e përgjegjshme, që Shqipërisë i kanë mbetur, duhet të fillojnë të shqetësohen tani jo aq për rrëzimin e këtij apo të atij, sesa për alternativën – ose, për t’iu përgjigjur pyetjes se si erdhën punët që, në një sistem pluralist si ky që kujtojmë se kemi, nuk ka një forcë politike së cilës t’i ketë mbetur besueshmëri e mjaftueshme.

Paradoksalisht, çdo turbullim i mëtejshëm i situatës politike dhe i kaosit mediatik i shërben statu quo-së, ose pseudo-alternativave; çfarë do ta bëjë të pamundur alternativën politike të mirëfilltë, e cila kërkon të paktën muaj për t’u kristalizuar.