Luftërat ballkanike... Skemat greko-serbe për ti quajtur shqiptaret turq , për të qeruar hesapet.

Nga Roald A. Hysa

Në prag të shpalljes së Ditës së Pavarësisë, ditës së flamurit, më 28 nëntor në kujtesën tonë historike duhet të rikujtojmë gjithë ato masakra që pësoi popullsia shqiptare në pjesën më të madhe muslimane nga fqinjët tanë. Ngritja e Flamurit nuk zgjidhi gjithçka, ashtu si menduan patriotët, sepse masakrat dhe grabitjet vazhduan mbi shqiptarët, duke i etiketuar ata si turq për ta pasur më lehtë që t’i rreshtonin shqiptarët me humbësit…

14958280_1612557408769854_1230489489_n

Luftërat Ballkanike kanë shërbyer në një farë mënyre edhe si prelud i Luftës së Parë Botërore, e cila solli shkatërrime dhe dëme materiale të jashtëzakonshme për kohën. Një nga fatkeqësitë e mëdha të kësaj lufte ishte edhe numri i viktimave që shkon në total për të gjitha palët 38 milionë njerëz. Në tetor të 2010 do të mbyllej edhe pagesa e fundit e reparacioneve nga ana e Gjermanisë, e duke i futur këto ngjarje përfundimisht në sëndukët e errët të historisë. Dëmet që pësoi Shqipëria asokohe ishin të mëdha dhe ekonomia e vendit do të ishte e para që do të vuante, pastaj edhe humbjet e mëdha njerëzore që i erdhën vendit asokohe nga politikat shfarosëse të fqinjëve tonë shovinistë dhe njëkohësisht synimet për zhvendosjen e kufijve edhe më shumë brenda territorit sovran të Shqipërisë. Pretendimet për Epirin e Veriut (Vorio Epirin) nga ana greke nuk kanë reshtur ende, ndërsa Serbia donte portin e Durrësit si dalje në det, e Mali i Zi kishte pretendimin për Shkodrën, që ta kishte si kryeqendrën e vet.

Fqinjët tanë gjatë Luftërave Ballkanike dhe gjatë Luftës I Botërore ndoqën gati të njëjtat strategji të shkatërrimit masiv. Ushtritë greke pasi hynin në një qytet çarmatosnin fillimisht ushtarët dhe oficerët turq të garnizonit vendas. Më pas burgosnin parinë fetare myslimane dhe menjëherë fillonin plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së mëhallëve myslimane. Vrisnin popullsinë e pambrojtur, përdhunonin e shkatërronin, dhe e detyronin popullsinë civile nëpërmjet këtyre veprimeve të shpërngulej pa asnjë mjet jetese.

Kështu, popullsisë civile i jepej afat një orë për t’u larguar nga vendbanimi, kohë kjo e pamjaftueshme për t’u mbartur. Në këtë mënyrë boshatiseshin vendbanimet nga njerëzit dhe i hapej rrugë plaçkitjes dhe shkatërrimit të pronave. Kush mbetej aty vritej apo përdhunohej. Në këtë mënyrë krijoheshin nga një popullsi sedentare kontingjente të mëdha refugjatësh, të cilat i krijonin dhe i shtonin problemet për administratën vendore të armikut. Në një mënyrë më të zgjeruar këto strategji do t’i gjeni të përshkruara nga profesori amerikan Justin McCarthy autor i librit “Vdekje dhe Dëbim- Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”. Shtetet e reja ballkanike që dolën në skenë në prag të shkatërrimit të Perandorisë Osmane ndoqën me shumë besnikëri ato strategji që Perandoria Ruse zbatoi me popullsitë turkmene për t’i pushtuar e për t’i shkatërruar gjatë shek. XIX. Në vitin 1860 Ilia Garashanin, autori serb i një platforme politike shoviniste kishte filluar bisedimet me përfaqësues nga Athina për territoret e banuara me shqiptarë, porse ato bisedime u vështirësuan, për shkak se platforma tjetër shovene “Megali Idea” e Greqisë së Madhe në disa vende prekte planet e “Naçertanies” serbe. Shtetet e reja ballkanike Bullgaria, Mali i Zi, Serbia e Greqia me ndihmën e diplomatëve rusë vendosën ta copëtonin në favor të tyre pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Ata nuk kishin rënë dakord si do të ndahej, por në parim kishin rënë dakord për largimin me dhunë të Osmanëve e më pas do të vendosnin se si do ta ndanin Ballkanin në favorin e tyre.

Ngritja e Principatës së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha dhe vendosja e Princ Vidit në krye të shtetit nuk i zgjidhi hallet e shqiptarëve. Apatia e treguar nga forcat e xhandërmarisë drejtuar nga ndërkombëtarët (kryesisht oficerë hollandezë) nxiti konflikte të brendshme në Qeverinë e Vidit. Ndërkohë që patriotët kërkonin nga Princ Vidi t’iu kundërpërgjigjeshin grekëve në zonat e pushtuara prej tyre gjenerali hollandez De Veer iu dërgonte një telegram nënprefekturave të pushonin luftimet. Nga kjo situatë e ndërlikuar përfituan bandat e Zografosit, që dogjën fshatrat myslimane dhe vrisnin ortodoksët, që nuk pranonin të quheshin epirotë. Fshatrat e Korçës dhe të Gjirokastrës pësuan masakra të tmerrshme, zona të cilat Greqia i pretendonte dhe donte të përfitonte maksimalisht pas marrjes së Janinës dhe masakrimit të garnizonit turk e të popullsisë civile atje. Në rrethinat e Vlorës u mblodhën me mijëra të shpërngulur me dhunë nga masakrat greke në Janinë e në Çamëri.

Rrethimi i Shkodrës nga malazezët me gjithë qëndresën heroike të ushtrisë turke me në krye gjeneral Hasan Riza pashën dhe rezervistët e Shqipërisë së Mesme të komanduar nga Esat pasha pati përfundime tragjike për popullsinë e Shkodrës dhe qyteti e rrethinat u dëmtuan, duke u shkatërruar. Në Shkodër për çdo ditë vdisnin 50 njerëz nga uria, e cila bëri kërdinë deri në ditën kur qyteti u dorëzua pikërisht për shkak të mungesave të mëdha në furnizime ushqimore e në armatim.

Dëmet e Luftës së Madhe të shkaktuara nga ushtritë serbo-malazeze janë raportuar deri vonë nga vëzhguesit e huaj. Një raportues i huaj në Lidhjen e Kombeve (17 nëntor 1921) raportoi, se në një sipërfaqe prej 600 miljesh2 nga Dibra e deri në Lumë shiheshin veç fshatra të djegur e të rrënuar. Ndërsa në Shqipërinë e Jugut sipas Antonio Baldaçit u vranë më shumë se 50,000 shqiptarë nga bandat greke, të gjithë këta muslimanë.

Mund të vazhdonim të numëronim fakte të tilla të përgjakshme kësisoj sa të duash, por ajo që ne duhet të kemi në vëmendje është që nuk duhet t’i harrojmë, ashtu si edhe fqinji ynë jugor nuk harron të heqi ligjin e luftës më Shqipërinë. E kështu me gjakun e mijëra shqiptarëve muslimanë të pafajshëm u pagua Pavarësia e Shqipërisë dhe orekset shoviniste të fqinjëve. 28 nëntori është një datë e përvitshme që duhet të na e risjelli vazhdimisht në kujtesë gjakun e qindra mijëra të pafajshmëve…