Cincinnatus.

 Blerim Gashani

Blerim Gashani

Nga: Blerim Gashani

 

Në një shesh të bukur të qytetit Sinsinati (Cincinnati), në shtetin amerikan të Ohajos (Ohio), vështron krenare statuja e një burri, që ia ka dhënë emrin e vet këtij qyteti. Atraktive, romantike dhe interesante, megjithatë, është se Cincinnatus (kështu quhet kjo figurë historike), është përjetësuar nga skulptori derisa është në plug, duke lavruar tokën pra.

 

Përveç se bujk, Cincinnatus është sinonim i qytetarit shembullor, i udhëheqësit që i kryen detyrat ndaj vendit të vet pa kushte dhe pa llogaritur rreziqet që i dalin, por edhe duke i injoruar përfitimet materiale që e grishin rrugës. Kështu e sheh këtë romak të vjetër edhe Edward Snowden, ish-punonjësi i CIA-s që ka denoncuar survejimin më të madh elektronik në histori dhe nuk po gjunjëzohet nga pasojat. Në librin e Glenn Grenwald për Snowden-in, mësojmë se ky i fundit e ka kontaktuar këtë autor, nën pseudonimin “Cincinnatus”. D.m.th. duke aluduar, sado e parëndësishme të duket kjo, se sikur tribuni romak i lashtësisë, edhe ky anonim dëshiron të kryejë një obligim qytetar, dëshiron të bëj diçka për të mirën e përgjithshme. Po, kush ishte Cincinnatus-i?

 

Lucius Quinctius Cincinnatus ishte një patric, një burrështetas dhe një udhëheqës i njohur ushtarak i Romës së shekullit të pestë para ekopës së re. Për shkak të moralit të tij, ai është bërë figurë legjendare e virtyteve jo vetëm të perandorisë së tij, jo vetëm i shekullit të tij, jo vetëm i mileniumit të tij. Jeta e tij, lidershipi, principet e tij morale, modestia, mungesa e ambicies personale, atdhedashuria pa kushte, virtyti qytetar, ka frymëzuar me shekuj dhe vazhdon të frymëzojë njerëzit anembanë botës. Çfarë e bënte të veçantë Cincinnatus-in, çfarë e bënte legjendare jetën e tij? 

 

Historia na thotë se, pas një kundërshtimi të dhunshëm nëpër rrugët e Romës, që kishte njërin nga protagonistët djalin e tij, Cincinnatus-i kishte dhënë dorëheqje nga detyrat shtetërore dhe ishte tërhequr në fermën e vogël të tij. Punoi aty, përkundër moshës së shtyrë, por jo për një kohë të gjatë. Kur Roma u rrezikua nga jashtë, qytetarët e saj shkuan dhe e lutën që ta merrte kontrollin e plotë mbi shtetin dhe t’ju printe atyre. Cincinnatus-i e bëri këtë, por, pasi arritje fitore të shpejtë, heqi dorë nga pushteti dhe perkuizitat e tij, dhe u kthye sërish në fermë. Suksesi i tij dhe dorëheqja e menjëhershme nga autoriteti i tij gati-absolut që ia solli përfundimi i luftës, është bërë model i lidershipit të jashtëzakonshëm, shërbimit për të mirën e përgjithshme dhe virtytit qytetar. Prandaj, edhe pas njëzet e pesë shekujve, figura e tij me plug, vazhdon të frymëzojë njerëzit të duan vendin e tyre pa kushte.

 

Deri këtu, këto radhë i kam shkruar para dy ditësh. Megjithatë, sikur kurrë më parë, shkrimi im po mbetet në gjysmë. Në modelin, që e parapëlqej, tani do t’i vinte radha pjesës ku do ta bëja analogjinë me jetën tonë, me udhëheqësit tanë, me moralin tonë politik, me virtytet qytetare, me dashurinë dhe shërbimin pa kushte ndaj vendit e të tjera. Mirëpo, kot! I kalova dy ditë në persiatje, në përpjekje për gjetjen e një shembulli, një modeli, një virtyti, një frymëzimi. S’gjeta!

 

Në një shkrim të mëhershëm (http://telegrafi.com/per-nje-parti-te-re/ ), paskam thanë: “...nuk ka vend për horra, që na thonë se kanë të gjitha veset e problemet e kësaj dynjaje, por ama janë patriotë të mëdhenj. Nuk ka vend për rebelët e sotëm që bëhën jakëbardhët më të ftohtë të së nesërmes. Nuk do të ketë vend për nacionalistët ekstremë që nesër bëhën kozmopolitë të skajshëm. Dhe, sigurisht, se nuk ka vend për ata njerëz që sot i japin Kosovës pak për t’i marrë asaj nesër shumë. Por, nuk do të humbim shumë nga kjo klasë: ata janë pakicë në këtë vend”. Nëse doni, shkrimin lexone, ama po ju paralajmëroj! Tani, nuk e besoj fjalinë e fundit!

 

Shkrimin për Cincinnatusin po e ndaloj këtu, me premtimin se do ta kompletoj sa më shpejt që është e mundshme.

Sapo, shqiptaria ta ketë një Cincinnatus.

Një, bile!

Një!